Meçe për Kumanovën: Nuk është bërë transparencë, hetimi i vonuar

0

Të drejtat e komunitetit shqiptar, sidomos në Serbi dhe Maqedoni nuk po zbatohen ashtu siç duhet.

Rasti i fundit në Kumanovë e ka treguar më së miri këtë problematikë që duket se rrjedh më së shumti nga moszbatimi i Marrëveshjes së Ohrit.

I këtij mendimi është drejtoresha e Komitetit Shqiptar të Helsinkit Vjollca Meçe e cila në një intervistë për KosovaPress thotë se Marrëveshja e Ohrit nuk duhet parë dhe trajtuar si një kontratë e thjeshtë, por si një marrëveshje serioze, ku shtetet që kanë aderuar në të duhet ta zbatojmë dhe ta marrin më seriozisht.

Lidhur me respektimin e të drejtave të minoriteteve ajo thotë se ka raste pozitive por edhe raste negative, ndërkohë që bën apel për transparencë dhe hetim sa më të shpejtë të ngjarjes së Kumanovës.

“Ka raste pozitive, ka raste problematike. E ndoqëm me shumë shqetësim situatën dhe ngjarjet në Maqedoni, Kumanovë, dhe na tronditën së tepërmi. Transparenca nuk duket se është bërë ashtu si duhet, gjithsesi atje jetë njerëzish kanë humbur, pasuri e njerë zve dhe në përgjithësi tërë jeta e atij komuniteti është tronditur thellësisht. Si hetim është i vonuar, unë mendoj se veçanërisht për rajonin e Ballkanit veçanërisht për pjesën jugperëndimore të Ballkanit është tepër e rëndësishme që ngjarje të tilla të hetohen sa më shpejt; e para të parandalohen; pra të gjithë në radhë të parë, shtetet palë, por edhe shoqëritë duhet të bëjnë përpjekje ti evitojnë konflikte të tilla; së dyti nëse ato ndodhin për një arsye ose një tjetër, hetimi i tyre dhe nxjerrja e rezultateve duhet të jetë sa më e shpejtë të jetë e mundur. Idetë pragmatiste të forcave politike, se çudia më e madhe tre ditë zgjat dhe harrohet ,këto janë të gabuara. Historia ka treguar se popujt tanë e mbajnë plagën brenda dhe këto plagë majisen dhe krijojnë problematika në vazhdimësi. Bashkëjetesa dhe integrimi i përbashkët drejt njëri-tjetrit dhe Evropës së bashkuar kërkojnë që ne çështjet ti shqyrtojmë dhe ti analizojmë me mirëkuptimin dhe me hapjen karshi njëri-tjetrit, t’ia vëmë pikën i-së atje ku duhet dhe sa më shpejt me qëllim që të mos mbarten problematika dhe ato të mos agravohen me kalimin e kohës,” tha Vjolla Meçe, drejtoreshë e KSHH-së.

Mosbatimi i Marrëveshjes sa Ohrit ka çuar në konflikte të tilla dhe në mungesën e stabilitetit në Maqedoni.

Meçe thotë se të gjitha shtetet që aderojnë në këtë marrëveshje kanë përgjegjësi për zbatimin e saj dhe po ashtu ndaj pakicave kombëtare brenda territorit dhe jashtë tij.

“Shtetet përkatëse që kanë aderuar kanë përgjegjësi për ta zbatuar. Secila në kuadër të veprimtarisë që zhvillon duhet të jap kontribut për zbatimin e marrëveshjes dhe sigurisht nuk ndalemi vetëm këtu por dhe duhet tu kërkojmë partnerëve tanë nëpërmjet veprimtarive që ata zhvillojnë, kontakteve pasi shtetet kanë forma të ndryshme kontakti ta nxitin njëri-tjetrin për ta zbatuar marrëveshjen, në forma sigurisht paqësore sepse ajo është një marrëveshje. Marrëveshjet bilaterale pra nuk janë si kontratat që bëjnë qytetarët por janë të tilla ku shtetet tregojnë seriozitetin e tyre kur ndërmarrin një marrëveshje dhe e zbatojnë atë. Por nga ana tjetër duke qenë se në Ballkan kështu janë ndërthurur popullatat çdo shtet i cili është sovran brenda shtetit të vet ka edhe një pakicë kombëtare e cila jeton jashtë territorit. Kështu ndodh me shqiptarët të cilët jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë ose Republikës së Kosovës, po kështu ndodh edhe me shtetas maqedonas të cilët jetojnë brenda shtetit të Maqedonisë por edhe brenda Shqipërisë ose në vende të tjera në Bullgari apo diku tjetër. Kështu që reciprokisht ne j apim edhe shembullin tonë duke respektuar pakicat kombëtare brenda vendit por edhe duke kërkuar dhe duke iu dhënë mbështetje pakicave kombëtare të shtetit tënd apo nacionalitetit tënd në shtetet e tjera,” tha Vjollca Meçe ,drejtoreshë e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Kujdesi dhe vëmendja që duhet treguar ndaj pakicave kombëtare mbi të gjithë është një detyrë kushtetuese, edhe në rastin e Shqipërisë, thotë Meçe.

Drejtoresha e Komitetit Shqiptar të Helsinkit nënvizon po ashtu edhe faktin se pakicat kombëtare pavarësisht etnisë së tyre; shqiptar; serb; maqedonas apo grek, duhen parë nga autoritetet e vendit ku jetojnë si qytetarë, si njerëz me të drejta të barabarta, pa bërë dallime e diskriminime, pasi vetëm trajtimi i shtetasve me të drejta të barabarta është dëshmi e shteteve demokratike.

“Për Republikën e Shqipërisë kjo është edhe një detyrë kushtetuese e shtetit shqiptar, i cili duhet të jetë i vëmendshëm; i kujdesshëm, ti ndihmojë për të ruajtur gjuhën, ti ndihmojë me literaturë, për të ruajtur traditat, kulturën për ta afruar popullatën e të dy vendeve sepse duke qenë i njëjti komb ne duhet të kemi marrëdhënie të mira me shqiptarët që jetojnë jashtë trojeve të Republikës së Shqipërisë. Po të njëjtën gjë duhet të lehtësojnë dhe të mundësojnë edhe për pakica të tjera kombëtare sepse në fund të fundit tejet të qenit shqiptar, maqedonas, serb ose me një etni tjetër, jemi qenie njerëzore dhe si të tilla duhet të trajtohemi nga çdo autoritet publik që ka sovranitetin mbi vendin ku jetojmë; jemi qenie njerëzore dhe kjo është baza e demokracisë dhe si të tilla duhet të respektohemi kudo ku jetojmë dhe në çdo situatë dhe rrethanë ,” tha më tej zonja Vjollca Meçe.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit është pjesë e rrjeteve rajonale të shoqërisë civile ku përcjellin informacione reciprokisht për ngjarje dhe situata të caktuara, nga ana tjetër KSHH është dhe shumë i vëmendshëm ndaj fakteve që parashtron media./Kosovapress/
Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/mece-per-kumanoven-nuk-eshte-bere-transparence-hetimi-i-vonuar-106198/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here