MASHTK shpërndanë udhëzues për zbatimin e Kurrikulës

0

Pas vështirësive të shumta që kanë pasur mësimdhënësit gjatë zbatimit të kurrikules së re me tekstet e vjetra, pritet që me shpërndarjen e udhëzuesve të përgatitur nga Ministria e Arsimit, gjendja të përmirësohet.

Drejtoritë komunale të arsimit tashmë kanë filluar me shpërndarjen dhe informimin e mësimdhënësve lidhur me këta udhëzues. Por, njohës të çështjeve të arsimit vlerësojnë se udhëzuesit nuk pritet të ndihmojnë në këtë drejtim.

Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi,  tha për Radio Kosovën se duke parë një mospërputhje në mes të kurrikulës se re dhe teksteve të vjetra, ministria ka përpiluar udhëzues, në mënyrë që t’ua lehtësojë punën mësimdhënësve.

“Duke parë mospërputhje në mes të kurrikules dhe teksteve të vjetra, ne kemi përpiluar udhëzues të cilët i kemi shpërndarë nëpër drejtori komunale për t’ua lehtësuar punën mësimdhënësve. Sepse të kurrikulat në një lëndë, për shembull, në Biologji në klasën e gjashtë mësimdhënësi duhet të përdorë tekste nga klasa e shtatë dhe tetë për të marrë tema. Dhe ky udhëzues ia lehtëson punën  për t’u gjendur me lehtë mësimdhënësi.“

E drejtori i drejtorisë komunale të arsimit në Komunën e Prishtinës, Jonuz Salihu, tha për Radio Kosovën se kanë filluar me informimin dhe shpërndarjen e udhëzuesve te mësimdhënësit.

“ Ekipi komunal është duke e përfunduar këtë punë. Ekipi është  në terren dhe është duke punuar sipas udhëzimeve që ka dhënë Ministria e Arsimit për zbatimin e kurrikulës se re. Tash kurrikulen e re e kemi pjesë të ligjit për arsimin para universitar dhe kemi vështirësi për ta zbatuar, por tani ka filluar procesi, dhe pas një periudhe do ta analizojmë se si po rrjedh.”

Ndërkaq, njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, nga Instituti Edguar, i tha Radio Kosovës se mësimdhënësit nuk janë të informuar sa duhet rreth kornizës se re kurikulare, dhe këta  udhëzues nuk do t’u ndihmojnë mësimdhënësve për t’i përshtatur tekstet e vjetra me kurrikulen e re.

“ Deri me tani kemi pasur  improvizim të kurrikules se re në zbatimin e saj. Edhe tani këta udhëzues të tillë që supozohet së do t’u ndihmojnë mësimdhënësve, prapë dyshoj që e njëjta do të jetë e zbatueshme, pasi që mësimdhënësit në parim nuk janë të informuar sa duhet rreth kornizës se re kurrikulare”, tha ai.

Kurrikula e re tash dy vite ka filluar të zbatohet në shkollat e Kosovës, ndërsa ende po punohet me tekste të vjetra. Konkursi për botimin e teksteve të reja është shpallur nga Ministria e Arsimit dhe vitin e ardhshëm pritet të jenë gati për zbatim.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here