Marihuana, substancë e preferuar në Prizren

0

PRIZREN, 23 SHKURT – Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Hazir Berisha ka njoftuar sot për disa raste të kapjes së personave që posedonin drogë të llojit marihuanë. Me datën 19 shkurt, rreth orës 18:30 minuta, sipas tij hetuesë kundër substancave narkotike dhe policë nga Stacioni policor i Prizrenit kanë bastisur disa qytetarë dhe një objekt “Sony Play Stacion” në Lagjen “Kurrilla” në Prizren nën pretekstin e kërkimit të narkotikëve dhe substancave psikotrope. Gjatë kontrollit tek F.B. është gjetur një sasi e marihuanës e cila është sekuestruar. Rreth orës 17:00, të datës 22 shkurt, ndërkaq një patrullë policore e cila po patrullonte nëpër rrugën “Feriz Susuri” në Prizren, ka ndaluar tre persona te njohur për policinë dhe gjatë kontrollit të tyre është gjetur substancë narkotike e llojit marihuanë. Më pas, policia i ka shoqëruar të dyshuarit për në Stacionin Policor në Prizren për t’u marrë më tej me rastin Njësia kundër drogave. Sipas raporteve hetimore thuhet se droga peshonte rreth 28 gram. Ndërkaq, rreth orës 22:15 minuta në rrugën “Muharrem Bekteshi” hetuesë kundër narkotikeve kanë ndaluar një qytetar tek i cili është gjetur substancë e llojit marihuanë. Për të gjitha këto është informuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që të iniciohen rastet dhe t’i kalojnë prokurorisë për procedurë të mëtejme. Në ndërkohë në vazhdën e luftimit të krimit me narkotikë, me datën 22 shkurt, rreth orës 00:10 minuta, një patrullë policore që po patrullonte në rrugën “Besim Shala” në Prizren ka ndaluar një veturë në të cilën ndodheshin dy persona. Pas një kontrolli rutinë është gjetur substancë narkotike e llojit marihuanë e cila peshonte 206 gram. Ndërkohë tek vetura ka arritur edhe pronari i veturës. Patrulla i ka arrestuar që të tre personat përderisa të sqarohen rrethanat e rastit. Me urdhër të prokurorit të shtetit të dyshuarit janë ndaluar nën masën e arrestit policor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here