Matoshi: “Opozita s’bëhet merak për Asociacion e kufi, por po i përdorë si karta”

0

URAN KRASNIQI

Opozita nuk është se bëhet shumë merak për Asociacionin dhe demarkacionin me Malin e Zi, porse këto po i monopolizon si karta etnonacionalste për të fituar simpatinë e shqiptarëve të cilët kur janë në pyetje pakicat në Kosovë nuk është se shquhen për zemërgjërë, ka thënë publicisti Halil Matoshi.

Në një intervistë për portalin Online, Matoshi e ka shpallur të paqëndrueshëm krahasimin mes Republikës Serbe në Bosnë dhe Hercegovinë dhe Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë.

Për lëvizjen Vetëvendosje ai është shprehur se ata vetë nuk e respektojnë shtetin e Kosovës teksa marrin nga ai.

Matoshi kapërcimin e krizës e sheh përmes një tryeze politike, të ciën sipas tij duhet ta thërrasë Qeveria. Ai ka thënë se Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, duhet ta zhbllokojë Kuvendin e Kosovës, qoftë duke përdorur, siç e ka quajtur ai, edhe “dhunë legjitime”.

Por nëse asnjë nuk bëhet rruga e fundit e cila duhet ndjekur sipas Matoshit janë zgjedhjet e reja.

Online: Zotëri Matoshi, dihet që nuk jeni kundërshtar i pranimit të Asociacionit të Komunave Serbe. Pse nuk iu pengon?

Matoshi:  E para e punës nuk është çështja këtu se më pengon mua apo jo, por është më e thellë dhe më thelbësore. Ofrimi i garancive shtesë për serbët kosovarë ka qenë çelësi i ‘debllokimit’ të zgjidhjes së statusit politik të Kosovës, gjatë negociatave të Vjenës (2005-2007) dhe pala kosovare e ka bërë që atëherë këtë kompromis me Bashkësinë Ndërkombëtare në këmbim të Pavarësisë kombëtare si vetëvendosje zhdëmtuese jashtë kontekstit kolonial.

Sipas Pakos Ahtisaari që është e sponsorizuar nga OKB-ja, Kosova obligohej që t’ua njihte serbëve kosovarë të drejtën  e vetos në shtet, ‘votimin e dyfishtë’ (lidhur më çështjet që i prekin interesat e tyre vitale); Pastaj  pos vendeve të garantuara për serbët kosovarë në Kuvend (Komunitetet joshumicë)  ata të kishin edhe vende të rezervuara për tre mandate, pastaj trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore serbe në Kosovë iu njoh statusi i eksterritorialitetit (në juridiksionin e Kishës Ortodokse Serbe SPC); atyre iu njohën edhe komunat e reja në procesin e decentralizimit sipas Kartës së Këshillit të Europës (ku jetojnë më shumë se 5 mijë pjesëtarë të një komuniteti) kurse Asociacioni i komunave me shumicë serbe ishte postulat i Pakos dhe rrjedhimisht edhe kategori kushtetuese në Kosovë,.

Online: Por opozita po e përshkruan shumë të rrezikshëm, si mini-shtet brenda shtetit?

Matoshi: Hetohet një makineri propagandimi i papërgjegjëshëm nga opozita e veçmas nga VV-ja dhe Albin Kurti i këtij “mini-shteti brenda shtetit” mirëpo, vërtetë pos propagandës  dhe manipulimit të publikut në këtë mesele nuk ka asgjë të vërtetë. Ka sëkendejmi paranojë se çka mund të ndodhë në të ardhmen por jo ekspertizë se serbët kanë fituar “Republika Srpska” në Kosovë!

Pse frika nga serbët nesër kur Prishtina i ka në duar mekanizmat e kontrollit të territorit sipas rendit kushtetues.

Statuti i Asociacionit i nënshtrohet “inspektimit” të Gjykatës Kushtetuese, financat “inspektimit” të Auditorit Gjeneral të Kosovës; kufijtë “inspektohen” nga policia kufitare e Kosovës… Shtetit i njihet e drejta që ta ushtrojë funksionin kushtetues,  “dhunën legjitime”  edhe në veri. Prandaj VV-ja dhe opozita e kanë keq. Fundja  nesër askush s’e di se çfarë mund të ndodhë, por shteti duhet të kujdeset që të mos ndodhë asgjë që cenon integritetin territorial.

Pra, opozita po na thonë se serbët nesër mund të shpallin referendum për shkëputje!? Natyrisht që ata mund të shpallin edhe referendum për t’iu bashkangjitur (po e them me cinizëm) Planetit  Glis 832C, mirëpo shteti e ruan të drejtën e sovranitetit mbi këtë territor.

