Masakra e Rezallës, shembulli tipik i gjenocidit të Serbisë

0

Institucione të vendit, organizata të dala nga lufta, ish-luftëtarë të UÇK-së dhe familjarë të dëshmorëve, kanë bërë homazhe sot pranë 28 mbetjeve mortore të viktimave që u rivarrosën në fshatin Rezallë të Skenderajt. Ata u vranë 16 vite më parë, ndërsa gjatë gjithë kësaj kohe ata qenë të zhdukur. Këta trupa u gjetën vitin e kaluar në Rudnicë të Rashkës.
Të dielën, në 16 vjetorin e vrasjes së tyre, homazhe bëri edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Pranë familjarëve u pa të bëjë homazhe edhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.
“Masakra e Rezallës e vitit 1999 ishte dhe mbetet shembulli tipik i gjenocidit të ushtruar nga forcat paramilitare serbe të luftës në Kosovë”, tha nënkryetari i Skënderajt, Fadil Nura.
Në emër të familjes Jashari, Rifat Jashari u shprehu ngushëllime familjarëve që pas 16 vitesh gjetën më të dashurit e tyre.
“Vëllezër dhe motra, ky tubim sot duhet të jetë udhërrëfyes i gjithë ne shqiptarëve brenda dhe jashtë Kosovës që të bashkohemi njëherë e përgjithmonë, të punojmë bashkërisht, si popull e si komb”, tha ai.
Kryetari i OVL UÇK, Xhavit Jashari, tha se institucionet e vendit duhet të jenë më të kujdesshme kur bëhet fjalë për luftën dhe sakrificën e të rënëve. Madje, ai përmendi edhe Gjykatën Speciale, për çka tha se nuk kanë nevojë institucionet të votojnë një gjykatë të tillë.
“Sot flet Rezalla se kush i bëri krimet ndaj popullatës së pafajshme. Krimet i bëri Ushtria e Policia e Serbisë. Andaj, sikur sot, edhe nga varret dëshmorët na thonë se nuk ka nevojë të formojmë Gjykata Speciale; nuk kanë nevojë institucionet tona që të votojnë dhe t’i aprovojnë këto gjykata, sepse pastërtia e luftës ishte drejtë, në shërbim të lirisë së atdheut”, tha ai.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj, tha se për të arritur deri tek gjetja e tyre kanë pasë nevojë për një punë të madhe ekipore.
Në fshatin Rezallë të Skenderajt, 16 vite më parë, me 5 prill të vitit 1999, u vranë 38 persona. Fillimisht paramilitarët serbë mblodhën gjithë banorët që gjetën, në oborrin e Hashim Dërgutit, me qëllim që t’i pushkatojnë të gjithë. Më tutje, vendosën që t’i lirojnë gratë dhe fëmijët. E, meshkujt i vranë të gjithë.
Trupat e tyre u zhduken nga forcat serbe. Vitin e kaluar 28 prej tyre u gjenden në Rudnicë të Rashkës. Dy janë gjetur më herët, ndërsa tetë të tjerë ende mungojnë. /KP/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here