Mustafa e Thaçi të vendosur ta riprocedojnë specialen në Kuvend

0

Qeveria e Republikës së Kosovës, ka zhvilluar sot një mbledhje konsultative “lidhur me hapat që do të ndërmerren për përmbushjen e obligimeve të Qeverisë së Kosovës dhe të institucioneve të Kosovës ndaj marrëveshjes ndërkombëtare që ka të bëjë me themelimin e Gjykatës Speciale, e ratifikuar me ligj të veçantë në Kuvendin e Kosovës”. Kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi janë shprehur të vendosur që amandamentet kushtetuese që mundësojnë formimin e Gjykatës Speciale të riprocedohen në Kuvendin e Kosovës. Ata kanë thënë se kjo është jetike për Kosovën dhe raportet e saj me partnerët ndërkombëtar dhe janë zotuar se do të bashkbisedojnë me të gjithë deoputetët që kjo të ndodhë. Ata janë thirrur edhe në vullnetin e shumicës të dëshmuar dje prej 75 votash në Kuvendin e Kosovës, sadoqë në kuvend nuk janë arritur dy të tretat e votave për të kaluar amandamentet.

 

Në vazhdim mund t’i lexoni fjalimet e plota të kryeiministrit Isa Mustafa dhe zv.kryeministrit Hashim Thaçi, në mbledhjen e sotme të Qeverisë:

 

Fjala e plotë e kryeministrit Isa Mustafa në mbledhje.

Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra.

Unë sot kam ftuar një mbledhje konsultative të Qeverisë, për të biseduar bashkërisht lidhur me hapat që do të ndërmarrim në këto ditë rreth përmbushjes së obligimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat ne i kemi ratifikuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në këtë rast ndaj marrëveshjes që ka të bëjë me themelimin e Gjykatës Speciale, që është ratifikuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me ligj të veçantë.

Dje ka qenë seanca e Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën është diskutuar gjatë lidhur me amendamentet kushtetuese që kanë të bëjnë lidhur me implementimin e kësaj marrëveshje. Edhe përkundër asaj që nuk është arritur që të sigurohen votat e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mënyrë evidente është realizuar vullneti i shumicës së deputetëve, dhe kjo flet për përcaktimin e shumicës që ne të ndjekim rrugën evropiane dhe rrugën euroatlantike, që ne të tregojmë seriozitetin tonë lidhur me zbatimin e të gjitha detyrimeve tona që i kemi marrë ndaj faktorit ndërkombëtar, dhe detyrimeve të cilat i kemi marrë vitin e kaluar lidhur me ligjin për ratifikimin e marrëveshjes, përkatësisht letrës e cila është këmbyer ndërmjet Presidentes së Republikës së Kosovës dhe Baroneshës Ashton, e që ka të bëjë me themelimin e dhomave të veçanta të Gjykatës Speciale.

Në këtë rast ne konsiderojmë se duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet si Qeveri e Republikës së Kosovës, edhe më tutje që të përmbushen detyrimet e vendit tonë, sepse kemi të bëjmë me përmbushjen e detyrimeve ndaj vënies së drejtësisë, mirëpo gjithmonë duke bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, në mënyrë që të shtrojmë një rrugë dhe një perspektivë të përbashkët të zhvillimit të vendit tonë.

Ne mendojmë se në ditët në vijim Qeveria e Republikës së Kosovës të bashkërendis aktivitetet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me grupet parlamentare, në mënyrë që të punojmë të gjithë së bashku, që në ditët në vijim të riprocedohet lënda e ndryshimeve kushtetuese, përkatësisht amendamenteve kushtetuese në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe poashtu të zhvillojmë edhe takime dhe biseda edhe me faktorin ndërkombëtar, i cili është këtu në Kosovë dhe të bashkërendisim me ta të gjitha këto punë.

Konsiderojmë poashtu se çështja e ndryshimeve kushtetuese dhe zbatimi i drejtësisë nuk është vetëm çështje e pozitës, përkatësisht e partive të cilat janë në pozitë, është çështje e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, edhe deputetëve të opozitës të cilët në mandatin e kanë votuar ratifikimin e marrëveshjes, përkatësisht letrës së Presidentes së Kosovës me Baroneshën Ashton, dhe janë pjesë e ligjit mbi ratifikimin e kësaj marrëveshje. Ky ligj i detyron jo vetëm partitë që janë në pozitë, por i detyron të gjitha subjektet në Kosovë që ta bëjnë zbatimin e saj dhe ne poashtu e shohim arsyen që edhe me partitë opozitare të bashkërendisim dhe të bisedojmë, sepse çështja e vënies së drejtësisë dhe çështja e perspektives evropiane të Kosovës nuk është çështje vetëm e disa strukturave, ose e një strukture politike ose një koalicioni politik, por është çështje e shtetit të Kosovës, është çështje e qytetarëve të Kosovës dhe është çështje e ardhmërisë tonë.

