Maqedonia, një vend në udhëkryq

0

IVAN KRASTEV

“A ke ngecur ndonjëherë në një ashensor?”, – më pyeti një politikan maqedonas kohët e fundit. Ndodheshim në Shkup, në kryeqytetin e tij, ku protesta të mëdha publike kanë shpërthyer vitin që kaloi, duke përfshirë demonstrues që kanë pushtuar sheshin para ndërtesës së qeverisë, Parlamentit, një bojkot pothuaj 1-vjeçar nga opozita politike. “A e imagjinoni dot të ngecni në këtë mënyrë, për 20 vjet me radhë? Ja, kjo na ka ndodhur ne”.

Kishte të drejtë. Maqedonia, një vend ballkanik me 2 milionë banorë, ku afro 30 përqind e tyre janë shqiptarë, arriti të dalë prej luftërave jugosllave të viteve 1990, por kjo nuk do të thotë se ka qenë e qetë. Që nga momenti i parë i Maqedonisë si vend i pavarur, në vitin 1991, Greqia ka refuzuar, për arsye historike të njohë emrin e saj, të cilin Maqedonia e ka të përbashkët me një rajon në Greqi. Greqia ka vënë veton për anëtarësimin në NATO, si dhe ka penguar përpjekjet e saj për të hyrë në Bashkimin Europian. Brukseli dhe Uashingtoni mbetën të shastisur, por pak mund të bënin.

Në vitin 2001, një konflikt etnik i armatosur në perëndimin e dominuar nga shqiptarët, e çoi vendin në prag të luftës civile. Maqedonia i mbijetoi krizës, por tensionet politikë dhe etnikë mbetën.

E mbërthyer në bllokazhin e shkaktuar prej emrit, e kërcënuar nga hijet e konfliktit etnik dhe e demokratizuar nga një ekonomi e dobët, me një prej normave më të larta të papunësisë në Europë, Maqedonia u hoq mënjanë, në “sallën e pritjes” të Europës. Nuk është çudi pra, që 300 mijë vetë janë larguar nga vendi, gjatë pesë viteve të fundit.

E ndërkohë që Maqedonia bënte gjoja sikur kryente reforma dhe Brukseli bënte gjoja sikur integronte, regjimi maqedonas pësoi një mutacion, duke u shndërruar në një “demokraci të kontrolluar”, të llojit ballkanik. Gjetja e një vendi pune në administratë, kushtëzohej me votën për partinë në pushtet, dhe televizioni më popullor, që ishte kritik ndaj partisë në pushtet, u mbyll.

Partia në pushtet, me emrin imponues Organizata Revolucionare Maqedonase – Partia Demokratike për Bashkimin Kombëtar Maqedonas i ka përdorur zgjedhjet, thjeshtë për të theksuar se si opozitës nuk mund t’i besohet, e më pas manipuluar votimin, për të siguruar rizgjedhjen e saj. E magjepsur nga imazhi që ka krijuar për vetveten, si viktimë e komploteve të jashtëm, qeveria maqedonase përshtati një retorikë agresive nacionaliste kundrejt fqinjëve.

Ndërkohë që qeveria merrej me mbylljen e gojës së disidentëve gjatë dekadës së fundit, pakënaqësia publike ziente. Momenti i të vërtetës erdhi në fillim të këtij viti, kur udhëheqësi i opozitës, Zoran Zaev, vuri një bast, që një skandal publik do të rrëzonte regjimin. Në shkurt, ai nxori pjesë nga ato që pretendonte se janë 670 mijë biseda telefonike të përgjuara, të politikanëve të opozitës, gazetarëve dhe figurave fetare. Regjistrimet nxorën zbuluar korrupsionin, abuzimin me pushtetin dhe arrogancën në nivelet më të lartë, dhe u duk se nxirrnin zbuluar edhe manipulime të votave, si dhe më e keqja, fshehjen e një vrasjeje.

Publiku ishte i zemëruar dhe doli në rrugë, duke kërkuar reforma tërësore në politikën e vendit, duke përfshirë një ndryshim të udhëheqjes. As edhe dorëheqja e disa ministrave të rëndësishëm, përfshirë kreun e shërbimit të fshehtë, nuk e zbuti zemërimin. Që atëherë, vendi ka qenë i përfshirë nga protesta antiqeveritare dhe proqeveritare. Në maj, një grup i armatosur shqiptar dhe forcat e sigurisë së Maqedonisë u përplasën pranë qytetit të Kumanovës, ku u vranë 22 vetë dhe ku dolën edhe një herë në sipërfaqe, frikërat e dhunës etnike.

