Me një akademi për heroin Sali Çekaj përmbyllen “Ditët e Shqipes”

0

Në nderim të komandantit Sali Çekaj, sot në Prishtinë u mbajt një akademi përkujtimore organizuar nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa. Përfaqësues të institucioneve, ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bashkëveprimtarë të komandantit e familjarë të tij, përkujtuan sot Sali Çekajn, si një luftëtar, vepra e të cilit nuk do të vdes asnjëherë. Djali i komandantit Sali Çekaj, Hysen Çekaj, gjatë fjalimit, shprehu keqardhjen e tij që këto përkujtime tradicionale po mbahen në rrethana të tilla, që ai i quajti “të hidhura dhe po e zbehin veprën e dëshmorëve”. “Sivjet, edhe sikur vitet e tjera, më vjen keq që përkujtimet, tashmë tradicionale kushtuar thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar, po mbahen në rrethana tejet të hidhura dhe kontraverse, të cilat fatkeqësisht jo vetëm pak po kontribuojnë në zbehjen e veprës së dëshmorëve tonë. Personalisht kam qenë dhe jam i mendimit që neve, si familje të dëshmorëve nuk na takon të përzihemi në çështje, sidomos politike, për të cilat bashkëkombësit tonë, kanë zgjedhur personat përgjegjës. Mirëpo, iu kisha lutë institucioneve të shtetit tonë të dashur, që mundësisht të iu shmangemi polemikave të cilat dërgojnë drejtë ndarjes së dëshmorëve dhe veteranëve, sipas kritereve, që atyre gjatë luftës aspak nuk iu kishin interesuar. Ata, si patriotë të vërtetë, kishin vetëm një kriter, një parim, një qëllim, mbrojtjen e popullit tonë dhe pavarësinë e Kosovës. Asgjë tjetër”, tha ai. Për jetën dhe veprën e komandat Sali Çekaj, foli edhe Bajram Zeqiri nga Brigada 138. Ai përkujtoi se Sali Çekaj dhe Rrustem Broqi, zyrtarisht implementonin nenet e kushtetutës së Kaçanikut, mbi themelet e saj, të drejtën juridike për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, me mision mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës. Për Sali Çekajn, foli edhe Haki Demolli, ministër i Ministrisë së Forcave dhe Sigurisë së Kosovës. Ai përkujtoi se Sali Çekaj besonte se me Betejën e Koshares do t’i vihej fundit kufirit artificial Kosovë-Shqipëri. “Do t’i gëzohej humbjeve të mëdha të forcave ushtarake dhe paramilitare serbe. Të shihte fillimin e humbjes përfundimtare të ushtrisë së Serbisë, si dhe të shihte fillimin e çlirimit definitiv të Kosovës. Por, komandant Çekaj nuk e përjetoj çlirimin përfundimtar të Kosovës, sepse pikërisht me 19 prill të vitit 1999 ai bjen heroikisht në Betejën e Koshares. Trimi i pa epur Sali Çekaj bjen në fushën e betejës për të mos vdekur kurrë, sepse derdhi gjakun e tij për lirinë e popullit dhe vendit tonë, duke vendosur kështu gurëthemelin e shtetit tonë”, tha ai. Demolli tha më tutje se Sali Çekaj do të mbetet përjetësisht në mendjen e popullit të Kosovës. I pranishëm në këtë akademi ishte edhe ish-komandanti i Zonës së Dukagjinit, tash kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Betejën e Koshares, ai e cilësoi si kulm të shtëpisë apo pavarësisë së shtetit të Kosovës. “Beteja e Koshares, Epopeja e Koshares, është kulmi i shtëpisë sonë, i pavarësisë sonë si shtet. Pa këtë betejë, jo për me thanë që lufta jonë për liri ishte e mangët, por ndoshta shtëpia jonë mund të ishte ndryshe. Për këtë, edhe unë edhe të gjithë ne e kemi për nderë të lartësojmë veprën e Sali Çekajt, me lartësua veprën e atyre që përmes Brigadës 138 e vendosën fundin e luftës, e veçanërisht atyre që janë flijuar”, tha ai. Në Akademi mori pjesë edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa. Ky ishte aktiviteti i fundit në kuadër të Manifestimit Tradicional “Ditët e Shqipes”, i organizuar nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, për shënimin e 16 vjetorit të Betejës së Koshares. Manifestimi gjithë popullor ka nisur më 9 prill me shënimin e Ditës së Heqjes me Luftë të Kufirit Kosovë-Shqipëri në Koshare. Më 11 prill në Prishtinë është mbajtur Akademia Përkujtimore Dita e Dëshmorëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani” – Dita e Rënies së Heroit Agim Ramadani. Në aktivitetet e zhvilluara në kuadër të Manifestimit Tradicional “Ditët e Shqipes 2015”, kanë marrë pjesë shumë qytetarë të Kosovës, bashkëluftëtarë dhe familjarë të heronjve si dhe personalitete politike e akademike.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here