Nacionalizmi i “mirë”

0

ERVIN QAFMOLLA

Do të ishte një kushëri i kancerit beninj. Sidomos kur bëhet fjalë për futboll, gjërat priren të bëhen shumë interesante. “La guerra del fútbol” (lufta e futbollit:http://en.wikipedia.org/wiki/Football_War), shkaktoi një luftë të vërtetë dhe afatshkurtër ndërmjet El Salvadorit dhe Hondurasit në Amerikën Latine. Arsyet bazoheshin mbi tensione të vërteta gjeopolitike, por ndeshja kualifikuese për Kupën e Botës FIFA 1970, ishte detonatori i duhur. Përplasja përfshiu bombardime ajrore dhe pushtimin e disa qyteteve të Hondurasit me ndërhyrjen e trupave tokësore të rivalit.

Në vitin 2009, sërish një rast i debatueshëm futbolli, për pak desh çoi në një luftë ndërmjet Egjiptit dhe Algjerisë – vende që kurrë nuk kanë pasur ndonjë konfrontim mes tyre (http://en.wikipedia.org/…/2009_Egypt_v_Algeria_football_mat…). Për ta bërë situatën edhe më të këndshme, në kuadër të “lojës së bukur” dhe “shpirtit sportiv”, në këto fërkime u përfshi edhe Sudani.

Si për ta bërë më të pranueshëm tmerrin që përfaqëson nacionalizmi, disa kanë zgjedhur të përdorin termin e zbutur dhe më frymëzues “patriotizëm”. Kur dëgjon termin kinse të padëmshëm, është e pamundur të mos sillen ndër mend të gjithë patriotët me kokët e rruara, me mustaqe, flamuj dhe kryqe, psikopatët që përgatitin bomba artizanale në bodrum për të shpëtuar Amerikën nga komploti sionist-alien, apo racistët që linçojnë personat e etnive të tjera për ta ruajtur të pastër racën e vendeve përkatëse. Nacionalizmi dhe racizmi kanë qenë shumë shpesh bashkudhëtarë, ndonëse në fjalor dhe doktrinë supozohet të përfaqësojnë gjëra të ndryshme.

Përjashto rastet kur njerëzit ngrihen dhe vënë jetët e tyre në rrezik për të mbrojtur atdheun, nderin dhe familjen përballë agresioneve të padiskutueshme, apo kur mbrojnë interesin kombëtar në çështje, si dhurimi i territoreve detare një vendi fqinj – fjala që bie – histeria kolektive me pshurrje në brekë nga eksitimi me daulle, plisa (qeleshe) e flamur, është vetëm një sipërmarrje e rrezikshme për të fituar më shumë zemra sesa mendje, për të fituar më shumë votues e klientë sesa qytetarë të një kombi krenar.

Nëse ka ende dyshime apo pikëpyetje mbi himnin rural të propozuar për skuadrën kombëtare nga Digitalb, duhet më së pari të kuptohet se kjo platformë e televizionit me pagesë ka vendosur në qendër të pozicionimit të saj në marketing e marrëdhënie publiku, pikërisht nacionalizmin. Nuk mund t’u vësh shumë faj, sa kohë që qëllimi final i një biznesi është maksimizimi i fitimit. Ofrimi i shërbimit më të mirë supozohet që të jetë edhe zgjedhja më racionale për klientët. Fakt është se njerëzit nuk janë qenie edhe aq racionale, por priren nga emocionet, klishetë, sloganet dhe sagat e pafundme të masturbimeve mendore.

“Platforma e gjithë shqiptarëve” synon të kapë edhe ata klientë që nuk i apelojnë fort logjikës, por që bien mjerisht në kategorinë e gjysmë-idiotëve folklorikë. Këta qëndrojnë para ekranit me fanella kuqezi, tullumbace, meze e raki dhe me raste, kallashnikov, duke parë aventurat e Shqipërisë në futboll. Kallashi – arma dhe striptistja – duhen në rast fitoreje. Ndërkaq himni i ri i kombëtares së futbollit mishëron pikërisht këtë qasje, më së paku, jointelektuale.

