Ministri Bajrami thotë se në shkollën e lartë të Pejës janë bërë shumë abuzime me dosjet

0

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturё, Rini dhe Sport, i Kuvendit të Kosovës i kryesuar nga Nait Hasani, kryetar, ka trajtuar sot çështje të ndryshme nga lëmia e arsimit. Duke e hapur debatin, Nait Hasani ka tërhequr vërejtjen se ditëve të fundit flitet për afera të ndryshme në lëmin e arsimit, siç është edhe ajo për falsifikimin e diplomave në Pejë dhe në Gjakovë. Ai ka përmendur edhe rastin e Shkollës së Policisë, e cila vepron e palicencuar. Në fjalën e tij ai e karakterizoi gjendjen në arsim , sidomos në atë superior, mjaft të rëndë. Edhe anëtarët tjerë të Komisionit ngritën shumë çështje e pyetje për ministrin e MASHTK-së Arsim Bajrami i cili ishte i pranishëm në takim. Vëmendja e diskutuesve u përqendrua sidomos në çështjen e falsifikimit të diplomave. U zunë në gojë dukuri të mbrojtjes së doktoratave pa kryer fakultetin. U përmend rasti i 20 personave që kanë mbrojtur doktoratat në universitetin ilegal ECPD, të cilët madje gjenden në pozita të ndryshme dhe avancohen. Ministri Arsim Bajrami ka theksuar se niveli i arsimimit në Kosovë është larg standardeve ndërkombëtare. Duke folur për çështjen e ngritur për 505 diploma false, ai tha se fjala është për Shkollën e Lartë të Pejës e jo për Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë. Madje, nuk është fjala për 505 diploma, por çështje sipas tij është regjistrimi i studentëve jashtë kritereve të konkursit. “Në këtë rast janë bërë shumë abuzime gjoja se kanë humbur dosjet, ndërsa pastaj ato janë kompletuar në mënyrë fiktive. Në këtë rast si gjykata ashtu edhe prokuroria kanë treguar neglizhencë”, ka thënë ministri Bajrami. Përkitazi me pyetjen rreth Universitetit në veri të Mitrovicës, ministri Bajrami ka thënë se ai universitet nuk ka licencë, ndaj diplomat e lëshuara nga ai nuk do të njihen.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here