Mendime shpërputhëse për vizitën e kryeministrit serb, Vucic, në Kosovë

0

Vizita e kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vucic, në Kosovë vazhdon të mbetet e paqartë për opinionin. Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës nuk ka sqaruar përmbajtjen e kërkesës së palës serbe dhe as vendimin për lejeqëndrim.

Kjo ministri ka treguar vetëm arsyet e kësaj vizite, që sipas saj, janë festat e fundvitit dhe fillimvitit. Vizita e tij është paraparë 12-14 janar, me rastin e Vitit të Ri serb që është me 13 janar.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi,  i pyetur rreth vizitës së Vucic-it në Kosovë, ka thënë se ardhja e tij në Kosovë është një vizitë e zakonshme dhe nuk duhet frikësuar askush nga ajo.

Ai në një konferencë për media pas takimit me homologun e tij shqiptar, Ditmir Bushati, ka thënë se vizita e kryeministri serb bëhet me lejen e autoriteteve kosovare.

“Nuk është vizita e parë dhe as e fundit. Këto vizita po ndodhin pas vizitave të ministrave kosovarë në Beograd. Pra, janë gati normale, të zakonshme, ndërmjet dy shteteve. Është një vizitë e karakterit humanitar dhe fetar dhe ne do të përpiqemi sesi t’i rrisim dhe intensifikojmë vizitat e ndërsjella dhe të mos i frikësohemi komunikimit”, ka thënë Thaçi.

Ai më tej ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk e di agjendën e kryeministrit serb, “ai ka agjendën e vet, ne tonën”.

Sipas Thaçit, ka deklarata që nuk pëlqehen po ata jetojnë në këtë rajon dhe duhet punuar që të kapërcehet  e kaluara me shikim  drejt së ardhmes.

Por, vizita e kryeministrit serb, Aleksandar Vucic, po konsiderohet si provokim nga deputetja Alma Lama, nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ajo ka thënë se Kosova është shtet tjetër dhe nuk duhet të lejojë autoritetet e vendeve tjera të hyjnë e të dalin kur të duan në territorin e saj.

“Kanë qenë autoritetet ndërkombëtare që deri tani ua kanë mundësuar autoriteteve zyrtare serbe një gjë të tille, por kjo është e papranueshme. Vizita e Vucic-it, sikur asgjë të mos flasë është provokim, dhe ardhja e tij ka këtë qellim, provokimin dhe injorimin e shtetit të Kosovës. Mendoj se Qeveria e Kosovës duhet t’i thotë jo kësaj vizite”, ka shkruar Lama në Facebook.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here