Mavrajt, akuzë për terrorizëm, PSRK thotë se vet e pranoi të ketë luftuar në Siri

0

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë, pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër Alban Mavrajt, për kryerjen e veprës penale: “Organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste”, nga neni 143 par.2 i Kodit Penal të Kosovës. “Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Mavraj nga data 4 shtator 2013 deri më 27 tetor 2013 iu kishte bashkuar për të luftuar grupit terrorist në Siri, të quajtur ‘Jahbat Al Nusra”, thuhet në një njoftim nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. “I pandehuri Mavraj ka tentuar edhe dy herë tjera për të shkuar në Siri dhe atë më 05 prill të vitit 2014, pastaj sërish më 27 korrik 2014, kishte tentuar që përmes Turqisë të shkoj në Siri”, jepen më shumë detaje në njoftim. Mavraj është arrestuar në Prishtinë, më 27 korrik 2014. Merret vesh se gjatë hetimeve prokurori i rastit, nga Prokuroria Speciale, ka mbledhur prova që vërtetojnë ekzistimin e fakteve që Mavraj ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. “Është vërtetuar qartë se i pandehuri kishte qenë pjesëmarrës i luftës në Siri, këtë e ka pranuar edhe vetë ai në dy deklaratat e tij, të dhëna në polici dhe para prokurorit. Ka pranuar se ishte stërvitur me armë të ndryshme atje dhe se ka tentuar edhe disa herë të tjera të shkonte në Siri”, bëhet e ditur nga Prokuroria Speciale. Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili i ka propozuar Gjykatës që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurin, për veprën penale që akuzohet, ta shpallë fajtor dhe ta gjykojë sipas ligjit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here