Më 2 Korrik 1990 Kosova shpalli Deklaratën Kushtetuese

0

Më 2 Korrik 1990 delegatët (deputetët) shqiptarë të Kuvendit të Krahinës së atëhershme të Kosovës shpallën Deklaratën Kushtetuese, me të cilën i hapej Kosovës rruga të shpallë vendin Republikë, përkatësisht shkëputjen nga Serbia.

Dy muaj pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, që në popull njihet edhe si Deklarata e Pavarësisë, pra më 7 shtator të vitit 1990, të njëjtët delegatë nxorën aktin më të lartë juridik – Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me këtë ata edhe formalisht Kosovën e shpallën Republikë.

Por, sikundër pritej edhe në ato momente dramatike, Serbia fill pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese vendosi gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë, duke suprimuar me forcën e tankeve të gjitha institucionet e Kosovës, duke filluar nga Kuvendi e Këshilli Ekzekutiv i tij dhe deri tek të gjitha institucionet e tjera shkencore, arsimore e kulturore.

 

DEKLARATA

“Duke u nisur nga vullneti i shprehur vendosmërisht anembanë Kosovës nga ana e shumicës së popullsisë së Kosovës, vullnet ky i sublimuar edhe në Deklaratën e ASHA të Kosovës për pozitë të re kushtetuese të Kosovës, si dhe duke u nisur nga roli dhe pozita e Kuvendit të Kosovës si organ përfaqësues dhe kushtetutëdhënës më i lartë i pushtetit dhe i vetëqeverisjes në Kosovë, Kuvendi i Kosovës solemnisht shpallë:

DEKLARATËN KUSHTETUESE MBI KOSOVËN SI NJËSI TË PAVARUR DHE TË BARABARTË NË KUADËR TË FEDERATËS (KONFEDERATËS) TË JUGOSLLAVISË SI SUBJEKT I BARABARTË ME NJËSITË E TJERA NË FEDERATË (KONFEDERATË)

  1. Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë.
  2. Ky kuvend duke e shpallur nga ana e tij dhe në nivel të tij Kosovën si njësi të barabartë në Jugosllavi, në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve dhe të kolektiviteteve njerëzore dhe kombëtare, pret konfirmimin e këtij akti konstitutiv të tij në Kushtetutën e Jugosllavisë me mbështetje të plotë të opinionit demokratik në Jugosllavi dhe të opinionit ndërkombëtar.
  3. Ky kuvend Kosovën dhe pozitën e re kushtetuese të saj e konfirmon si bashkësi politiko-kushtetuese dhe pozitë politiko-kushtetuese të përbashkët të qytetarëve dhe nacionaliteteve të barabarta të Kosovës, ku shqiptarët si shumicë e popullsisë së Kosovës dhe një ndër popujt më numerikë në Jugosllavi, si dhe serbët dhe të tjerët në Kosovë konsiderohen popull-komb dhe jo kombësi (pakicë kombëtare).
  4. Në ndërkohë, deri në aplikimin definitiv juridik të kësaj Deklarate Kushtetuese, Kuvendi dhe organet e pushtetit të Kosovës marrëdhëniet e tyre në rendin kushtetues të Jugosllavisë i mbështesin në Kushtetutën në fuqi të Jugosllavisë dhe jo në amendamentet e Kushtetutës së RS të Serbisë të vitit 1989, me ç’rast bëhet edhe anulimi i vendimit të Kuvendit të Kosovës i datës 23 mars 1989 mbi dhënien e pëlqimit në këto amendamente.
  5. Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim,
    duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë.

Prishtinë, më 2 korrik 1990. Delegatët nënshkrues të Deklaratës:”

(Pasojnë nënshkrimet e 114 delegatëve shqiptarë, boshnjakë e turq. Të nesërmen, më 3 korrik, Deklaratën e ka nënshkruar edhe një delegat).

Teksti burimor, i hartuar nga akademiku Gazmend Zajmi, ka pasur edhe pikën 6, me këtë përmbajtje: “Me këtë Deklaratë abrogohet Rezoluta e Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës e 10 korrikut të vitit 1945 nga Kuvendi i Prizrenit, e cila u nxor në emër të vullnetit të popullsisë së Kosovës, e pa vullnetin e saj”, mirëpo komisionet përkatëse të Kuvendit konsideronin se me vetë miratimin e kësaj Deklarate abrogohej automatikisht edhe Rezoluta e Kuvendit të Prizrenit. Me këtë ndryshim u pajtua edhe autori, tash i ndjeri Gazmend Zajmi.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here