“Me Aktgjykimin e Kushtetueses përpiqet të krijohet situatë, ku të gjithë fitojnë ngapak”

0

Analisti politik Dukagjin Gorani ka thënë se aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese mund ta interpretojë vetëm për efektet politike të tij.

Sipas tij, këtu efekt kryesor është përpjekja për të arritur kompromis mes palëve. Në këtë intervistë dhënë për “Epokën e re”, Gorani ka thënë se me aktgjykim shpresohet që opozita do ta gëzojë një fitore të vogël, kurse pushteti do të mbetet ky që është dhe që Asociacioni, megjithatë, do të themelohet.

“E gjithë kjo punë ka shkuar shumë larg dhe është përkeqësuar tej mase, kryesisht për shkak të arrogancës dhe paaftësisë komunikuese të pushtetit. Me Aktgjykim përpiqet të krijohet situatë, ku të gjithë fitojnë nga pak, por që situata mbetet e pandryshuar. Është përpjekje fëmijërore kjo”, ka thënë Gorani.

Ai nuk beson se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese do të mund ta zgjidhte situatën e krijuar në mes të pozitës dhe opozitës. “Opozita tashmë është e inkurajuar ta rrisë vëllimin e kundërshtimit politik, ndërsa Qeveria do të përpiqet ta themelojë Asociacionin duke u shtirur se, kinse, po e ‘zbaton në përpikëri’ Aktgjykimin e Kushtetueses. Në fund do ta hartojë një statut të tij, i cili nuk do t’i përshtatet askujt. Mirëpo, së paku do të blejë kohë deri në pranverën e ardhshme, kur kjo krizë do të ndërlikohet tutje me fillimin e funksionimit të Gjykatës Speciale”, ka deklaruar Gorani. Ai e ka vlerësuar normale kërkesën e opozitës për rrëzimin e Qeverisë. Sipas Goranit, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ia dha edhe disa argumente shtesë opozitës.

Gorani ka thënë se kjo Qeveri nuk do të lejohet të shpërbëhet para se t’ia fillojë punës Gjykata Speciale dhe, sipas tij, pastaj do të mbahen zgjedhjet, të cilat janë të pashmangshme në gjysmën e dytë të 2016-s. “Kjo Qeveri nuk do të lejohet të shpërbëhet para se t’ia fillojë punës Gjykata Speciale. Tashmë këtë e kuptuam të gjithë. Mendoj se koha për zgjedhje të reja do të jetë menjëherë pas kësaj: spekulativisht, kjo mund të jetë gjysma e dytë e vitit të ardhshëm. Po ashtu, shpresoj të jenë zgjedhjet vendimtare në historinë e re të këtij vendi, kur do të ndryshohet paradigma shoqërore mbi qeverisjen shtetërore dhe udhëheqjen politike”, ka thënë Gorani.

Analisti Dukagjin Gorani ka thënë se opozita e ka dërrmuar shumë këtë Qeveri, madje më shumë se ç’ua kishte marrë mendja të dyja palëve.

“Askush nuk e kishte pritur gjithë këtë rezistencë që po zgjat prej gushtit. Kjo e ndryshoi pakthyeshëm raportin e forcave. Po ashtu, e dëmtoi rëndë legjitimitetin e Qeverisë. Këto gjëra nuk riparohen me takime e me ‘ulje’ bajraktarësh nëpër tavolina nëpërmjet ndërmjetësimeve ndërkombëtare. Ato kohë dhe ajo mendësi duket të kenë marrë fund. Kjo krizë e madhe e kredibilitetit dhe e legjitimitetit mund të zgjidhet vetëm me zgjedhje”, ka deklaruar Gorani.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here