Nuk duhet harruar as shfaqja prej ninxhe skuthe e Ballist Morinës në videoklipin e Digitalb që hap flamurin e Shqipërisë së Madhe. Ky i fundit, nga disa media është shpallur si “maskota e kombëtares së Shqipërisë”. Ballisti është një çunak trozovaç dhe pak debil, i cili nuk mban përgjegjësi për veprimet e tij, por “Platforma e gjithë shqiptarëve” më pak dhe qeveria e Shqipërisë më shumë duhet ta bëjnë. Duke cituar një mikun tim të mirë në një nga ndriçimet e tij mbi nacionalizmin nja dy vjet më parë, “Once you go red, you never come back” (po i hyre ‘të kuqes’ nuk ka kthim mbrapa). Në zhargon lagjeje, “e kuqja” është heroina, droga, çka përkon në këtë rast edhe me ngjyrën e flamurit tonë. Ideja është që pavarësisht qëllimeve afatshkurtra, të cilat nacionalizmi mund t’i përmbushë, po t’i hedhësh zjarrit benzinë, procesi mund të jetë i pakthyeshëm. Kur një shkrim me titull “Unë nuk jam Kuqezi” nga Gresa Hasa, u publikua ca javë më parë, komentet e lexuesve ishin aq makabre, sa tejkalonin çdo pritshmëri. Ndër ta, i preferuari im ishte “kurvë sllave”.

Ne lindim nga prindër të ndryshëm, rritemi në kultura të ndryshme dhe vdesim në vende të ndryshme. Këto rrethana nuk janë as përgjegjësi e as merita tonat (përjashto vendin e vdekjes në një farë mase). Ndaj, miklimi i epërsisë gjenetike ndaj të tjerëve është njëherësh joetike dhe e pamerituar. Është mbi të gjitha, mendësi që buron nga injoranca. Lobet e biznesit dhe politikës duhet ta dijnë këtë. Duhet të kujtohen për disa qindra hebrenj dhe shumë mijë ushtarë italianë që u shpëtuan gjatë Luftës së Dytë Botërore. Duhet të kujtohen se në Shqipëri, të paktën deri dje, asnjë shtetas serb apo çfarëdo tjetër nuk duhej të ndihej i kërcënuar, por madje i mirëpritur.

Është mbi këtë bujqari burimore dhe tradicionale që duhet të ndërtojmë krenarinë tonë kombëtare; jo me flamuj të një Shqipërie të Madhe që u formalizua si projekt nga Italia pushtuese gjatë viteve ’30 të shekullit që shkoi. Vetëdija kombëtare duhet ndërtuar mbi kuptimin dhe veprimin për zgjidhjen e problemeve reale, dhe mbi përgatitjen për mundësitë e progresit që gjithmonë premtohet, por kurrë nuk vjen. Sepse nuk mund të vijë vetë. Dhe nuk duhet harruar kurrë se është shumë lehtë të hedhësh gurin e parë, por shumë e vështirë të vendosësh të parën tullë në ngrehinën e zhvillimit të një kombi.

Edhe Kryeministri Edi Rama që ka nisur platformën e tij të Nacionalizmit 2.0 përmes pompozitetit të deklaratave për bashkim kombëtar, duke iu kthyer mësimeve të Shokut Mao, duhet ta dijë se nëse feja është (ose mund të jetë) opium për popujt, nacionalizmi është heroinë. Ndërsa heroina është derivat i opiumit, Edi Rama si model politik ka po aq lidhje me nacionalizmin sa ç’ka ky autor me Dashnorin e Ledi Çatërleit.

Ndaj në kuadër të “Nacionalizmit të Mirë”, nesër, të dashur bashkatdhetarë, futini një vingëll të kuqe, këndoni himnin e ri ‘katnar’ të kombëtares, blini paketa futbolli dhe drone me flamuj kallp, votoni Edi Ramën dhe qëlloni me kallash. Në ajër, nëse mundeni.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here