Memli Krasniqi në Francë me mbi 30 ministra të bujqësisë

0

PRISHTINË, 21 SHKURT – Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka zhvilluar dje dhe sot një vizitë në Paris, me ftesë të homologut francez Stephane Le Foll. Në konferencën e ministrave, të mbajtur dje, ku kanë marrë pjesë mbi 30 ministra të bujqësisë, me temën “Bujqësia përballë ndryshimeve klimatike”, Ministri Krasniqi ka zhvilluar takime me homologë të ndryshëm nga vendet evropiane ku është folur për rritjen e mundësive të bashkëpunimit. Sipas një njoftimi nga Ministria e Bujqësisë në bisedë me ministrin francez Le Foll, ministri Krasniqi ka shprehur dëshirën dhe përkushtimin që bashkëpunimi në fushën e bujqësisë në mes dy vendeve të rritet, duke pasur parasysh që Franca është një vend lider në prodhimin dhe përpunimin e produkteve bujqësore. “Ne po përpiqemi që të ndjekim dhe të zbatojmë praktikat më të mira evropiane në bujqësi dhe zhvillim rural, andaj ndihma e Francës në këtë drejtim do të jetë shumë e çmuar për institucionet tona, por edhe për fermerët tanë”, ka thënë ministri Krasniqi. Punimet e konferencës, janë mbyllur me një fjalim nga Presidenti i Republikës së Francës, François Hollande. Ministri Krasniqi është takuar edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës për Ushqim dhe Bujqësi të Kombeve të Bashkuara (FAO), Graziano da Silva. Ministri Krasniqi e ka falenderuar sekretarin e FAO-së për mbështetjen që FAO ka dhënë për Kosovën, në veçanti përmes projekteve konkrete në fushën e pylltarisë. Njëkohësisht ai e ka shprehur gatishmërinë që bashkëpunimi me FAO-n të rritet dhe të zgjerohet edhe në fusha të tjera. Sot ministri Krasniqi, i shoqëruar nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Paris, Muhamedin Kullashi, ka marrë pjesë në inaugurimin e edicionit të 52-të të Sallonit Ndërkombëtar të Bujqësisë, që është hapur zyrtarisht nga Presidenti francez Hollande. Gjatë vizitës në Panair, ministri Krasniqi ka takuar përfaqësues të institucioneve të ndryshme të ndërlidhura me bujqësinë në Francë, e po ashtu edhe shoqata të prodhuesve dhe të përpunuesve, para të cilëve ka prezantuar zhvillimet e përgjithshme në fushën e bujqësisë në Kosovë, si dhe ka shqyrtuar mundësitë për inicimin e bashkëpunimeve në sektorë të ndryshëm të bujqësisë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here