Ministri Bajrami do të procedojë në Kuvend ligjin mbi Statusin e punëtorëve arsimor të viteve të 90-ta

0

Një ndër ligjet e para që Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami do të procedojë në Kuvend është edhe Ligji për Statusin e Punëtorëve të Arsimit Shqip gjatë viteve ‘90-ta.

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, tha për Radio Kosovën, se vendimi për shpërblimin e mësimdhënësve të viteve ’90-ta, është marrë nga qeverisja e kaluar, e cili ka dhënë premtimin se do të njihet puna e mësimdhënësve.

Ai theksoi se shumë shpejt do të procedojë këtë ligj në Kuvend, ku do të përfshihen të gjithë mësimdhënësit dhe ata që kontribuuan në shkollimin e rinisë së asaj periudhe.

“Edhe vet përfshihem në këtë ligj duke qenë se jam një nga protagonistët e mbijetesës së Universitetit. Ndër ligjet e para që unë do të procedoj ndoshta në tre mujorin e parë në Parlament do të jetë ky ligj, i cili praktikisht ka më shumë efekt moral, sepse e njeh stazhin e punës për gati një dekade për të gjithë mësimdhënësit të cilët kanë mbijetuar në kohën kur ne jemi ballafaquar me një gjenocid. Unë mendoj se kjo do të jetë një mirënjohje jo vetëm për mësimdhënësit, por ky ligj do të përfshijë edhe familjet, të cilët ndërtuan shkollat, i bënë shtëpitë e tyre shkolla.”

Ministri Bajrami, bëri të ditur se do të jenë disa nene, me të cilat edhe familjet embelamtike do të marrin mirënjohje shtetërore, për faktin se pikërisht mbijetesa nga viti ‘90 deri në vitin ‘99 ka qenë një fitore e madhe, sepse siç tha, është ruajtur populli nga një plan i shkatërrimit, apo shfarosjes masive.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, tha se gjatë verës së kaluar së bashku me një komision të Ministrisë së Arsimit kanë punuar në këtë draft-ligj, ku janë propozuar edhe përfitime të tjera për mësimdhënësit e viteve ’90-ta.

“I tëri ky ligj do të ketë dy elemente duke përfshirë edhe elementin moral. Me këtë ligj parashihet që mësimdhënësit e atyre viteve të shpallen persona të merituar për shtetësinë e Kosovës dhe me rastin e pensionimit të tyre, aq vite sa kanë punuar ne vitet e okupimit do të kenë benifite shtesë karshi pensionit që meritojnë, por edhe benifite tjera si në shëndetësi, udhëtim, etj.”

Draft-ligji për Statusin e Punëtorëve të Arsimit Shqip gjatë viteve 90-ta, u pat përgatitur nga Ministria e Arsimit, në vitin 2013, i cili u dorëzua në Qeveri dhe më pas është kthyer për disa rregullime.

Pritet që së shpejti të dërgohet në Qeveri e më pas për t’u miratuar në Kuvend. Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, janë rreth 22 mijë mësimdhënës të asaj periudhe si dhe rreth 3 mijë e 200 pronarë, që kanë liruar shtëpitë e tyre për procesin mësimor./RTK/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here