Mustafa: “U kam thënë gjermanëve se mund ta përballojmë kthimin e njerzëve tanë”

0

PRISHTINË, 12 SHKURT – Kryeministri Isa Mustafa duke raportuar para kabinetit qeveritar për vizitat e tij jashtë vendit, e ka veçuar sot takimin e zhvilluar me ministren e Landit të Bajernit për Çështje Evropiane dhe Marrëdhënie Rajonale, Beate Merk. Takimi sipas tij ka qenë i fokusuar në temën e migracionit ilegal nga Kosova, ku Landi i Bajernit është i atakuar nga ky migrim. “Kemi dhënë zotimet tona që ne jemi në gjendje që ta përballojmë kthimin e njerëzve tanë që kanë migruar dhe nuk ka asnjë arsye që ky proces i migrimit të shfrytëzohet që të tregohet se Kosova nuk është stabile, apo se njerëzit nuk kanë siguri të plotë në Kosovë”, ka thënë kryeministri Mustafa. “Ne do të ju ofrojmë sigurinë e plotë, por ne nuk mund ta zgjidhim problemin e punësimit dhe problemet tjera për një periudhë të shkurtë kohore”, ka tërhequr vëmendjen Mustafa. “Programi ynë qeveritar, të cilin do ta aprovojmë javën e ardhshme, si dhe masat të cilat ne jemi përcaktuar t’i marrim në nxitjen e zhvillimit ekonomik, sidomos në fushën e bujqësisë dhe në fushat e tjera, mundësojnë që ne në mënyrë stabile dhe në mënyrë të qëndrueshme, të sigurojmë kushte që njerëzit të jetojnë këtu, të kenë perspektivë këtu, dhe me vendet e BE-së të ndërtojmë partneritet afatgjatë”, ka theksuar kryeministri. Ai ka tërhequr vërejtjen se në të gjitha takimet e zhvilluara në Gjermani është theksuar nevoja për përkrahjen e vendeve të BE-së për nënshkrimin e kontratave për punësim sezonal dhe “Kosova ka nevojë përkohësisht që t’i zgjidh këto probleme përmes një partneriteti të tillë, e jo përmes migrimit të parregullt”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here