Por kriza aktuale, çuditërisht, nuk është aspak një rikthim në 2001-shin. Zemërimi kundër elitave ka bashkuar maqedonasit dhe shqiptarët, dhe demonstratat janë një prej të paktave vende ku shpresa e Europës për një Maqedoni shumëetnike është realitet.

Në 2 qershor, Johannes Hahn, komisioni i BE për zgjerimin, negocioi një marrëveshje për të mbajtur zgjedhje të parakohshme në prill 2016; ndërkohë Parlamenti do të miratojë ndryshime në ligjin zgjedhor, për të rrafshuar “fushën e lojës”, për partinë në pushtet dhe opozitën.

Marrëveshja është një demonstrim i fuqishëm se, ndërkohë që Bashkimi Europian mund ta ketë humbur shkëlqimin, ai mbetet gjithsesi faktori i jashtëm kyç në Ballkan. Por rruga e kthimit të Maqedonisë, drejt demokracisë liberale nuk do të jetë e lehtë.

Protestuesit në Shkup sollën një ndryshim në humorin e publikut, dhe ata e detyruan botën që të fokusohet tek Maqedonia, por ata vetë nuk mund të sillnin ndryshimet kushtetues. Skandalet e kanë dëmtuar pa dyshim partinë e koalicionit të djathtë në qeverisje, si dhe partnerët e tyre shqiptarë të koalicionit, por sondazhet tregojnë se nëse zgjedhjet mbahen nesër, partia në pushtet do i fitojë sërish.

Polarizimi politik dhe mungesa e medias së pavarur – jo thjeshtë “medias pro-opozitës” – e bëjnë më të lehtë për qeverinë që t’i mbijetojë krizës aktuale. Zaevi demonstroi kurajë politike duke nxjerrë zbuluar bëmat e qeverisë, por atij do i nevojitet edhe më shumë kurajë për të ndryshuar partinë e tij, Socialdemokratët, një parti ndaj së cilës mosbesimi është i thellë, jo vetëm prej mbështetësve të qeverisë, por edhe prej shumë protestuesve, për faktin se është një pjesë e sistemit.

Ata që kërkojnë ndryshim në rrugë duhet t’i rezistojnë idesë naive se Bashkimi Europian dhe SHBA do të jenë partnerët e tyre të besueshëm, në përpjekjen e tyre për ndryshime revolucionarë. Bashkimi Europian ka ndërhyrë, jo vetëm prej frikës se kriza mund të shndërrohet në një konflikt etnik, si dhe prej pikëpamjeve divergjente të vendeve anëtarë, por edhe për shkak të një kundër-rrëfimi, të nxitur prej Rusisë, që thotë se protestuesit janë kukulla në duart e të huajve. Në interpretimin e Moskës, protestat janë një instrument i strategjisë së fuqive perëndimore për të larguar qeveritë që nuk i duan.

Edhe fqinjët e Shkupit janë nervozë. Ata nuk e pëlqejnë shumë udhëheqjen aktuale, por i druhen paqëndrueshmërisë. Në të njëjtën kohë, ata shpresojnë se ndryshimi pozitiv është pranë: Bullgaria, në veçanti, shpreson se ndryshimet politikë do të bëjnë të mundur firmosjen e një marrëveshje dypalëshe mes dy vendeve, e cila është bllokuar prej një kohe të gjatë nga qeveria aktuale në Shkup.

Shkurt, pavarësisht gjithë shqetësimeve për krizën aktuale në Shkup, ka arsye për optimizëm. Të gjithë duhet të shpresojnë jo për një revolucion, por për një kompromis të arsyeshëm – një që do të jetë i pranueshëm jo vetëm për udhëheqësit politikë, por edhe qytetarët që nuk kanë besim tek këta udhëheqës. Ashensori duhet të vihet sërish në lëvizje, dhe është mirë të shkojë në drejtim të Brukselit.

*Ivan Krastevi është politolog, Drejtor i Qendrës për Strategji Liberale në Sofje dhe anëtar i përhershëm i Institutit për Shkenca Humane në Vjenë. 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here