Mustafa: Për zhvillim ekonomik, na duhet mbështetje më serioze nga institucionet kryesore financiare ndërkombëtare

0

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka marrë pjesë sot në konferencën e përbashkët për zhvillim socio-ekonomik për Kosovën, organizuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Banka Botërore.
Kryeministrit Mustafa në këtë Konferencë ka thënë se Kosova ka nevojë për një rol më të madh të Bashkimit Evropian dhe të institucioneve financiare evropiane siç është Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Evropiane për Investime, Banka Gjermane për Zhvillim dhe “veçmas për rol më të madh të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar”.
“Impakti financiar i këtyre institucioneve në ekonominë e vendit tonë është shumë i rëndësishëm, por ne vlerësojmë se akoma nuk është në nivelin që ne kemi nevojë dhe poashtu nuk është në nivelin e kapaciteteve që përfaqësojnë këto institucione. Mendoj se kapaciteti veçmas i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe i Bankës Botërore nuk është shfrytëzuar deri më tani sa dhe si duhet në vendin tone”, ka konstatuar kryeministri i Kosovës. Kosova sipas tij ka nevojë që projektet e deritanishme të asistencës teknike të këtyre institucioneve, t’i shndërroj në projekte të investimeve të drejtpërdrejta në fusha zhvillimore dhe në fusha produktive. Ai ka bërë me dije se kosova ka nevojë për investime më të mëdha në energjetikë, në infrastrukturë rrugore dhe hekurudhore, në infrastrukturë për ujitjen në bujqësi, për linja kreditore të volitshme për sektorin privat, për projekte të trafikut urban në qytete, të menaxhimit të mbeturinave, të pastrimit të ujërave të zeza, për efiçiencë të energjisë dhe për shfrytëzim të energjisë së ripërtëritshme. Mustafa ka tërhequr vërejtjen se nuk ka agjendë më të rëndësishme për Kosovën se sa ajo e rritjes ekonomike dhe e krijimit të vendeve të punës. Ai ka shfaqur besimin se programi i reformave ekonomike, Kosovën do ta bëjnë në nivel më konkurrues në regjion dhe në tregjet evropiane. “Në të njëjtën kohë besojmë se ky program do të shërbej edhe si bazë e dialogut me Bashkimin Evropian për qeverisjen ekonomike”. Kryeministri ka bërë me dije se këta muaj do të hartohet edhe Plani Kombëtar i Zhvillimit Ekonomik. “Në këtë Plan Kombëtar do të përpiqemi që të konkretizojmë shumë më ngushtë prioritetet e zhvillimit ekonomik dhe masat përmes të cilave do t’i realizojmë këto prioritete si dhe do të bëjmë edhe harmonizimin e ligjeve, të cilat konsiderojmë se deri më tani kanë penguar tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe të cilat do të mundësojnë që ne të arrijmë këto investime t’i tërheqim qoftë përmes ofrimit të hapësirave të volitshme për investime, qoftë përmes marrëveshjeve të drejtpërdrejta që do t’i bëjmë me organizatat, përkatësisht bizneset të cilat dëshirojnë të investojnë në vendin tonë ose përfaqësues të ndryshëm qeveritar që dëshirojnë të vijnë dhe të investojnë në Kosovë”, ka elaboruar Mustafa duke uruar që debati i konferencës që po mbahej t’i sqarojë relacionet dhe Kosova të ketë një përkrahje më të madhe të BE-së dhe të institucioneve të tjera financiare.
“Ne konsiderojmë se kufizimet buxhetore të cilat i kemi deri më tani dhe investimet që mund t’i bëjmë në sektorin publik nga ky buxhet, kursimet të cilat janë në bankat komerciale dhe kapaciteti i bankave komerciale si dhe kualiteti i kreditimit nga bankat komerciale është i pamjaftueshëm që ne të kemi një zhvillim i cili mundëson absorbimin e fluksit të të papunëve në Kosovë dhe i cili mundëson që ne t’i zgjidhim në afat të shkurt por edhe në afat mesatar këto probleme. Prandaj, ne kemi nevojë për një përkrahje më të madhe, veçmas financiare”, ka përmbylluir Mustafa. Në këtë Konferencë, kanë marrë pjesë edhe udhëheqës të tjerë të institucioneve të Kosovës, përfaqësuesë të lartë të Bashkimit Evropian dhe të Bankës Botërore në Kosovë, si dhe të mekanizmave tjerë financiar e ekonomik në Kosovë. Në pjesën hyrëse të konferencës me nga një fjalë rasti veq kryeministrit Mustafa, janë paraqitur edhe Jean Eric Paquet – Komisioni Evropian, Drejtor për Ballkanin Perëndimor në DG NEAR, Ellen Goldstein-Banka Botërore, Drejtoreshë dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore, dhe Bekim Çollaku – Ministër për Integrim Evropian.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here