“Mendoj për ty”, një film për gratë e dhunuara në luftën e Kosovës

0

Është shfaqur sot në qendrën COD, në Kryeministri, premiera e filmit dokumentar “Mendoj për ty”, i cili u kushtohet grave viktima të dhunës në Kosovë gjatë luftës së vitit 1999.

Shfaqja e këtij filmi në Tiranë është bërë me nismën e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në bashkëpunim me qendrën COD, Institutin për Kontratën Sociale dhe nën kujdesin e veçantë të presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Përveç Jahjagës, të pranishëm në premierën e këtij filmi ishin edhe zëvendëskryeministri Niko Peleshi, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj, kryetarja e komisionit të Jashtëm, Arta Dade, kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu, deputetë të parlamentit shqiptar, përfaqësues të trupit diplomatik, producentja Anna di Lellio, si dhe përfaqësuese të grave viktima të dhunës në Kosovë.

Fjalën hapëse të këtij aktiviteti e mbajti presidentja Jahjaga, e cila është edhe drejtuese e Këshillit Kombëtar të Kosovës për të Mbijetuarat e Dhunës Seksuale. Ajo theksoi se kjo nismë synon të krijojë një hapësirë bashkëbisedimi, mirëkuptimi e drejtësie për një pjesë të ndjeshme të shoqërisë sonë të luftës në Kosovë. “Rrëfimi i sotëm është një rrëfim i rëndë i një padrejtësie të madhe të ushtruar mbi popullatën e pafajshme të Kosovës, të mizorisë së një krimi lufte që synoi t’u cenonte dinjitetin mijëra vajzave dhe grave, të ngjallte ndjenjën e frikës dhe shtypjes, të nxiste shpërnguljen masive, i cili mbi të gjitha synonte të zhvishte një shoqëri të tërë nga vlerat e saj njerëzore. Aktet çnjerëzore lanë pas një dhimbje të pashtershme të ëndrrave të lëna përgjysmë, të një jete që nuk u arrit të jetohej kurrë, të një paragjykimi që jetoi gjatë mbi supet e tyre”, theksoi Jahjaga.

Në vlerësimin e tij, zëvendëskryeministri Niko Peleshi evidentoi si një gjetje mjaft të goditur nismën, e cila sipas tij përcjell një mesazh të fuqishëm në mbështetje të të gjitha atyre grave që mbetën viktima të luftës dhe dhunës shumë vite më parë. “Ky instalacion, i cili pa fjalë, por me një fuqi të madhe, ngre zërin për t’u dëgjuar. Projekti ‘Mendoj për ty’, i shndërruar në një fushatë të vërtetë ndërgjegjësimi për të njohur tmerrin dhe dhimbjen e heshtur dhe më pas për të reflektuar për të, na bën të mendojmë për të shkuarën me sytë nga e ardhmja. Ballkani shpesh i trazuar nga konfliktet po përjeton sot një fazë të re të historisë së tij, atë të ndërveprimit mes vendeve fqinje për të ndërtuar rrugën e përbashkët për në BE”, tha Peleshi.

Klosi-JahjagaPas shfaqjes së filmit, të pranishmit i përshëndeti edhe ministri i MSR-së, Blendi Klosi, i cili u shpreh se për luftën e Kosovës mund të thuhet shumë, por fjalët vështirë se mund të tregojnë atë çfarë provon kur kujton, sheh apo mëson se me çfarë makabritetesh janë përballur qytetarët kosovarë dhe në mënyrë të veçantë gratë gjatë atyre viteve. “Jam vërtet i prekur nga ky film që sapo pamë. Si njeri në radhë të parë, si djalë i një nëne, si bashkëshort i një gruaje dhe si baba i një vajze, por edhe si përfaqësues i politikës, më shtohet respekti për guximin dhe forcën që ju ka karakterizuar në çdo hap, si dhe krenaria për bashkëkombëset e mija fisnike, që nuk u tutën në luftë e që vigjilojnë në paqe”, u shpreh ai.

Më tej Klosi shtoi se, pavarësisht konflikteve të armatosura, dhuna, e çfarëdolloji qoftë ajo ndaj grave, nuk mund të justifikohet: “Tek kujtohet kalvari i vuajtjeve e çmimi tepër i lartë i paguar nga të mbijetuarat e dhunës, përfshirë dhe dhunën seksuale, siç bashkojmë mendimet, po kështu duhet të bashkojmë edhe forcat për të qenë gjithmonë pranë tyre, tashmë me shërbime e mundësitë që u duhen ofruar për të rikuperuar dhimbjen e për të rifilluar një jetë të qetë e në paqe”. Në këtë kuadër, ai theksoi se këto nisma duhet të shërbejnë që ngjarje të tilla të mos përsëriten në vatra të tjera të konfliktit. “’Mendoj për ty’ shpreh shumë më shumë se mijëra fjalë dhe e trajtuar me mençuri, tregoi se mund të shndërrohet në një lëvizje që i tejkalon kufijtë e një shteti, të një vendi që është nën konflikt dhe bëhet lëvizje e fuqishme për të parandaluar që krime të tilla të ndodhin në vende të tjera, si dhe që bashkon shumë zëra në mbrojtje të të drejtave të grave dhe vajzave nga çdo dhunë”, përfundoi Klosi fjalën e tij.

Gjatë vitit 2015, artistja kosovare (që jeton në Londër) Alketa Mrripa-Xhafa dhe producentja italo-amerikane Anna di Lellio, organizuan një projekt artistik kushtuar grave viktima të dhunës në Kosovë gjatë vitit 1999. Projekti titullohej “Mendoj për Ty/Thinking of You”. Ky projekt u zhvillua nën kujdestarinë dhe me pjesëmarrjen aktive të Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Këshillit Kombëtar të Kosovës për të Mbijetuarat e Dhunës Seksuale, të cilin ajo e ka ngritur dhe e udhëheq. Projekti u shndërrua në një fushatë ndërgjegjësimi në të gjithë Kosovën dhe përtej saj lidhur me këto gra e vajza, të cilat ende sot kanë nevojë për mbështetje. Organizatorët e këtij projekti përgatitën edhe një film dokumentar, i cili paraqet zhvillimin e fushatës dhe e shfrytëzon këtë gjë për të folur edhe një herë lidhur me të drejtat e nevojat e grave dhe vajzave viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Filmi është shfaqur si premierë në Prishtinë, Nju-Jork (New School University) dhe në Bolonjë të Italisë. Shumë gra dhe burra në Kosovë e jashtë saj dhuruan fustane e funde, që shërbyen për të ngritur një instalacion në fushën e stadiumit ntë Prishtinës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here