Mustafa i fton pakicat për bashkpunim në formimin e Forcës së Armatosur

0

Kryeministri Isa Mustafa në një adresim qytetarëve nga “zyra”(llogaria) e tij në Facebook ka tërhequr  vëmendjen sot se nuk është penduar asnjëherë që ka qenë kundër vendeve të rezervuara për pakicat në Kuvendin e Kosovës. Ai më pas e ka ndërlidhur diskriminimin pozitiv të pakicave me orvatjet e tij për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur. Mustafa i ka ftuar pakicat për bashkëpunim dhe marrje të përgjegjësive në këtë aspekt duke spikatur se Forca e Armatosur është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

 

Më poshtë mund ta lexoni të plotë adresimin e kryeministrit Mustafa:

 

 

“Është e vërtetë e pamohueshme se unë dhe LDK në mandatin e kaluar, sa ishim në opozitë, kemi kundërshtuar vazhdimin e vendeve të rezervuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Nuk jam penduar për këtë, dhe edhe sot do të kundërshtoja, me çdo çmim. Sepse, është e paarsyeshme që të ngushtohen vendet për deputet të subjekteve shqiptare në Kuvend dhe të zgjerohen edhe më tutje për përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë. Konsideroj, po ashtu, se nuk ka çmim i cili e arsyeton dëmtimin e përfaqësimit në organin më të lart legjislativ. Është e qartë se komunitetet joshumicë, tani me vende të garantuara janë pozitivisht të diskriminuara, gati dyfish në krahasim me pjesëmarrjen në popullsi. Prandaj, ndihem i nderuar në qoftë se dikush edhe më tutje vazhdon të më fajësoj se nuk jam pajtuar. Nuk do të pajtohem as sot të bëj pazar me vendet në parlament.

Sa i përket transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosur, për mua ka qenë dhe është e pajustifikueshme që të ndërlidhet me kontekstin e vazhdimit të vendeve të rezervuara. Sepse këto vende nuk mund të afatizohen. Ajo që ndryshohet në Kushtetutë me dy të tretat e dyfishta, nuk mund të ndryshoj në të ardhmen pa të njëjtin parim. Së fundmi kjo do të na shtynte në një cikël të kushtëzimeve, nga i cili vështirë se do të gjenim rrugëdalje.

Ndërkaq, pavarësisht propagandës që po bëhet,unë jam duke punuar shumë me të gjithë për të gjetur zgjidhje për transformimin e FSK-së. Vetëm gjatë dhjetë ditëve të kaluara i kemi pasur pesë takime me partner të koalicionit dhe faktorët ndërkombëtar dhe me strukturat më të larta të FSK-së për të gjetur zgjidhje.

Ne do të punojmë shumë për avancimin e të drejtave të popullatës joshumicë në vendin tonë, dhe jemi kampione në ofrimin e këtyre të drejtave, por Forcat e Armatosura janë forcë e të gjithë qytetarëve tanë, prandaj pres bashkëpunim dhe marrje të përgjegjësive edhe nga përfaqësuesit e partive joshumicë në Kuvend.”

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here