Malisheva dhe demonstratat e janarit 1990

0

MUHARREM MAZREKU

Ato ditë kur Kosova po vlonte nga dhuna e shtypja e egër dhe nga presioni i ndryshimeve kushtetuese i suprimimit të autonomisë së Kosovës shumë turma njerëzish po protestonin për të mbrojtur vlerat e tyre, liritë kombëtare. Rrënimi i autonomisë dhe ngjarjet e vitit 1990 nuk e gjetën Malishevën duarkryq, ndonëse kjo periudhë nuk kaloi pa tortura e vrasje, pothuajse në shumë komuna të Kosovës. Ato ditë në qendër të Malishevës po organizoheshin demonstrata për liri, demokraci dhe barazi. Liria, demokracia dhe barazia janë vlerat më universale dhe themelore të njeriut. Dy ditë më parë në Malishevë pati demonstrata radhazi, ku merrnin pjesë mijëra qytetarë nga Malisheva e fshatrat përreth saj. Më 30 janar të vitit 1990 rreth orës 12.00 tek kishte filluar turma të grumbulloheshin nëpër qytezë kaloi një konvoj i blinduar me forca të shumta në drejtim të Kijevës. Pas një kohe relativisht të shkurtër ky konvoj kthehej nga Kijeva në Malishevë. Me të arritur në Malishevë konvoji i madh në udhëkryq të qytezës u nda më dysh, njëri filloi të lëvizë në drejtim të fshatit Banjë, e tjetri në drejtim të Rahovecit. Tani të gjitha këto forca të blinduara me autoblinda dhe mjete motorike po shtinin me armë të rënda nga mitralozë të vendosur në autoblinda në drejtim të qytetarëve, të cilët sa kishin filluar të grumbulloheshin. Nga breshëria e plumbave pasi kaloi konvoji kuptuam se kishin mbetur të vrarë tre persona dhe të plagosur edhe 13 të tjerë.

Muhamet Ibrahim Mazreku, qytetar nga Malisheva i plagosur në këtë rast rrëfen, tek po kalonte urën e madhe në ato momente kur një plumb thotë se e goditi në kraharor dhe gati sa nuk e rrëzoj për tokë fuqia goditëse e tij. “Më kapluan djersët e ftohta, këmbët më lëshuan, u bë një rrëmujë dhe pas pak pashë disa njerëz të cilët më ndihmuan, duke më futur në një makinë për në Shtëpinë e Shëndetit në Malishevë e më pas më derguan në spitalin e Gjakovës po të njëjtit. Më të arritur në spitalin e Gjakovës na futën në një derë të prapme për mos u diktuar shumë nga mjeku serb. Aty ishte një përkujdesje e madhe nga mjekët shqiptarë, por jo edhe nga mjekët serbë, të cilët na shikonin me përbuzje”.

Konvoji tjetër që vazhdoi nga qendra e qytezës në drejtim të fshatit Banjë, kishte hapur zjarr gjithashtu duke plagosur disa persona të Banjës të cilët morën plagë të rënda. Pas largimit të dyja konvojeve kriminale ishte krijuar rrëmujë dhe shqetësimi i madh në mesin e gjithë qytetarëve të Komunës së Malishevës dhe më gjerë. Në spitalin e Prishtinës, Gjakovës e të Prizrenit kishte plot qytetarë që prisnin të mësonin për fatin jetësor të të afërmve të tyre qe ishin plagosur. Më vonë u dha lajmi që në kete tragjedi te Malishevës kishin humbur jetën tre persona. Ata ishin: HYSNI AVDULLAH MAZREKU nga Malisheva, ALI DIN KRYEZIU nga Bubaveci dhe një person i paidentifikuar. Në radhët e të plagosurëve ishin qytetarë nga Malisheva, Banja, Turjaka, Drenovci, Maxharra etj.

Të nesërmen në një atmosfere dhimbje u bë varrimi i martirëve të lirisë dhe të demokracisë Hysni Avdullah Mazreku nga Malisheva i lindur me 1974, i moshës 16 vjeçare, nxënës i vitit të tretë në Gjimnazin “Abdyl Frasheri”. Në Malisheve ishte hera e parë kur arkivolet e këtyre martirve po mbuloheshin me flamuj kombëtar. Në varrimin e Hysniut morën pjesë rreth 1600 nxënës të gjimnazit “Abdyl Frashëri” dhe në praninë e mijëra qytetarëve të Komunës së Malishevës dhe anekënd Kosovës. Udhëheqësit komunalë të atëhershëm mbajtën mbledhje komemorative, u shpall ditë zie dhe flamujt u lëshuan në gjysmë shtize në Kuvendin Komunal, në shkolla dhe në sheshin e Malishevës. Varrimi ceremonial u përcollë nga prania e medieve të atëhershme si Televizioni i Prishtinës. Me këtë rast folën shumë oratorë, drejtori i Gjimnazit Deli Thaçi, shumë veprimtarë, ku njëzërit dënuan aktin kriminal e barbar, i cili e pllakosi në dhembje Malishevën dhe tërë Kosovën. Në të vërtetë edhe udhëheqësit e Kuvendit Komunal të Malishevës, si DAUT KRASNIQI, REXHË KASTRATI, dënuan aktin brutal duke shprehur zërin e protestës deri në instancat më të larta të pushtetit të atëhershëm kosovar e jugosllav, si dhe në radio, TV, “Zëri i Amerikës” etj. Ndërkaq DAUT KRASNIQI, në seancën e Kuvendit të Kosovës e dënoi aktin e vrasjes së qytetarve në Malishevë si akt kriminal të Policisë serbe, gjë që deri më tani askush s’kishte marrë guximin të thotë këtë të vertetë, sepse vrasje të ngjashme ndodhen kudo në komuna të Kosovës. Udhëheqësit e atëhershëm të Malishevës e arsyetuan votën e tyre të besuar nga populli, duke paditur këtë akt kriminal deri te Kryetari i atëhershëm i Jugosllavisë JANEZ DERNOVSHEK (slloven). Kjo ishte koha kur pothuajse kishte filluar dezintegrimi i asaj Jugosllavie, ku më vonë u pa edhe nga vetë Stipe Mesiq (kroat), Presidenti i fundit që e shpalli të vdekur Jugosllavinë, ku tha: “unë jam Presidenti i fundit edhe nuk ka më Jugosllavi’’. Vërtetë një lajm brilant! Ndërkaq shqiptarët në keto rrethana të rënda arriten ne Kaqanik për të shpallur Deklaratën për Pavarsinë e Kosovës me 2 korrik 1991. Vlenë të përmendet se në vendin e vrasjes se këtyre martirve sot është vendosur një Pllakë Përkujtimore, e cila iu dedikohet të gjithë atyre të cilët treguan rezistencë kombëtare, në vendin Sheshi i Dëshmorëve të Komunës së Malishevës.

martiri

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here