Mustafa: Kodi civil, bazament i zgjidhjes së problemeve konform kritereve te BE-së

0

Ministria e Drejtësisë sot ka organizuar takimin e parë të Komisionit për Hartimin e Kodit Civil të Republikës së Kosovës, kryesuar nga Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi.
Kryeministri Isa Mustafa duke marrë pjesë në këtë takim e ka quajtur Kodin Civil një dokument tepër të rëndësishëm për fazën në të cilën po kalon Kosova. “Të gjithë ne, mendoj se pajtohemi që duhet të krijojmë kushtet që të sundoj ligji në Kosovë, që të zbatohet ligji dhe këtë ne e kemi dhënë si parim themelor të Programit Qeverisës që e kemi hartuar më parë”, ka thënë Mustafa duke bërë me dije se gjatë kësaj periudhe njëqind ditëshe në Qeveri kanë kaluar rreth 25 projrktligje që i janë proceduar Kuvendit të Kosovës. “Kodi Civil, do të paraqes dhe do të ofroj një bazament të veçantë të zgjidhjes së problemeve tek ne, konform kritereve dhe metodave të cilat aplikohen në vendet e Bashkimit Evropian”, ka tërhequr vërejtjen Isa Mustafa.

“Si Qeveri ne mbështesim të gjitha reformat të cilat ndërmerren në reformimin e sistemit gjyqësor në mënyrë që të kemi një sistem gjyqësor të pavarur, të kemi një sistem gjyqësor efikas dhe kredibil, që garanton sundimin e ligjit, që garanton mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe poashtu që garanton që ligjet e vendit të jenë në harmoni me ligjet ndërkombëtare, të cilat duhet të vlejnë edhe për vendin tone”, ka theksuar ai.

“Mirëpo, si Qeveri poashtu marrim mbi vete që të krijojmë kushte teknike dhe kushte të tjera të domosdoshme duke përfshirë edhe rritjen e numrit të punonjësve në gjykata dhe atyre që ju shërbejnë gjykatave për të siguruar që sistemi gjyqësor te ne të jetë efikas, të jetë efiçient dhe që ne të mburremi me punën që po e bëjmë, ka përmbyllur Mustafa..
Ministri Hajredin Kuçi ka bërë me dije se Komisioni për hartimin e Kodit Civil, është i përbërë nga ekspertë vendorë, njohësit më të mirë të lëmisë civile, i përbërë nga teoricien dhe prakticien, të cilët do të mbështeten nga ekspertët ndërkombëtarë përmes projekteve.
Ai ka theksuar punën që është bërë deri më tani në hartimin e ligjeve sistemore dhe Kodeve, sidomos në fushën Penale. “Ministria e Drejtësisë, përveç angazhimit për plotësimin e infrastrukturës ligjore për drejtësinë penale, gjegjësisht hartimin dhe finalizimin e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, ka përgatitur dhe finalizuar ligjet përkatëse për drejtësinë civile duke përfshirë në radhë të parë Ligjin për Marrëdhënien e Detyrimeve, Ligjin për Procedurën Kontestimore, Ligjin për Procedurën Jokontestimore, Ligjin për Trashëgiminë, Ligjin për Familjen, Ligjin për Procedurën Përmbarimore, si dhe plotësim/ndryshimet e ligjeve përkatëse” ka shtuar Kuçi.
Sipas tij, nëse vitet e shkuara kanë qenë vite të ndërtimit të sistemit të drejtësisë, vitet e tanishme janë vite të funksionalizimit të tij, të reformimit të thellë dhe të përafrimit të tij me sistemet e vendeve demokratike përmes kodifikimit edhe të së Drejtës Civile.
“Në Kosovë ka mbaruar periudha e nevojës që vetëm të kemi ligje, por tani po fokusohemi që të kemi ligje të mira, e ligje të mira janë ato që i respektojnë kriteret dhe standardet e BE-së, por njëkohësisht janë funksionale te ne. I tillë synojmë të jetë edhe Kodi Civil, për të cilin jemi edhe të përkushtuar”, ka thënë Kuçi.
Themelimin e Komisionit për hartimin e Kodit Civil e ka përshëndetur edhe Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, Kryeprokurori i Shtetit, Sylë Hoxha, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, si dhe përfaqësuesë të tjerë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here