Mitrovicë:Gjykata e urdhëron uzurpatorin Danillo Iliq t’ia lirojë shtëpinë Alush Alushit,serbët “në këmbë” për t’i gjetur banim

0

Familja 5-anëtarëshe e Danillo Iliqit është nxjerrë nga shtëpia e uzurpuar e shqiptarit Alush Alushi, nga Suhadolli i Mitrovicës, të premten në orët e hershme të mëngjesit.

Iliq, pjesëtar i MUP-it serb dhe pjesëtar i të ashtuquajturës “Roja të urës”, për të cilin vetë Alushi thotë se ka vrarë familjen e tij, dy djemtë dhe vëllanë me gjithë djalin e tij, ka liruar shtëpinë nën presion dhe me kërkesë të drejtuesve të Policisë së Kosovës në veri, posaçërisht të drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në veri, Nenad Gjuriq, dhe me kërkesë edhe të kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq.

Kështu të paktën ka thënë vetë Danillo Iliq derisa po largohej nga aty.

E gjithçka ishte përgatitur në atë mënyrë që të dukej sikur Iliq po e lëshonte shtëpinë vullnetarisht. Ai u ka thënë medieve se kishte pasur kontakte me strukturat policore dhe ato komunale të Mitrovicës së veriut të enjten në orët e mbrëmjes.

“Po, më ka thirrë edhe kryetari Rakiq dhe ka biseduar me mua. Nuk kam dashur, as miqtë e askë tjetër t’i ekspozojë rrezikut që të arrestohen, të maltretohen, ose që t’u ndodhë ndonjë gjë edhe më e rëndë.

Kjo është hera e katërt që kanë tentuar të më nxjerrin nga shtëpia. Tri herë deri më tani nuk kanë pasur sukses, sepse kemi arritur që të mbrohemi.

Tani kjo punë ka shkuar shumë larg dhe në këtë mënyrë nuk kam dashur ta rrezikojë jetën e ndokujt, ose që dikush të arrestohet, e për këtë punë ka pasur sinjale dhe janë përgatitur.

Jam tërhequr vetë dhe kjo ndoshta është më mirë”, ka thënë Iliq, i cili ka shtuar se 150 policë kanë qenë të gatshëm për ta nxjerrë jashtë me dhunë familjen e tij, nëse ai nuk do ta lëshonte shtëpinë vullnetarisht.

Danillo Iliq, i cili vetë i ka nxjerrë rrobat dhe gjësendet tjera nga shtëpia e uzurpuar e Alushit, ka ripërsëritur se atë e ka blerë para 13 vjetëve nga një grua serbe, ndërsa është ankuar se nuk ka gjetur askund strehë për të dhe familjen dhe se as ai vetë nuk di se ku do të shkojë.

Në anën tjetër, pronari i kësaj shtëpie, Alush Alushi, nga Suhadolli i Mitrovicës, u ka deklaruar para pak ditëve medieve lokale në Mitrovicë se shtëpinë e ka blerë në vitet e 80-ta dhe pos shtëpisë ka edhe dy lokale në veri, të cilat gjithashtu janë uzurpuar nga serbët e veriut.

Ai gjithashtu ka thënë se gjithë familjen e tij e ka vrarë gjatë luftës pikërisht Danillo Iliq, pjesëtar i MUP-it serb dhe pjesëtar i të ashtuquajturave “Roja të urës”. “Pasi ma ka vrarë gjithë familjen, dy djemtë e mi dhe vëllanë me gjithë djalë, ma ka uzurpuar edhe shtëpinë. Kjo ka ndodhur me 28 mars 1999, shkruan Zëri.

Ai ka menduar se krejt familja ime është vrarë dhe është zhdukur nga forcat serbe, por unë kam shpëtuar si dhe meshkuj të tjerë, kështu që nuk i lejojmë serbët që të na i marrin pronat në qendër të Mitrovicës së veriut”, ka deklaruar Alushi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here