Mustafa: “Ka rezultate por edhe shumë obligime të papërmbushura për të fituar liberalizimin e vizave”

0

PRISHTINË, 13 SHKURT – Kryeministri Isa Mustafa në takimin e Komitetit Drejtues për Liberalizim të Vizave sot ka thënë se dialogu për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian mbetet një nga prioritetet kryesore afat-shkurtëra të Qeverisë së Republikës së Kosovës. “Mbetemi të përkushtuar të mbyllim këtë kapitull në afatin sa më të shpejtë të mundur në mënyrë që qytetarët tanë të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Schengen dhe gjithnjë në përputhje me rregullat dhe normat e Schengen-it”, ka theksuar ai. Sipas tij është bërë një punë e mirë në përmbushjen e kritereve nga pala kosovare. “Përkundër angazhimit, përkushtimit dhe progresit të arritur në adresimin e kërkesave që dalin nga të gjitha blloqet e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave, fatkeqësisht qytetarët tanë ende nuk munden të lëvizin lirshëm në shtetet e zonës Schengen dhe ballafaqohen me procedura të tepërta dhe burokratike për t’u pajisur me viza Schengen, por më shqetësues është fakti i një numri të madh të qytetarëve tanë që e lëshojnë Kosovën dhe emigrojnë në mënyrë të parregullt përmes Hungarisë në shtetet tjera të zonës Schengen”, ka tërherqur vërejtjen kryeministri duke e quajtur këtë realitet të dhimbshëm. Mustafa ka bërë me dije se javën që vjen do të shqyrtohet dhe aprovohet Programi Qeverisës për katër vitet e ardhshme i cili sipas tij do ndikojë pozitivisht në përmirësimin e jetës për qytetarët. “Pjesë e angazhimit tonë do të jetë që të evitojmë edhe faktorët shtytës të cilët ndikojnë në migrimin e qytetarëve tanë. Do t’i bashkërendisim në vazhdimësi veprimet e ministrive dhe agjencioneve qeveritare për të parandaluar migrimet e parregullta”, është zotuar ai duke u zotuar se do të ndërmerren masa “ndaj të gjithë atyre që bëjnë pazare dhe kontrabandojnë me qytetarët tanë, për interesa të tyre materiale dhe për interesa politike”. “Janë të qarta për neve dhe po ashtu duhet të jenë të qarta për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës qëndrimet e vendeve të Bashkimit Evropian, se ato nuk do të japin azil për qytetarët nga Kosova, sepse Kosovën e konsiderojnë si vend të sigurt”, është shprehur Isa Mustafa duke bërë me dije se institucionet e vendit duhet ta bëjnë punën e vet për integrimin e njerëzve tanë të cilët që do të kthehen së shpejti në Kosovë. Ndonëse ka folur për punë të kryera në kuadër të përmbushjes së kritereve për librelaizimin e vizave, kryeministri Mustafa ka përmendur në këtë takim një varg obligimesh që duhet të përmbushen edhe më tej. Negocimi dhe nënshkrimi i marrëveshjeve për ripranim me disa nga shtetet në të cilat ka nisur ky proces, zhvendosja e fokusit nga shërbimet emergjente, në ato të cilat kontribuojnë në riintegrimin e qëndrueshëm të personave të riatdhesuar; lansimi i sistemit të ri të gjendjes civile duke përfshirë furnizimin me certifikata të reja dhe me elemente të larta të sigurisë; mbyllja e procesit të demarkacionit me Malin e Zi; funksionalizimi i qendrës së mbajtjes për të huaj; avancimi i sistemit të menaxhimit të kufirit; miratimi i pakos së ligjeve gjyqësore dhe të ligjeve për të drejtat e njeriut; miratimi i strategjisë kundër trafikimit me qenie njerëzore; pastaj rregullores për menaxhimin dhe funksionalizimin e sistemit informativ për evidencë penale dhe mbi të gjitha arritja e rezultateve të prekshme mbi luftimin e disa formave të krimit të organizuar duke përfshirë klasifikimin e aseteve të përfituara në mënyrë të kundërligjshme dhe konfiskimin e kësaj pasurie, kanë qenë obligimet e papërmbushura që i ka përmendur Mustafa duke bërë thirrje të adesohen sa më shpejt.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here