Mustafa i del në mbrojtje Stavilecit, thotë se nuk ka tema të ndaluara

0

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar para pak minutash për deklaratat e ministrit Blernad Stavileci, mbi lindjen e fëmijëve në Kosovë. Mustafa në profilin e tij në Facebook ka thënë se hapja e temave lidhur me aspektet sociale nuk mund të konsiderohen si të ndaluara, cinike apo kundërthënëse. I pari i qeverisë po ashtu thotë se ne duhet të tregohemi të gatshëm të trajtojmë përgjegjësinë tonë individuale, familjare por edhe shtetërore për të gjitha proceset në Kosovë.

POSTIMI I PLOTË

Proceset e migrimit, të cilat ndodhën në Kosovë mund të jenë kushtëzuar nga shumë faktorë. Për këtë duhet të bëjmë hulumtime të bazuara. Këto procese po ndodhin në të gjitha vendet në rajon, por me intensitet të ndryshëm. Për fat të keq ky mërgim mori hov të madh në vjeshtë të vitit të kaluar dhe sidomos në fillim të këtij viti.

Mirëpo edhe në Kosovë, sikurse edhe në të gjitha vendet e tjera kemi nevojë të mendojmë më shumë për zhvillimin e familjes dhe planifikimin e saj. Kjo çështje është ngritur për herë të parë në Konferencën e Pestë Botërore mbi Popullsinë në Kajro më 1994 me moton se kjo u siguron çifteve lirinë e vendosjes dhe përgjegjësinë mbi numrin e dëshiruar të fëmijëve dhe intervalin kohor në mes tyre. Aspekti ekonomik i planifikimi të familjes mundëson që numri i fëmijëve të jetë në harmoni me të ardhurat e familjes. Aspekti social njeh metodat parandaluese për lindjet e paplanifikuara, kurse aspekti mjekësor mundëson që të ruhet shëndeti i nënës dhe fëmijës. Kosova ka nxjerrë ligjin për familjen, në të cilin qartë është definuar familja por dhe përgjegjësia e prindërve.

Hapja e temave lidhur me aspektet sociale nuk mund të konsiderohen si të ndaluara, cinike apo kundërthënëse. Ne duhet të tregohemi të gatshëm të trajtojmë përgjegjësinë tonë individuale, familjare por edhe shtetërore për të gjitha proceset në Kosovë. Sidomos partitë që aspirojnë politika të qendrës së djathtë apo edhe të djathtë në fundamentin e tyre kanë familjen dhe traditën. Respekti për familjen shprehet duke konsideruar atë të shenjtë, dhe çdo gjë që është e shenjtë meriton të kultivohet dhe të përshtatet karshi ndryshimeve, në mënyrë që të ruhet substanca dhe vlera themelore e saj.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here