Mustafa premton ta kthej Malishevën në regjionin e Prizrenit

0

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, e ka vizituar sot Komunën e Malishevës, ku është pritur nga Kryetari i Komunës, Ragip Begaj, me të cilin kanë biseduar për çështje të ndryshme. Ata e kanë biseduar edhe çështjen e kalimit të Malishevës në regjionin e Gajkovës.“Kjo çështje nuk mund të zgjidhet jashtë vullnetit të qytetarëve dhe për këtë çështje nuk ka vendim të qeverisë”, ka thënë kryeministri Mustafa. Kryetari i Malishevës, i ka thënë kryeministrit:“Kemi reagime të qytetarëve dhe unë kërkoj që ju personalisht, si i pari i qeverisë, të merreni me këtë çështje, sepse ne nuk jemi pyetur dhe nuk dëshiroj që nesër qytetarët, pakënaqësinë e tyre ta shprehin përmes formave të cilat nuk do ti dëshironte askush.” “Në qeveri nuk ka asnjë vendim për kalimin e Malishevës në regjionin e Gjakovës, mirëpo disa ministri, disa sektore i kanë kaluar në kompetencë të regjionit të Gjakovës. Për këtë, unë ju them se kjo nuk mund të bëhet jashtë vullnetit të qytetarëve dhe do të angazhohem personalisht për zgjidhjen e këtij shqetësimi të qytetarëve të Komunës së Malishevës”, është shprehur Mustafa.
Kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, e ka falenderuar Kryeministrin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, për vizitën në Komunën e Malishevës dhe para tij i ka paraqitur tri nga brengat e shumta të Malishevës. “Ethet hemorragjike, transiti për qytetin e Malishevës dhe kalimi në regjionin e Gjakovës, janë tri hallet më të mëdha të Malishevës”, ka thënë kryetari Begaj. “Ne jemi një komunë e lënë pas dore dhe shpresoj që tash e tutje, të kemi kujdesin e qeverisë së vendit”, është shprehur Begaj.
Kryeministri i vendit, Mustafa, pasi ka sqaruar se është i njoftuar me gjendjen dhe nevojat e Malishevës, ka premtuar se angazhimi i tij personal, nuk do të mungoj në zgjidhjen e problemeve. “Çështja e etheve hemorragjike, është një problem serioz shëndetësor, të cilin jam i interesuar që mos të mbetet në duartë e komunës, por institucionet përkatëse, përgjegjëse, të merren edhe më seriozisht”, ka theksuar kryeministri Mustafa. Ndërsa për investime në infrastrukturë, kryeministri, ka thënë se “do ta ketë parasysh Malishevën, dhe Malisheva nuk do të mbetet e anashkaluar, por e barabartë me komunat tjera, duke përfshirë infrastrukturën në përgjithësi, si në rrugë, shkolla, e po ashtu edhe në kulturë”. “Me rishikim të buxhetit, do të kemi mundësi që të zgjidhim shumë nga problemet dhe këtë do ta bëjmë bashkërisht, por për mua me rëndësi është përmirësimi i jetës së qytetarëve dhe këtë planifikojmë ta bëjmë përmes investimeve në fushat që ndikojnë në përmirësimin e jetës, në zhvillimin e ekonomik, më saktësisht në fushën e bujqësisë, fushë e cila është prioritet”. Malisheva është e vetmja komunë në Kosovë ku pushtetin lokal e drejton Nisma për Kosovën, por gjatë muajit të kaluar është arritur marrëveshje për koalicion mes këtij subjekti dhe LDK-së dhe tani hisedare në pushtet është edhe partia e kryeministrit Mustafa.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here