MASHTK, thirrje SBASHK-ut për t’i dhënë fund grevës

0

Ndërkohë që SABSHK-u ka paralajmëruar se nëse do të ketë presione, do të ngre padi, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka serish thirrje për t’i dhënë fund grevës.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka mbajtur sot një takim me drejtorët e drejtorive komunale të arsimit (DKA), ku është diskutuar për gjendjen e krijuar pas fillimit të grevës në arsim dhe mundësitë për të dalë nga kjo situatë. 

Ai me këtë rast ka informuar drejtorët e DKA-ve për gjithë angazhimin që ka bërë MASHT-i, në mënyrë që të arrihet sa më parë një marrëveshje për të dalë nga kjo gjendje, e cila më së shumti po i dëmton nxënësit. 

Gjatë këtij takimi, secili nga drejtorët e DKA-ve u deklaruan se janë kategorikisht kundër grevës dhe shprehën besimin e tyre që akterët vendimmarrës shumë shpejt të gjejnë një zgjidhje, e cila do të rezultojë me ndërprerjen e grevës. 

Nga ky takim iu bë thirrje SBASHK-ut të ndërpresë grevën në sistemin arsimor, në veçanti nëpër çerdhe që nga dita e nesërme, si dhe u formua grupi punues që do të udhëhiqet nga ministri Bytyqi, pjesë e të cilit do të jenë tre drejtorë të DKA-ve dhe një përfaqësues nga Këshilli i Prindërve, grup i cili do të zhvillojë takime me përfaqësues të SBASHK-ut në funksion të arritjes së një zgjidhje.

Ndryshe, SBASHK më herët ka paralajmëruar se ndaj çdo presioni ndaj mësimdhënësve-grevistë do të ngre padi duke u bazuar në Ligjin për grevat.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here