Meta flet për raportet brenda koalicionit dhe raportet me Ramën

0

Kryetari i Kuvendit, njëkohësisht lideri i LSI-së, Ilir Meta në intervistën e tij të parë për vitin 2016, foli për një seri temash, duke nisur nga çështja e shumëpërfolur e CEZ-it, marrëdhëniet brenda koalicionit të majtë, ndryshimet në qeveri, por edhe reformat e ndërmarra nga qeveria e majtë. I ftuar në emisionin “Studio e Hapur” në News 24, Meta u shpreh se spekulimet për ndryshimet në qeveri nisin që ditën e parë që qeveria betohet. Kryeparlamentari Ilir Meta u shpreh se Rama ka shprehur gjithmonë kënaqësi për rritjen e LSI-së. Sa i përket zgjedhjeve të ardhshme dhe qëndrimit në koalicion me Partinë Socialiste, kreu i LSI-së shprehu bindje për një vazhdimësi korrekte brenda të majtës.

Zoti Meta duket sikur kanë filluar zërat e parë të riflasin për tezën e vjetër të ndryshimeve në qeveri. A është e vërtetë kjo, LSI a po kërkon ndryshime në Qeveri?

Teza e ndryshimeve në qeveri në vendin tonë fillon menjëherë ditën e parë, pasi qeveria betohet, kështu që nuk është ndonjë temë që më çudit edhe më surprizon. Aq më tepër që kemi dhe gjithë këtë vakuum lajmesh, siç thatë dhe ju, se është dhe fillimi i vitit, kështu që është një tezë interesante për të mbushur gazetat.

Ju jeni të kënaqur me punën e ministrave tuaj?

Unë mendoj se gjithnjë ka vend për përmirësim.

A do ketë impulse të reja brenda radhëve të ministrave të LSI-së, a do ketë ndryshime me ministrat e LSI-së?

Nuk e shikoj çështjen e qeverisjes si çështje të LSI-së apo si të PS-së. E shikoj më gjerë dhe e theksoj se gjithmonë ka vend për përmirësime. Jam i bindur vetë Kryeministri është më i interesuar që të ketë përmirësime në gjithë funksionimin e qeverisë dhe të qeverisjes. Nuk besoj se vetë ministrat janë të lumtur dhe të vetëkënaqur, sepse problemet dhe sfidat me të cilat ndeshet vendi, ndeshet qeveria, janë shumë të mëdha.

Ju mendoni se do të ishte mirë të kishte një rifreskim të kabinetit qeveritar apo jo z. Meta?

Unë mendoj se gjithmonë ka vend për përmirësim. Çështja e rifreskimit është një çështje që i takon Kryeministrit dhe ai ka pasur dhe ka mbështetjen time, në çdo kohë që e gjykon këtë gjë.

A është e vërtetë që marrëdhëniet midis jush dhe z. Rama janë disi të ndera këtë kohë?

Kjo është si çështja e ndryshimeve në qeveri, që sa herë që nuk ka lajme më dinamike, më interesante, gjithmonë hapet çështja e marrëdhënieve Meta-Rama, siç hapej dikur në koalicionin me Partinë Demokratike, Meta-Berisha e kështu me radhë. Raportet tona mendoj se janë shumë të qëndrueshme, parimore dhe bashkëpunuese.

Të qëndrueshme mund të jenë edhe kur janë të ngrira. A janë të ngrira?

Sigurisht që në një gjendje të ngrirë nuk mund të ketë bashkëpunim. Unë thashë dhe të qëndrueshme dhe bashkëpunuese.

Si po bashkëpunoni, pasi ka zëra që koalicioni nuk funksionon realisht?

Unë nuk jam këtu për t’u marrë me gjithë zërat. Ne jemi një vend demokratik. Kemi shumë media, kemi shumë televizione, kemi shumë portale. Të gjithë janë të lirë të japin lajmet të cilat ata besojnë apo për të cilat edhe porositen ndonjëherë.

