Mësuesit në Virgjinia të SHBA-së organizojnë protestë, kërkojnë paga më të mëdha

0

Sarah Pedersen dhe bashkëshorti i saj kishin besuar se karriera e mësimdhënësit do t’ua ofronte atyre një stabilitet financiar për krijimin e një familjeje të madhe. Me kalimin e kohës, ata e kuptuan realitetin. Çifti që e kryen këtë profesion në tetë vjetët e fundit nuk po mund t’i mbulojnë shpenzimet për fëmijën e dytë të familjes.

“Familja e madhe që e kishim planifikuar nuk është e mundur. Nuk mund të krijojmë familje me shumë fëmijë”, tha Pedersen, e cila e ka një vajzë njëvjeçare. Rritja e pagës është njëra nga kërkesat që ajo dhe mësuesit tjerë të Virgjinias do t’i parashtrojnë sot gjatë marshit njëditor. Ky organizim është shembulli më i ri i reagimit të mësuesve në SHBA për mungesën e fondeve të mjaftueshme për shkollat publike.

Kërkesat për më shumë mjete financiare për shkollat kanë qenë pjesë e thirrjeve të mësuesve edhe në pjesë të tjera të Shteteve të Bashkuara, përfshirë Los Angelesin, Virgjinian Perëndimore, Oklahoman dhe Karlinën Veriore. Ata po kërkojnë rritje të pagave, shtim të numrit të mësimdhënësve në shkolla dhe rritje të fondeve për shkollat në përgjithësi.

Ndryshe nga rajonet tjera, marshi i mësuesve të Virgjinias nuk pritet të zgjasë disa ditë. Mësuesja Pedersen ankohet se shkolla e saj ka problem me printerët, fotokopjen dhe qasjen në internet, shkruan “The Washington Post”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here