Miratohet nga FDA kokteji i antitrupave, ilaçi që e shëroi Trumpin nga Covid

0

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Ilaçeve (FDA) lëshoi të shtunën autorizimin për përdorim urgjent të terapisë me antitrupa kundër COVID-19, të kompanisë farmaceutike Regeneron, i njëjti trajtim eksperimental që iu dha Presidentit Donald Trump dhe që ai tha se e ndihmoi të shërohej nga sëmundja.

Trajtimi është pjesë e një lloji barnash të njohura si antitrupa monoklonalë, që janë kopje të prodhura të antitrupave që prodhon trupi i njeriut për të luftuar infeksionet.

Kompania Regeneron tha të shtunën se provat klinike me pacientë jo të shtruar sugjerojnë se antitrupat monoklonalë si REGEN-COV2 japin rezultate më të mëdha kur jepen menjëherë pas diagnozës dhe tek ata pacientë të cilët sistemi imunitar i tyre ende nuk ka reaguar ndaj sëmundjes apo me ngarkesë të lartë virale.

Kompania tha se pret që deri në fund të këtij muaji të ketë doza të mjaftueshme për trajtimin me REGEN-COV2 të rreth 80 mijë pacientëve, ndërsa në javën e parë të janarit do të ketë doza për rreth 200 mijë pacientë të tjerë dhe për 300 mijë deri në fund të po atij muaji (janarit).

Shefi ekzekutiv i Regeneron, Dr. Leonard S. Schleifer, tha po ashtu se kërkesa fillimisht mund të tejkalojë furnizimin, “duke e bërë edhe më kritike që qeveritë federale dhe shtetërore të sigurojnë që REGEN-COV2 të shpërndahet në mënyrë të drejtë dhe të barabartë për pacientët më në nevojë”

“Kur përdoret për të trajtuar Covid-19 për popullatën e autorizuar, përfitimet e njohura dhe të mundshme të këtyre antitrupave tejkalojnë rreziqet e njohura dhe të mundshme”, tha FDA.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here