Më katolik se Papa

0

BEHAR GJOKA 


Në mes të shprehjeve të mençurisë popullore hyn edhe kjo frazë, më katolik se sa Papa, që fsheh dhe zbulon një situatë të pazakontë, kur zelli tjekalon nevojën, pa qenë e nevojshme. Përdorimi i saj në momentet kur besimtarë të ndryshëm, ateistë dhe të pafe, teologë dhe gjithëditës, të lëshuar në turravrapin e mbrojtjes së kishës, një pale tepër zelltare, të Visar Zhitit, pala tjetër, në këtë rrokullimë debati gri, më erdhi në mend pikërisht kjo frazë, e cila përçon një domethënie. Besimtarët, e të gjitha anëve dhe ngjyrave, flasin gjithë ditën e lume për këtë temë, ndonëse pa shumë argument logjik. Ateistët dhe të pafetë, në këtë zallamahi të zhurmimit, vetëmsa me ra në sy si të pranishëm, në fakt më shumë bëjnë sikur debatojnë. Teologët, që dinë pak më shumë se sa të tjerët, flasin në një mënyrë të çuditshme, këso herë vetëm me gjeste. Analistët e gjithdijes, që flasin pa pra, për gjithçka të tokës, qiellit, detit e nëntokës, e dihet se si flasin, kodra mbas bregut, e mali mbas kodre, kanë zënë qoshen e kuvendimit. Me këta të fundit puna është më keq se me të tjerët, se ato jo vetëm flasin, por edhe mëtojnë t’i vënë kapak muhabetit. Në fakt i rren mendja, e guximit të gjithdijes, se në këtë rast nuk është se qullosën diçka të hajrit. Ashtu si bëjnë gjithëherët, kur zihen e grihen për politikë, edhe këso herë u ndanë në palë ndërluftuese. Idhtarët e kishës, të së drejtës së besimtarëve katolikë, po ulurasin që nuk qenkanë të përfaqësuar. Vetëm tani e panë, apo o burra që na doli rasti, tu fryjmë sa mundim erërave të përplasjes fetare. Harrohet, se jemi shqiptarë, harrohet se kemi një ekzistencë unike, të bashkëjetesës fetare. Pala tjetër, mbrojtësit vullnetarë të Visar Zhitit, njeriut që është rroptuar në diktaturë, poetit të vuajtjes, që këtyre moteve ka patur disa detyra shtetërore, që para do kohësh i ra për hise, ajo që mos e provoftë asnjë prindë, humbja tragjike e të birit, i ra berihajt se është figurë e gjetur. Vetë Zhiti, në mes të tjerash, lëshoi shprehje me inkuizitor dhe që na qenka pagëzuar. Nga ana tjetër politika, që si rrallë herë unifikohet, e tha fjalën e vetë duke e votuar Zhitin për ambasador. Nga palët që debatojnë, besimtarë apo teologë, ateistë apo gjithditës, harrohen dy moment thelbësore, së pari fakti që Shqipëria është shtet i pavarur dhe të drejtën e përfaqësimit të ambasadorëve, si të gjithë vendet e tjera nuk ka arsye ligjore që të debatojë dhe negociojë me askënd si çështje. Po kaq, së dyti, Shqipëria është një vend laik, që marrëdhënien me besimin e ka të zgjidhur në Kushtetutën e saj. Pra, jemi në situatën kur hapësira ligjore e sheh si normale, përfaqësimin pranë Vatikanit me një përfaqësues të Republikës së Shqipërisë, si një vend sovran, si dhe një vend me disa besime fetare, që unitetin kombëtar e ka realizuar më anë të bashkëjetesës fetare. Madje, prej kësaj ane unike, Shqipëria është shembull në rajon dhe më gjerë. Thelbi i shprehjes së një zhurme më të madhe se sa duhet, me shumë gjasa të një revolucioni në gotën e zbrazur, në një luftë gladiatorësh larg mendimit, larg frymës së mirëkuptimit njerëzor, i nxjerrë jashtë loje luftëtarët e vetofruar në një betejë pabukëse. Ka jo pak raste kur fjala mundet nga heshtja. Papa ka heshtur, në lidhje me zhurmimin e radhës, që po ngjet ndër ne, për të rritur nivelin e përfaqësimit të Shqipërisë në botë. Papa ka heshtur, ai që këto punë i di më mirë se sa të tjerët, sepse është një akt që nuk ka nevojë për zhurmë dhe zhurmues… Nuk ka nevojë aspak me qenë më katolik se sa Papa!!!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here