Ndërpritet greva në arsim, Jasharaj thotë se marrëveshja ofron shumë tek kërkesat e grevistëve

0

Nga e hëna do të fillojë procesi mësimor në Kosovë.  Në një konferencë për media Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, kanë dhënë lajmin për fillimin e mësimit ditën e hënë.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, tha se nga e hëna nxënësit e Kosovës do të i iu kthehen shkollave të Kosovës.

Veseli ka thënë se të gjithë punëtorëve në sistemin e arsimit u janë rritur pagat, duke u zotuar se kjo rritje do të vazhdojë ashtu siç ka premtuar së bashku me kryeministrin Haradinaj. “Nesër në Kuvendin e Kosovës do të miratojmë Projektligjin për pagat, i cili do të mundësojë rritjen e pagave për më shumë se 70 mijë punonjës të sektorit publik. Ashtu siç u kemi premtuar, pagat do t’u rriten të gjithëve: policisë, ushtrisë, shëndetësisë, arsimit, artistëve, administratës publike, asamblistëve të komunave, pensionistëve dhe gjithë punëtorëve tjerë”, ka thënë Veseli.

Po ashtu Veseli ka siguruar të gjithë punëtorët e Doganës dhe ATK-së se statusi i tyre nuk do të preket. “Ky ligj i pagave i jep vulë reformës në shëndetësi me rritjen më të lartë për personelin shëndetësor në 20 vjetët e fundit. Pagat e punëtorëve shëndetësor bëhen më të lartat në rajon dhe kështu kthejmë tërë vëmendjen për pacientin”, ka thënë kryeparlamentari Veseli.

Kurse kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se nga ligji i pagave është arritur maksimumi. “Jam i vetëdijshëm që përgatitja për këtë ligj dhe puna që ka ndodhur i ka shqetësuar të gjitha kategoritë që paguhen nga buxheti. Mendoj se ne kemi arritur finalen e këtij ligji. Nuk ka qenë e lehtë as marrëveshja e sotme pa ndihmën e kryetarit. Është e ditur që qeveria e vendit është e interesuar t’i jap përgjigje të gjitha kategorive që paguhen nga paratë e shtetit. Jemi të interesuar të respektohet integriteti i të gjithëve në Kosovë, prandaj falënderoj shumë sindikatën”, ka thënë Haradinaj.

Kurse kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari tha se marrëveshja e re, i ofron mësimdhënësit tek kërkesat e tyre. Jashari, ka uruar të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit për fillimin e semestrit të dytë të vitit të ri shkollor. “Dje e filluam një raund të ri të takimeve dhe pastaj sot u takuam dhe arritëm një marrëveshje ashtu siç e thanë edhe krerët e institucioneve tona, pra marrëveshja e re, lëvizja e re na ofron shumë tek kërkesat tona dhe pra urime të gjithëve viti shkollor, gjysmëvjetori i dytë po fillon të hënën”, tha ai.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here