Michel Platinin “politika” e mbështet për muri

0

Michel Platini nuk ka “çare” pa e mbajtur fjalën. Më së largu vitin tjetër, kreu i UEFA-s do ta pranojë Kosovën, pasi kjo i është kërkuar nga “lart”. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, posa e ka pranuar Kosovën, i ka vënë në lëvizje të gjitha Federatat

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) dhe Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), janë optimiste se futbolli kosovar do të pranohet shumë shpejt në Federatën Evropiane të Futbollit (UEFA), këtë vit, eventualisht vitin tjetër, siç u shpreh presidenti i shtëpisë së futbollit evropian të hënën, Michel Platini.

Deklarata e francezit është mirëpritur në Kosovë, madje befasoi, pasi gjithnjë qasja e tij ka qenë shumë negative karshi vendit tonë.

Mirëpo, kreu i KOK-ut, Besim Hasani thotë se është koha e fundit që UEFA t’i bëjë zgjidhje Kosovës. Madje, numri 1 i sportit kosovar shton se UEFA dhe FIFA kanë një lloj presioni nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC).

“Nuk do të thosha presion i pastër, por diçka e tillë po. Presidenti i IOC-së, Thomas Bach, i ka këshilluar dhe udhëzuar krerët e Federatave Ndërkombëtare, përfshirë edhe atë të FIFA-s, gjatë një forumi të mbajtur muaj më parë, që, pas pranimit të KOK-ut në KON, të gjitha Federatat sportive të Kosovës të pranohen ndërkombëtarisht. Kjo ka ndikuar gjithsesi në ndryshimin e qasjes edhe ndaj futbollit kosovar nga UEFA e FIFA”, u shpreh Hasani për “Zërin”.

Deklarata e fundit e kreut të UEFA-s, i ka pëlqyer Hasanit, i cili, pranimin e FFK-së vitin tjetër e sheh si periudhë ideale, edhe pse nuk habitet nëse një gjë e tillë do të ndodhte edhe sivjet.

“Deklaratat e Platinit na inkurajojnë. Ne e kemi ditur që Federata e Futbollit e ka më së vështiri të pranohet, pas pengesave që janë shfaqur në vazhdimësi. Prandaj, konsideroj se është një lajm i mirë dhe sukses, nëse pranimi ndodh në vitin 2016, ose edhe më herët, pse jo”, vijoi ai.

“Derisa është pranuar Komiteti Olimpik i Kosovës, nuk ka sens që një sport, që është nën ombrellën e tij, të mbetet jashtë. Prandaj, mund të ketë vetëm vonim, por jo edhe shpëtim. Federata e futbollit do të pranohet shpejt”, shtoi Hasani.

Për sivjet, Hasani thotë se do të ishte i kënaqur nëse e lejojnë Përfaqësuesen e Kosovës të futet në shortin e kualifikimeve për Botërorin 2018 dhe nëse i lejojnë klubet kosovare të marrin pjesë në garat ndërkombëtare nga edicioni i ardhshëm. “Ky do të ishte një lajm i shkëlqyer, pasi hap perspektivë për të rinjtë dhe do të ishte një sinjal se pranimi është afër”, përfundoi ai.

Presion edhe nga Ambasadat

“Zëri” mëson se përpos presionit që i kanë bërë Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe FIFA, UEFA-s, kohëve të fundit edhe ambasadat e huaja që veprojnë në Kosovë, kanë bërë trysni, duke e shfrytëzuar ndikimin e tyre, që të përshpejtohet pranimi i FFK-së në UEFA e FIFA.

FFK: Pranimi i KOK-ut, na hapi dyert

Drejtuesit e FFK-së mendojnë se pranimi i KOK-ut në IOC, po ia hap dyert një nga një të gjitha federatave, përfshirë këtu edhe asaj të futbollit, e cila e mori një lajm të mirë nga kreu i UEFA-s të hënën, i cili nuk e përjashtoi që ta fusë nën ombrellën e saj FFK-në vitin tjetër.

“Pranimi i Komitetit Olimpik të Kosovës ka ndikuar që UEFA të zbutet dhe të ketë qasje tjetër karshi futbollit kosovar. Gjithashtu, ka ndikuar edhe marrëveshja e Brukselit në mes Kosovës dhe Serbisë, që të mos e pengojnë njëra tjetrën në integrime në të gjitha sferat, por edhe këmbëngulja e jonë. Për këtë, UEFA e ka zbutur qëndrimin dhe presim të pranohemi”, thotë për gazetën, zëdhënësi i FFK-së, Fazli Berisha. /Zëri/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here