MODERNITETI DHE HOLOKAUSTI

0

ENIS SULSTAROVA

Libri “Moderniteti dhe Holokausti” i Zygmunt Baumanit e trajton ngjarjen e Holokaustit nga nje kendveshtrim sociologjik, duke e pare te lidhur me shoqerine moderne dhe proceset modernizuese. Se shpejti ky liber do te botohet edhe ne gjuhen shqipe. Me poshte po jap disa pjese te tij:

“Qytetërimi modern nuk ishte kushti i mjaftueshëm për Holokaustin, por ai ishte padyshim kushti i tij i domosdoshëm. Pa të, Holokausti do të kishte qenë i pamendueshëm. Ishte bota racionale e qytetërimit modern ajo që e bëri të mendueshëm Holokaustin”.

“Nuk kishte më vend për internacionalizëm në një botë të ndarë plotësisht dhe shterueshëm në shtete kombëtare dhe ku çdo copë toke që s’i përkiste asnjërës palë kthehej në një ftesë për agresion. Bota e ngjeshur me kombe dhe shtete kombëtare e urrente zbrazëtinë jokombëtare. Çifutët ishin në një zbrazëti të tillë: ata ishin vetë zbrazëtia”.

“Gjenocidi modern është gjenocid me një qëllim. Heqja qafet e kundërshtarit nuk është qëllim në vetvete. Ajo është një mjet drejt një qëllimi: një domosdoshmëri që buron nga objektivi i fundmë, një hap që duhet hedhur nëse duhet arritur fundi i rrugës. Vetë fundi është një vizion i madh i një shoqërie më të mirë dhe radikalisht të ndryshme nga ajo ekzistuese. Gjenocidi modern është një element i inxhinierisë shoqërore, që synon të krijojnë një rend shoqëror që përkon me projektin e shoqërisë së përsosur”.

“Deri në njëfarë shkalle, çifutët ishin pjesë e atij rregullimi shoqëror që do t’i shkatërronte ata. Ata ofruan një lidhje vitale në zinxhirin e veprimeve të bashkërenduara; veprimet e vetë çifutëve ishin një pjesë e nevojshme e tërë operacionit dhe një kusht i rëndësishëm për suksesin e tij. Gjenocidi “i zakonshëm” i ndan qartazi aktorët në vrasës dhe të vrarë; për të fundit qëndresa është e vetmja përgjigje e arsyeshme. Ndërsa në Holokaust ndarja nuk ishte e qartë. Të përfshirë në strukturën e përgjithshme të pushtetit, duke pasur detyra të gjera dhe funksione brenda tij, popullata e dënuar me sa duket kishte disa zgjedhje. Bashkëpunimi me armiqtë e betuar dhe vrasësit e ardhshëm kishte edhe ai një masë racionaliteti. Prandaj çifutët, duke u udhëhequr në veprimet e veta nga qëllimi racional i mbijetesës, luajtën lojën që donin shtypësve të tyre, ua lehtësuan detyrën këtyre dhe e sollën më pranë humbjen e plotë me duart e veta”.

“Sikurse e dimë sot, sado racionale që të ishte strategjia “shpëto ç’të mundesh”, ajo nuk i ndihmoi aspak viktimat. Në radhë të parë, ajo nuk ishte strategjia e viktimave, por shtojcë e strategjisë së shkatërrimit të hartuar prej atyre që ishin të vendosur për t’i asgjësuar çifutët. Ata që e përqafuan strategjinë “shpëto ç’të mundesh” ishin shënjestruar që më parë si viktima. Ata që i shënjestruan si viktima, krijuan një situatë në të cilën gjërat duheshin ruajtur që të ekzistonin dhe kështu u vu në veprim llogaritja e “zvogëlimit të humbjeve”, e “kostos së mbijetesës”, e “së keqes më të vogël”. Në një situatë të tillë, racionaliteti i viktimave ishte kthyer në armën e vrasësve. Mirëpo, gjithmonë racionaliteti i të sunduarve është një armë e sundimtarëve”.

“Lajmi më frikësues që solli Holokausti dhe ajo çfarë mësuam nga ekzekutuesit e tij nuk është se diçka e ngjashme mund të na ndodhë edhe neve, por ideja se edhe ne mund ta bëjmë atë”.

“Nëse pluralizmi nuk mund të eleminohet tërësisht nga shoqëria, organizatave me qëllime kriminale që kanë nevojë të sigurojnë një bindje të palëkundur të anëtarëve të tyre për kryerjen e veprimeve që janë dukshëm imorale, u duhet që të ngrenë pengesa të papërshkueshme e artificiale që i veçojnë anëtarët nga ndikimi “zbutës” i larmisë së standardeve dhe opinioneve. Zëri i ndërgjegjes morale të individit dëgjohet më mirë në gurgulenë e mosmarrëveshjeve shoqërore dhe politike.”

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here