Ministria e Arsimit ndau 732 bursa shtetërore për studentë

0

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, në një ceremoni solemne ka bërë ndarjen simbolike të 732 bursave shtetërore, të cilat këtë vit jepen për herë të parë, për studentët e dalluar të universiteteve publike të Kosovës.

Ministri Bajrami, para të gjithë përfituesve të bursave të MAShT, ka vlerësuar lartë rezultatet e këtyre studentëve, duke shprehur besimin se këta studentë do të jenë liderë të rinjë të së ardhmes.

“Ndihem krenar dhe me fat që në cilësinë e ministrit të Arsimit, të takoj studentët më të mirë të universiteteve publike të Kosovës dhe në emër të Qeverisë së Kosovës të ndaj bursat shtetërore, si një mirënjohje për gjeneratën e re, gjeneratë e cila i duhet Kosovës, gjeneratë e liderëve të rinjë, të cilët nesër do ta zhvillojnë shtetin tonë, ekonominë tonë, për ta bërë Kosovën krenare dhe pjesë të barabartë të Bashkimit Evropian”, theksoi ministri Bajrami.

Ai tha se fondi për ndarjen e bursave shtetërore është krijuar nga kursimet e buxhetit të Ministrisë, në funksion të zhvillimit të kuadrove të reja, ndërkaq ritheksoi se reforma në arsimin e lartë krijon gjenerata të përgatitura, të cilat sigurojnë familje të forta dhe mirëqenie shoqërore.

“Kosovës, ndër të tjera, i duhet edhe një tranzicion i gjeneratave. I duhen gjenerata, që mendojnë për teknologjitë e shek. 21, për të arriturat e internetit dhe përfshirjen e gjerë në tregun e punës. Për të ngritur këtë kauzë nuk ka gjë më të mirë se sa të sigurosh fonde shtetërore për të investuar në bursat e studentëve”, tha ministri Bajrami.

Nga janari i vitit 2016, theksoi ministri Bajrami, do të demonstrohet cilësi dhe do të prezantohen produktet e para të punës njëvjeçare të Ministrisë. Ndër të tjera, ministri Bajrami, theks të veçantë i ka kushtuar edhe orientimit të politikave të MAShT-it drejt avancimit të shkencave ekzakte dhe arsimit profesional.

Në fund, ministri Bajrami ka thënë se, vetëm gjatë këtij viti akademik janë dërguar për studime më shumë se 200 studentë në SHBA, Britani të Madhe dhe shtete të tjera, me financim të plotë të Qeverisë së Kosovës dhe qeverisë amerikane përmes USAID-it.

Ndërsa, studenti i Fakultetit Teknik (master), Bajram Reshati, falënderoi MAShT-in për kujdesin që ka treguar, për ndarjen e bursave për shkollimin e tyre dhe në emër të përfituesve të bursave ka premtuar se, do të angazhohen edhe më shumë dhe se ky investim do t’i kthehet Kosovës me arritjet e tyre në profesionet e caktuara.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here