Në anën tjetër, Asociacionin e dekreton Qeveria e Kosovës e jo ndonjë Qeveri e serbëve në veri; sistemi gjyqësor,  i strukturave të sigurisë, ai fiskal, doganor mbetet unik për tërë territorin e Republikës. Asociacioni është një mekanizëm ndërlidhës me Qeverinë në Prishtinë, që informohet dhe informon për çështjet që kanë të bëjnë me interesat e tyre. Kurse Republika Srpska ka Kryetar shteti, Qeveri. Kryeministër, Ministra, Kuvend kushtetutdhënes, ligje, gjykata, prokurori, ushtri, polici, Kushtetutë sistem tatimor të vetin, Bankë Qendrore, agjensi statistikore, anëtar në kryesinë e BEH, të drejtë vetoje në të gjitha çeshtjet ndërkombëtare. Prandej duhet thënë e vërteta pa manipulime: Asociacioni është një autonomi kulturore dhe personale/individuale (arsim, shëndetësi, rregullim hapësinor…)

Online: Edhe në Serbi ka zgjuar reagime negative Asociacioni, ku ka pasur zëra që kanë akuzuar politikën zyrtare se e shitën Kosovën. A mendoni që bëhet fjalë për një vuajtje reale të eksponentëve të caktuar në Serbi, meqë mendojnë që Asociacioni nuk është fitore e tyre, apo niveli i pritjeve në Serbi për Kosovën është shumë i madh dhe Asociacioni u është dukur shumë pak?

Matoshi: Opozita në Serbi ua ka bërë me dije pushtetit se Asociacioni nuk ka kompetenca ligjvënëse dhe ekzekutive pos në sferën e pushtetit vendor (komunal.) dhe në ato aspekte që njihen si të drejta shtesë, por gjithnjë në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës..

Online: A më shumë po i dhemb Asociacioni edhe demerkacioni me Malin e Zi opozitës apo më shumë po ia ka ënda pushtetin?

Matoshi: Secila parti ose organizatë politike që merr pjesë në zgjedhje e synon marrjen e pushtetit politik dhe kjo në demokraci është legjitime. Mirëpo opoziata kosovare po mësyn përmbysjen e pushtetit pa dhënë asnjë alternativë zhvillimore që bind qytetarët se me ta do të jetë më mirë. VV-ja psh. as që ka pasur  ndonjë respekt për shtetin, të cilin, as që e ka njohur për të vetin ndonjëherë, duke qenë kundër që nga Rambouillet, Pakoja Ahtisaari, Kushtetuta dhe rendi simbolik e deri tek procesi i Vjenës dhe Asocaicioni. Nuk i kanë dhënë lojalitet shtetit kurse privilegjat që jep i ka marrë, që nga paratë e Fondit të demokartizmit për partitë parlamenatre deri tek pagat në Kuvend dhe mekanizamt e tij deri tek ato të pushetit lokal (në Prishtinë) dhe në Asambletë komunale nëpër komunat kosovare. Pra opozita nuk është se bëhet shumë merak për Asociacionin dhe demarkacionin me Malin e Zi, porse këto po i monopolizon si karta etnonacionalste për të fituar simpatinë e shqiptarëve të cilët kur janë në pyetje pakicat në Kosovë nuk është se shquhen për zemërgjërë!?

Nëse do ta hetosh një gënjeshtër shih kundërthëniet e shqiptuesëve të saj, që synojnë ta shesin  për të vërtetë!

Online: Si i shihni paralajmërimet e opozitës për protestë dhe çfarë organizimi prisni se mund të bëjnë?

Matoshi: Është e tepërt që të përmendet e drejta legjitime për të protestuar. Porse në demokraci ato paralajmërohen tek zyrat e policisë (për mbarëvajtje), ato duhet të jenë të padhunshme (që ruajnë jetën e njerëzve dhe pronën-veçmas atë private dhe që ruajnë funksionimin demokartik të institucioneve. Opozita pikërisht e ka bllokuar institucionin kryesor të sovranit, shtëpinë e tij, Kuvendin!

Online: A po shihni ambient për jetë normale institucionale në Kosovë me këtë klimë aktuale?

Matoshi: Ambient për jetë normale në një vend të varfër e të izoluar nuk ka, porse do të duhej që të kishte së paku ambient të sigurt për jetë dhe garanca për të drejtat e njeriut., liritë civile dhe demokracinë. Shumica e institucioneve janë të bllokuara nga padija, disa që kanë gërryer legjitimitetin duke qenë të korruptuara deri në asht, të tjerat duke shpenzuar paranë publike koti etj.

Online: Cila është formula sipas jush e cila e nxjerrë pa pasoja vendin nga kjo situatë?

Matoshi: Së pari pushteti duhet (e ka për obligim kushtetues) që të ulet me opozitën në tryezë politike për të gjetur rrugën e daljes nga kriza dhe këtë e ka për obligim ta bëjë Qeveria e Kosovës, e cila nuk guxon të sillet në mënyrë përjashtuese, sepse opozita është pjesë e sovranitetit të popullit; së dyti Presidentja e vendit e ka për obligim kushtetues që të garantojë funksionimin demokratik të Institucioneve, pra ta debllokojë “shtëpinë e sovranit” që është Kuvendi i Kosovës qoftë edhe duke përdor ‘dhunën legjitime’  dhe të mirëmbajë unitetin e popullit, duke mos lejuar që të përplasen mes vete grupet e ndryshme shoqërore, përkatësisht shteti me grupet fetare, politike, kulturore etj. Kosova ka nevojë për nëj kontratë të re shoqërore dhe politike, ndoshta edhe për një balanc të ri të pushteteve dhe nëse këto nuk arrihen me pjesëmarrjen e të gjithëve, atëherë e vetmja strategji dalëse mbeten zgjedhjet e jashtëzakonshme.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here