Nga pikëpamja politike sipas llogarive duhet të jetë z. Rama, i cili duhet të jetë i pakënaqur për rritjen e LSI? Kjo duhet të ishte logjike…

E para, z. Rama nuk ka shprehur asnjëherë pakënaqësi, por përkundrazi ka shprehur kënaqësi për rritjen e LSI-së. Mjafton t’i referohemi fjalëve të tij pas zgjedhjeve vendore dhe ju në një farë mënyre po bëni një spekulim, por jo për arsye kriminale, mafioze e kështu me radhë.

A jeni penduar që keni bërë koalicion me z. Rama? A ishte më mirë me z. Berisha?

Po më vë pak në vështirësi. Sepse e para njëherë koalicionet nuk i bëj unë, duket sikur janë gjëra personale. Koalicionet i bëjnë qytetarët shqiptarë. Kthehemi pak në 2009-n. Deri në fund unë dhe LSI kërkuam të ishim në koalicion me PS. Kjo është e padiskutueshme. Ishte PS që deri në fund insistoi për ta përjashtuar LSI-në nga koalicioni për eliminimin e saj përmes një sistemi zgjedhor dhe përjashtimit nga komisionet e votimit dhe të numërimit. Kjo është e vërteta. Në fund fare kishim 70 koalicioni i PD, 66 koalicioni i PS, 4 LSI-ja. Edhe ne kishim një koalicion tonin. 4 dhe 66 bënin 70. Për të bërë qeverinë duhen 71. Pra, dy rrugë kishte: ose konflikt deri në fund dhe pa fund ose një qeveri e vështirë, por që një qeveri që do të garantonte një stabilitet dhe unë them që e garantoi një stabilitet dhe bëri disa gjëra pozitive, përfshirë edhe liberalizimin e vizave që sot e gëzojnë shqiptarët edhe ishte një gjë që i shërbeu vendit. Tani jemi në një situatë tjetër, është një koalicion më i natyrshëm midis PS-së dhe LSI-së.

Nëse do t’i krahasonit të dyja, kush ishte koalicion më i mirë?

Këto janë aq të ndryshme sa është i ndryshëm z. Rama nga z. Berisha dhe aq të ngjashëm sa nuk janë të ngjashëm një kryeministër me një ish-kryeministër.

A ekziston një mundësi për prishjen e aleancës suaj me Kryeministrin aktual, z. Rama? Për çfarë ju do të ishit i gatshëm sot të prishnit këtë koalicion qeverisës?

Koalicioni bëhet mbi bazë të disa qëllimeve, në bazë të një programi dhe natyrisht që koalicionet nuk janë të lehta, sepse duhet të përputhen interesat kryesore të partive. Një parti ka prioritet një çështje të caktuar, një tjetër ka një çështje tjetër e kështu me radhë. Dhe ne kemi treguar gjithmonë përgjegjshmëri dhe fleksibilitet për të pasur stabilitet për t’i shërbyer integrimit europian, euro-atlantik e kështu me radhë dhe në këtë drejtim vetëm për çështje madhore e programore koalicioni mund të kishte probleme. Ashtu sikurse në koalicionin me z. Berisha në katër vjet kemi pasur mosadakordësi për shumë çështje, por vetëm për një çështje që mund të krijonte problem në raport midis Shqipërisë dhe NATO-s mund të prishej koalicioni dhe kjo nuk është një gjë që ka mbetur sekret. Kështu që, për çështje madhore po, është çështje e interesit të qytetarëve shqiptarë, por për çështje nga këto që shikoni e dëgjoni ju në gazeta nuk prishet koalicioni.

Pra, skenari i zgjedhjeve të parakohshme për shkak se koalicioni qeverisës do të prishet, pasi Rama dhe Meta nuk do të jenë më dakord për çështje të caktuara nuk qëndron? Me Edi Ramën do të jeni në koalicion në zgjedhjet e ardhshme?

