Ministria e Bujqësisë i mbështetë fermerët me 43 milionë euro sivjetë

0

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural(MBPZHR) sot e ka hapur periudhën për aplikim për grante dhe pagesa direkte për fermerët dhe agropërpunuesit në gjithë territorin e Kosovës. Buxheti i planifikuar për grante dhe pagesa direkte sipas njoftimit publik të kësaj ministrie është rreth 43 milionë euro. Për grante janë planifikuar 20 milionë euro, ndërkaq për pagesa direkte 23 milionë euro. Në njoftim është bërë me dije se këtë vit janë futur për subvencionim edhe sektorë të rinjë që do të mbështeten ndërkohë që është rritur edhe shuma e mjeteve për sektorët e deritashëm. Ministria e Bujqësisë, në programin e sivjetmë për bujqësinë dhe zhvillimin rural, ka paraparë subvencione për grurë, për farë gruri, për misër, për lulediell, për lopë dhe buallica qumështore, për dele dhe dhi, për qumësht sipas kategorive të cilësisë, për pulari, për bletari dhe për derrari. Sivjet për herë të parë do të ketë subvencione edhe për pemishtet ekzistuese si dhe për raportimin e therjeve të gjedheve. Ndërkaq, përmes granteve investive siq merret vesh sivjet do të përkrahet prodhimtaria e qumështit, mishit, brojlerëve dhe vezëve. Po ashtu përkrahje edhe sivjet do të ketë në agropërpunim përmes investimeve në pajisje dhe makineri për përpunimin, ruajtjen dhe marketingun e prodhimeve bujqësore, si dhe do të investohet edhe në diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e biznesit. Do të përkrahet edhe prodhimtaria e mjaltës, prodhimtaria e perimeve në fushë të hapur dhe serra, prodhimtaria e patates, prodhimtaria e mollës, dardhës, kumbullës, vishnjës, dredhëzës, mjedrës, manaferrës, boronicës, vreshtaria dhe bimët mjekuese. Gjithashtu, do të vazhdojë përkrahja e fermerëve për modernizimin e mekanizmit të tyre bujqësor dhe krahas gjitha këtyre, këtë vit përsëri investohet në projekte për ujitjen e tokave bujqësore. Sivjet përmes masës së diversifikimit të fermave dhe zhvillimit të bizneseve do të mbështetet edhe zhvillimi i turizmit rural dhe turizmit në fermë. Thirrjet për aplikim për këto masa janë hapur sot dhe periudha e aplikimit do të jetë e hapur 45 ditë nga dita e publikimit. Fermerët, thirrjet dhe dokumentet tjera përcjellëse do t’i gjejnë në webfaqen e Ministrisë dhe Agjencionit për Zhvillimin e Bujqësisë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here