Të gjithë ne do të ishim të lumtur sikur kjo gjykatë me kohë të ishte themeluar në Kosovë dhe ne të përplotësonim të gjitha kushtet që një gjykatë e tillë të funksiononte këtu. Është fat i keq edhe për Kosovën edhe për neve që është kërkuar që gjykata të themelohet jashtë vendit. Mirëpo ne megjithatë jemi pajtuar sepse kemi ratifikuar një marrëveshje të tillë dhe të gjithë ne e kemi marrë për obligim se ajo marrëveshje do të realizohet. Prandaj, ne shohim arsye të punojmë, të tregojmë gatishmërinë tonë dhe përcaktimin tonë që si Qeveri duhet të punojmë edhe më tutje, të bashkëpunojmë me të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe suksesin tonë e shohim si sukses të të  gjithëve.

Natyrisht se në asnjë rast nuk i gëzohemi asaj që ne të festojmë ose të manifestojmë mosvotimin e përcaktimeve tona dhe detyrimeve tona, por e shohim si sukses kur detyrimet tona arrijmë t’i bëjmë vepër dhe që zotimet tona që i kemi dhënë ndaj bashkësisë ndërkombëtare, ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ndaj Bashkimit Evropian, t’i vëmë në vepër dhe të ecim në perspektiven evropiane. Kemi nevojë që të kemi bashkëpunim ndërkombëtar, kemi nevojë të ecim rrugës së integrimeve evropiane, sidomos të atyre që kanë të bëjnë tani me nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim, me liberalizimin e vizave, me aderimin tonë në institucionet tjera ndërkombëtare të cilat janë të domosdoshme që aty të gjendemi dhe për këtë ne duhet të tregojmë përcaktimin dhe seriozitetin tonë ndaj të gjitha detyrimeve të cilat Kosova i ka marrë, por edhe  ndaj detyrimeve të cilat ne do t’i marrim në të ardhmen.

Prandaj, takimi i sotëm ishte i karakterit qe ne të ulemi të tregojmë përcaktimin tonë dhe zotimin tonë që do të punojmë këto ditë, në mënyrë që të përmbushim detyrimet tona, do të punojmë më tërë Kuvendin, me të gjithë deputetët dhe me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës dhe faktorin ndërkombëtar që është këtu dhe pastaj në Qeveri do të marrim vendimin adekuat lidhur me riprocedimin e amendamenteve përkatësisht lëndës e cila do të mundësonte që ne të realizojmë këto detyrime.

Faleminderit!

Fjala e plotë e zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi në mbledhje.

Faleminderit i nderuar kryeministër.

Krejt atë çfarë mund të them është se mbështes plotësisht qëndrimet që i prezantuat në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe pozicionimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, edhe pas zhvillimeve të reja që kanë ndodhur dje në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ajo që është me rëndësi është që shumica e deputetëve ishin në favor të përcaktimit tonë të kryerjes së këtij standardi, kriteri apo edhe obligimi karshi bashkësisë ndërkombëtare që e kemi marrë ne si shtet i Kosovës.

Prandaj, vlerësoj se riprocedimi në kohën e duhur në ditët e ardhshme nga ana e Qeverisë është një vendim i drejtë, një vendim që duhet të kalojë edhe përmes një koordinimi edhe ndërpartiak, por në të njëjtën kohë edhe një konsultimi të ngushtë edhe me partnerët tanë ndërkombëtar në mënyrë që kjo çështje të përmbyllet sa më shpejt që është e mundur dhe sa më shumë që është e mundur në kuptimin e një konsensusi edhe politik edhe qytetar edhe një bashkëpunimi të ngushtë me partnerët tanë strategjik në mënyrë që të ruajmë hapin e perspektivës evropiane edhe në procesin e nënshkrimit marrëveshjes së Asociimit dhe Stabilizimit, aplikimit në Këshill të Evropës si dhe rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave.

Prandaj, unë dëshiroj dhe në njëjtën kohë shpresoj që ne do të ngrihemi të gjithë mbi reagimet çfarë i kemi pasur edhe dje aty këtu prej deputetëve apo individëve te caktuar, në mënyrë që të marrim përgjegjësinë edhe të vlerësimit politik por edhe të marrim përgjegjësinë edhe të votimit në kuadër të përgjegjësive më të larta tona kushtetuese, ligjore dhe të interesit shtetëror të Republikës së Kosovës. E ritheksoj edhe sot, se është jetike për të ardhmen e vendit që të themelojmë ne gjykatën e veçantë, Gjykatën Speciale, në bazë të kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe në asnjë rrethanë kjo çështje të mos kalojë, pra ta themelojmë bashkërisht me partnerët tanë Bashkimin Evropian dhe SHBA-të dhe në asnjë rrethanë të mos krijohet hapësirë për oponentët e pavarësisë së Kosovës që kjo çështje të kalojë në Këshillin e Sigurimit.

Bashkërisht me partnerët tanë ne jemi të qartë se do të përmbyllet kjo çështje në periudhë shumë të shkurtër kohore 3 deri 5 vjet, ndërsa në rast të ndonjë rreziku tjetër apo lëshimi tonë kjo çështje mund të bartet në një periudhë të gjatë, me dëm të madh për shtetin e Kosovës, në periudhën 15 apo 20 vjeçare. Do të thotë edhe dëmi politik mund të jetë i madh, edhe dëmi i perspektivës euroatlantike por edhe një dëm i madh i sanksioneve të ndryshme për zhvillimin ekonomik dhe perspektivës së sigurt për qytetarët e Kosovës.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here