Ministrja austriake: “Çdo dy javë një aeroplan me të kthyer Austri-Kosovë”

0

 

PRISHTINË, 20 SHKURT – Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Isa Mustafa e ka pritur sot ministren Federale të Punëve të Brendshme të Republikës së Austrisë, Johanna Mikl-Leitner. Në një konferencë për media pas takimit kryeministri Isa Mustafa ka thënë se me ministren austriake u bisedua për proceset aktuale, sidomos për migrimin ilegal të qytetarëve të Kosovës në Austri, për trajtimin dhe për kthimin e tyre. Kryeministri Mustafa e ka njoftuar ministren se në Kosovë ka ndodhë një proces i pazakontë i një fluksi shumë të madh të njerëzve që kanë lëshuar Kosovën gjatë muajve të fundit të vitit 2014, dhe në muajin janar të viti 2015. “Kjo nuk është e zakonshme për vendin tonë. Ne përkundër kësaj që ka ndodhur do të marrim masa që të shohim arsyen që ka shtyrë të ndodhë ky fluks i migrimit. Nuk shohim asnjë arsye që njerëzit ta lëshojnë Kosovën dhe të kërkojnë azil në Austri dhe në vendet tjera. Ne marrim përgjegjësinë që të krijojmë kushte që qytetarët tanë të jetojnë këtu, të punojnë këtu. Po ashtu, kërkojmë që Austria dhe vendet tjera të Bashkimit Evropian, të na mbështesin në zhvillimin ekonomik të vendit, dhe në hapjen e vendeve të reja të punës me qëllim që të riintegrojmë të gjithë qytetarët tanë që tashmë e kanë lëshuar vendin dhe kanë shkuar në Austri”, ka deklaruar kryeministri. Ai ka shprehur përkrahje për qëndrimin e Qeverisë austriake që të mos jap azil ekonomik dhe politik për qytetarët e Kosovës. “Konsiderojmë se ata kanë siguri të plotë këtu dhe se Kosova është një vend i sigurt. Qytetarët tanë nuk mund të krahasohen në asnjë rast me ata që shpërngulen nga vatrat e luftës, siç është Siria dhe vendet tjera me konflikte, dhe që kërkojnë strehim në Austri ose në vendet tjera të Bashkimit Evropian. E përkrahim qasjen e publikimeve të Qeverisë austriake në gazetat e tyre dhe në gazetat tona, ku ata e bëjnë shumë të qartë se nuk do të ketë azil ekonomik për qytetarët e Kosovës në Austri. Qytetarët tanë duhet të kthehen sa më shpejt këtu dhe t’i integrojnë fëmijët e tyre në shkolla, nga ku i kanë nxjerr. Të gjithë ata që kanë pasur vende punë të vazhdojnë punën dhe të mos vazhdojmë me këtë gjendje, e cila është e dëmshme edhe për Kosovën edhe për vendet ku kanë migruar qytetarët tanë”, ka theksuar kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Ministrja Johanna Mikl-Leitner, ka thënë se “kjo valë e migrimit po i kontribuon dëmtimit të proceseve ekonomike në Kosovë, por ka ndikim edhe në proceset në Austri”. “Në javët dhe muajt e fundit e keni përcjellë edhe ju situatën, shumë kosovarë kanë ardhur në Austri kanë parashtruar kërkesën për azil. Në 2014 i kemi pas 1900 kërkesa për azil, ndërsa tani në këto javët e 2015-tës, i kemi më tepër se 1800 kërkesa për azil. Pra, e kemi diskutuar që nevojiten masa vepruese në këtë drejtim në mënyrë të veçantë mesazhe të qarta. Mesazhi im posaçërisht, përballë shoqërisë, është se ikja e kosovarëve nga vendi juaj duhet të merret me seriozitet. Nuk është e vërtetë që sapo të vini në Austri do ta keni pranimin e azilit dhe do ta gjeni një vend pune, nuk është e sigurt që do t’ju njihet kjo e drejtë edhe gjithçka do të vazhdoj si keni menduar ju. E vërteta është se Kosova është një vend i sigurt, është e sigurt që këtu nuk keni luftë, që këtu mund të jetoni mirë, edhe nëse kushtet e jetesës mund të jenë të vështira, para së gjithash jemi të vetëdijshëm që duhet të punohet në aspektin ekonomik, po pikërisht muajt në vazhdim dhe vitet e ardhshme janë vendimtare për ju. Ju paralajmëroj të mos ju besoni këtyre mashtruesve qëllimi i të cilëve është vetëm të pasurojnë veten e tyre. E dimë që gjithmonë qytetarët e Kosovës kanë paguar shumë që të shkojnë në Austri ose në vendet e Bashkimit Evropian, por që duhet të kthehen pas disa javësh madje kthehen edhe më të varfër se në kohën kur kanë ikur”, ka thënë ministrja Mikl-Leitner. Ajo ka shprehur përkrahjen e Austrisë për fuqizimin e perspektivës, për krijimin e kushteve më të mira të jetës dhe vende të reja të punës si dhe e ka vlerësuar faktin se edhe BE-ja do të jap ndihmesën e vet në këtë drejtim dhe është përqendruar në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ministrja Mikl-Leitner po ashtu ka bërë të ditur se Austria ka vendosur të marr masa përshpejtuese për trajtimin ose përpunimin e lëndëve të cilat kanë kërkuar azil, dhe se ato do të kryhen shumë më shpejt. “Kosova llogaritet edhe njihet si një vend i sigurt edhe stabil, prandaj të gjitha procedurat e kërkimit të azilit do të përmbyllen brenda 10 ditëve atje, prej momentit të kërkesës për azil. Me kryeministrin e diskutuam që është shumë e rëndësishme që shtetasit kosovarë të kthehen shumë shpejt në Kosovë, prandaj çdo 14 ditë do të organizohet një aeroplan me të kthyer për Kosovë, të cilët i pret një e ardhme më e mirë në Kosovë”, ka thënë ministrja. Ajo ka patur një takim sot edhe me presideten e Kosovës Atifete Jahjaga ku poashtu është trajtuar me prioritet tema e migrimit ilegal.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here