Me 2 korrik, të këtij viti, seancë simbolike në sallën e Kuvendit nga vet ish-delegatët e vitit 1990

0

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, është takuar sot me një delegacion të ish-delegatëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët më 2 korrik të vitit 1990, e shpallën Deklaratën Kushtetuese. Veseli e ka vlerësuar lart kontributin e delegatëve të 2 korrikut, që nëpërmes këtij akti kanë shprehur vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës në atë kohë. “Shpallja e Deklaratës kushtetuese të 2 korrikut ishte një moment i rëndësishëm historik në rrjedhën e përgjithshme të lëvizjes sonë për liri dhe pavarësi”, ka thënë Veseli. Ai gjatë takimit është njoftuar me shqetësimet e ish-delegatëve të Deklaratës kushtetuese lidhur me statusin e tyre, i cili parashihet të rregullohet me një ligj përkatës që aktualisht është në proces të draftimit. Veseli është zotuar të angazhohet që ky proces të përshpejtohet. Ish-delegatët e 2 korrikut 1990 kanë kërkuar nga kryetari Veseli përkrahje në këtë drejtim, si dhe mbështetjen institucionale me rastin e shënimit të 25-vjetorit të shpalljes së Deklaratës Kushtetuese. Kryeparlamentari Veseli është shprehur se në kuadër të këtij shënimi do të organizojë një vizitë njoftuese të ish-delegatëve të 2 korrikut në ambientet e Kuvendit të Kosovës, do të mbështes botimin e një monografie për legjislaturën e asaj kohe, si dhe organizimin e një seance simbolike më 2 korrik të këtij viti në sallën e Kuvendit nga vetë ish-delegatët e vitit 1990. “Liria dhe pavarësia e Kosovës është një vepër e madhe e popullit të Kosovës, ku të gjitha gjeneratat, në kohë dhe rrethana të ndryshme kanë dhënë kontributin e tyre, e pra edhe delegatët e 2 korrikut”, ka theksuar kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here