Mustafa-Rama pas mbledhjes: Nënshkruam 11 marrëveshje për të realizuar qëllimin e përbashkët: bashkimin kombëtar përmes integrimit në BE

0

Pas nënshkrimit të të gjitha marrëveshjeve për të cilat ishte rënë dakord nga të dyja qeveritë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Kosovës, Isa Mustafa kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për shtyp për të hedhur dritë mbi atë çfarë u arrit nga mbledhja e dytë e përbashkët e dy qeverive të kombit shqiptar. Kryeministri Rama deklaroi se 11 marrëveshjet e nënshkruara sot do t’u shërbejnë të dyja qeverive për të realizuar qëllimin e përbashkët: bashkimin kombëtar përmes integrimit në BE.
“Së bashku me kryeministrin Mustafa nënshkruam sot 11 marrëveshje të cilat jam besimplotë që do të konsolidojnë një proces pa kthim të bashkimit të të gjitha forcave dhe institucioneve tona drejt qëllimit të përbashkët: bashkimit kombëtar përmes integrimit në BE”, tha Rama.
Kryeministri shqiptar tha se marrëveshjet e nënshkruara sot synojnë që brenda vitit të hiqen të gjitha barrierat e natyrës administrative dhe të njehsohen dokumentet zyrtare të nevojshme për tregtinë.
“Në mënyrë që sipërmarrësit të mos kenë nevojë të punojnë me dy palë dokumente, sidomos për shkëmbimin e prodhimit bujqësor e blegtoral”, tha Rama.
Gjithashtu, Rama shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të evituar radhët e gjata në pikat e kalimit kufitar, duke theksuar heqjen e barrierave administrative,
Nga ana e tij, kryeministri Mustafa theksoi se nënshkrimi i marrëveshjeve, jo vetëm ndihmon në lëvizjen e qytetarëve,ndërsa shtoi se marrëveshja në fushën e financave është çelës për të mundësuar bashkëpunimin.
Këto janë 11 marrëveshjet, memorandumet dhe protokollet të cilat u nënshkruan:
1. Për Bashkëpunim të “Ndërsjellë në Fushën e Sigurisë”.
2. Memorandum mbi “Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Kontrollit të Brendshëm”.
3. Protokoll mbi “Shfrytëzimin e Përbashkët të Pajisjeve për Kontrollin e Kufirit”.
4. Protokoll “Për Ndjekjen e Menjëhershme Ndërkufitare”.
5. Memorandum i Mirëkuptimit “Për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrive të Financave të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës”.
6. Marrëveshje e Bashkëpunimit për “Organizimin e Përbashkët të Mësimit të Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë dhe në Mërgatë”.
7. Marrëveshje e “Bashkëpunimit në Fushën e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor”.
8. Marrëveshje për “Bashkërendim Institucional për Përparimin dhe Zhvillimin Profesional të Mësimdhënësve në Arsimin Parauniversitar”.
9. Protokoll “Për Zbatimin e Marrëveshjes Kuadër Ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunimin në Nxitjen dhe Lehtësimin e Tregtisë”.
10. Memorandum “Mbi bashkëpunimin në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural”.
11. Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, Ministrisë së Diasporës të Republikës së Kosovës.

(gazeta-Shqip.com)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here