Maqedoni, jepen 200 vendime punësimi, asnjë shqiptarë

0

200 persona kanë marrë vendime për punë në kohë të pacaktuar brenda javës por asnjëri prej tyre nuk është shqiptar. Në kuadër të ligjit për punësim të rregullt të vullnetarëve, atyre që deri tani kanë punuar me kontrata në vepër apo kontrata autoriale në ndonjë prej institucioneve shtetërore,në fazën e parë pritet të pranohen rreth 1000 persona. Alsat mëson se nga punësimet që janë realizuar këtë javë nuk ka asnjë shqiptarë. Në burgun e Shutkës janë pranuar 6 persona, por asnjëri nga ato nuk është shqiptar. Në burgun e Idrizovës vendime pune kanë marrë 17 persona, por asnjë shqiptar. Në Gjykatën e Apelit vendime kanë marrë 12 persona por asnjëri nga ato shqiptar. Në Pyjet e Maqedonisë vendime kanë marrë mbi 30 persona po as në mesin atyre nuk ka shqiptarë. Nga Ministria e Financave hodhën poshtë informatat se nga punësimet e kësaj jave nuk ka asnjë shqiptarë, edhe pse nga ana tjetër, nuk dhanë shifra se sa shqiptarë qenkan punësuar.

“Ka shqiptarë që kanë marrë vendime nëpër institucionet shtetërore. Deri tani mund të them dhe përgënjeshtroj atë që thatë se këtë javë kanë marrë 200 maqedonas. Është Fondi Pensional i cili ka marr pëlqim për dhënien e vendimeve për 63 persona prej të cilëve 54 do të jenë shqiptarë…ka shqiptarë të cilët marrin vendime por do të theksoja se afati është 90 ditë atëherë do të dalim me të dhëna më të sakta dhe në fund do ta dimë saktë se si shkon përfaqësimi i shqiptarëve dhe a do ti përmbahemi asaj që e kemi deklaruar në fillim kur u soll ky ligj”, u shpreh Adrian Xheladini, zv/ministër i financave.

Sipas zv/ministrit të Financave, në kuadër të këtij ligji me të cilin parashikohet që vendime për punësim të rregullt të marrin rreth 3000 persona, 800 do të jenë shqiptarë.

“Diku rreth 800 shqiptarë do të marrin vendime në bazë të analizave që ka bërë Ministria e Financave në bashkëpunim me të gjitha institucionet”, tha Adrian Xheladini, zv/ministër i financave.

Në kuadër të ligjit, punësimi i personave me marrëdhënie të rregullt pune do të zhvillohet në tre faza; e para filloi me hyrjen në fuqi të ligjit në shkurt, faza e dytë zgjat deri në dhjetor të këtij viti dhe personat e fundit që do të punësohen do të marrin kontratë të rregullt, shtatorin e vitit të ardhshëm.

AlsatM

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here