Meta: Ma përqafoni Doktorin!

0

Si asnjëherë më parë, Kuvendi nisi punimet e seancës fiks në ora 10:00, duke kapur në befasi deputetët e opozitës, të cilët nuk ishin të gjithë prezentë në sallë. Tensioni në sallë ishte i pranishëm dhe ndihej në sallë dhe në radhët e mazhorancës. Pasi hapi seancën, ku të pranishëm ishin Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e tij, kryeparlamentari Ilir Meta u shpreh se “sot është dita për të zbatuar Rregulloren”. Menjëherë fjalën e ka marrë deputeti i PD-së, Arben Ristani, i cili ka deklaruar se sot nuk është koha për të diskutuar për ligje, por e vetmja pikë e rendit të ditës është që kryeparlamentari Meta të japë dorëheqjen. “Ky djali nuk e di çfarë rregullorja! Ti ndërpritet fjala”, reagoi Meta. Kjo ka mjaftuar që opozita t’i rikthehet skenarit të një jave më parë që të pushtojë foltoren e Kuvendit në shenjë proteste ndaj kryeparlamentarit Meta. Në mënyrë të rrufeshme janë hedhur në votim 4 projektligjet, si dhe të zgjedhë kreun e Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli mbërriti me vonesë në seancë, e cila pasi la çantën në karrige, nisi të protestonte në foltoren e Kuvendit bashkë me kolegët e opozitës. “Shumë vonë është zgjuar kjo zonja, si shpjegohet? Kjo do të vijë edhe me dhunë në pushtet edhe zgjohet në orën 11:00. Ata të shkretët me 10-mijë lekësha janë zgjuar që në 5 të mëngjesit në autobusë. Zoti Braçe ti mos qesh, se ajo ka të drejtë që është vonuar se është zbukuruar për miting sot apo jo”, deklaroi Meta. Ndërsa Topalli reagonte se je kthyer në një kloun. Me 73 vota janë kaluar të gjitha draftet në mënyrë rrufe, duke bërë që ish-kryeministri Berisha të mos shkelte në sallën plenare, pasi seanca u mbyll. “Ju përshëndes. Ju uroj suksese për mitingun. Unë do shkoj në zyrën time, ju vazhdoni në punën tuaj. Respekte dhe të fala Doktorit. Të fala shumë Doktorit, ma përqafoni. Mirupafshim, faleminderit. Seancën e ardhshme do ta njoftoj në media. Jeni shumë të mirë, jeni të mrekullueshëm”, tha Meta në mbyllje të seancës, duke mos harruar që t’u drejtohet demokratëve me simbolin e tyre me dy gishta.

Shqip

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here