Mimoza Kusari:”Femra të mos konsiderohet pjesë minoritare, jemi 50 me 50 %”

0

Është mbajtur Konferenca Regjionale e Grupit të Grave Asambliste të Rajonit të Rrafshit të Dukagjinit me temën “ Gruaja dhe vendimmarrja në Komunë”. Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë në këtë konferencë se “ku ka dallime gjinore, nuk ka edhe shoqëri demokratike”. “Nuk duhet të ketë ndarje gjinore, apo gjininë femërore ta konsiderojmë si pjesë e shoqërisë minoritare kur në numër është 50 me 50 %.”, ka tërhequr vëmendjen ajo. “Shpesh më pyesin, pse e kam lënë nivelin qëndror dhe qeverisi në atë lokale. Unë e kam thënë se në qeverisjen lokale nuk ka politikë tjetër pos asaj lokale. Këtu ballafaqohemi me sfida të drejtpërdrejta, me probleme konkrete që prekin qytetarët çdo ditë. Në nivelin lokal je në vazhdimësi në kërkim të zgjidhjes së problemeve me të cilat ballafaqohet qytetari” ka thënë Kusari-Lila, gruaja e vetme kryetare në një komunë të Kosovës. Kryetarja Mimoza Kusari Lila ka thënë se Rrafshi i Dukagjinit është përballur me shumë vështirësi gjatë dhe pas luftës ndërkaq për tejkalimin e vështirësive në këtë rajon, sipas saj ka ndikuar me të madhe edhe fuqizimi i gruas në qeverisje lokale dhe vendimmarrja e saj. “Tek gruaja, qasja është më e fortë më e organizuar, dhe identifikimi i problemeve është më i saktë. Element tjetër i fuqizimit të gruas është edhe edukimi i saj, në këtë drejtim vetëm me punë, me mund dhe angazhim arrihen edhe sukseset. Betejat janë të përditshme dhe ato duhet të fitohen për çdo ditë”, ka thënë kryetarja e Gjakovës Mimoza Kusari-Lila.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here