Ne kemi punë më të rëndësishme, zgjedhjet janë në 2017-n. Ne jemi në një koalicion dhe i qëndrojmë koalicionit, ne kemi treguar se dimë t’i qëndrojmë marrëveshjeve. Jo më kot thuhet “lum kush bën marrëveshje me LSI-në”, në kuptimin që LSI-ja ka seriozitet, u qëndron pakteve, u qëndron marrëveshjeve.

Me z. Berisha e mbyllët para kohe marrëveshjen z. Meta….

Jo, e mbyllëm në kohë. E mbyllëm pikërisht pak ditë para se të regjistroheshin partitë në KQZ për zgjedhjet. Jo vetëm kaq, se nuk i thotë z. Berisha të gjitha dhe unë kam qenë shumë korrekt me të. Koalicioni është shpallur kur është bërë, nuk ka pasur koalicion më përpara, absolutisht. Mund t’iu them ju dhe gjithë të tjerëve që ideja ime ka qenë për të dalë një alternativë më vete, pra për të vazhduar në qeveri, por për arsye se disa kolegë të tjerë të disa partive hezituan, u ndoq një rrugë tjetër dhe natyrisht këto ishin vendime kolegjiale. Ishin vendime të LSI-së, sepse nuk mund të jenë vendime personale, por Doktorit i kam thënë këtë gjë: të falënderoj për bashkëpunimin dhe e dyta mos ki asnjë shqetësim, sepse ne këtë qeveri kështu siç është do ta mbështesim deri në fund. Pra, nuk është se do të bëjmë ndonjë komplot, duke bashkuar votat me PS-në për të ndryshuar qeverinë para zgjedhjeve, etj.

Pra, ju do t’i qëndroni njësoj edhe koalicionit me z. Edi Rama?

Nuk ka pasur ndonjëherë ndonjë rast kur ne nuk i kemi qëndruar marrëveshjeve dhe nuk do duhet t’i shkojë ndokujt në mendje që ne nuk i qëndrojmë marrëveshjeve. Është një nga karakteristikat kryesore pse LSI-ja besohet dhe votohet. I qëndron marrëveshjeve me qytetarët, i qëndron marrëveshjeve në koalicion, kur bashkëpunon, bashkëpunon dhe kur lufton, lufton.

Reforma në drejtësi, me konsensus

A e do Ilir Meta reformën në drejtësi më shumë sesa Rama?

Më shumë nga të gjithë. Sepse vendi e ka të domosdoshme këtë reformë. Sepse ne e dimë që funksionimi i drejtësisë është mjaft problematik. Mjafton të lexojmë progres-raportin e KE-së në këtë drejtim, përveç shqetësimeve të qytetarëve. Absolutisht që Ilir Meta dhe LSI, jo vetëm që nuk kanë diçka për të mbrojtur nga sistemi aktual i drejtësisë, por as nuk kanë ndonjë synim që të kapin sistemin e drejtësisë për qëllimin e tyre. Ilir Meta ka qenë kryeministër dhe ju e dini shumë mirë se asnjëherë nuk është përpjekur ta përdorë drejtësinë kundër kundërshtarëve politikë. Së dyti, ju e dini që Ilir Meta është akuzuar politikisht dhe drejtësia është përdorur politikisht kundër Ilir Metës dhe Ilir Meta nuk e ka pasur fare problem për tu ballafaquar me drejtësinë sepse në fund fare vlejnë faktet, vlejnë provat dhe nuk vlejnë as thashethemet, as intrigat dhe as fabrikimet. Edhe për çështjen konkrete LSI ka qenë që në fillim për këtë gjë dhe ka qenë për konsensusin dhe ka qenë e bindur që konsensusi do të vijë vetëm nga “Venecia”, sepse “Venecias” nuk i ikën dot as Doktori. Reforma në drejtësi tashmë kërkon një transparencë dhe një vizion që duhet të vijë këtu tek studioja juaj sepse ende qytetarët nuk e kanë të qartë se çfarë do të përfitojnë ata në mënyrë të drejtpërdrejtë. Këtu duhet të vijnë ekspertët ndërkombëtarë, shqiptarë, të opozitës, të mazhorancës e kështu me radhë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here