LVV reagon rreth ngacmimit seksual të nxënëses nga profesori në Gjimnazin “Hamdi Berisha”

0

Lëvizja VETVENDOSJE-Qendra në Malishevë ka dalë sot me një reagim rreth rastit të cilin një ditë më parë e ka bërë të ditur Policia e Kosovës për një ngacmim seksual të profesorit ndaj nxënëses së tij në Gjmanzin “Hamdi Berisha”. Ky subjekt ka thënë se ky nuk është rasti i parë që ndodhë në shkollat e Malishevës dhe ka thënë se veq Nismës edhe PDK-ja e LDK-ja, përkatësisht eksponentët e tyre,  më heret i kanë fshehur raste të tilla në Gjimnaz e shkolla të tjera dhe ka kërkuar t’u jepet fund praktikave të tilla.
Më poshtë mund ta lexoni të plotë reagimin e Lëvizjes VETVENDOSJE-Qendra Malishevë:

 

Malishevë: Kronikë e një krimi të paralajmëruar

Rasti i fundit i ngacmimit ndaj nxënëses së gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë, ku dhunuesit janë ata që do duhej t’i japin dije dhe t’i mbrojnë nxënësit nga dhuna, reflekton më së miri gjendjen e rëndë që e ka kapluar arsimin në Malishevës, e shkaktuar nga veprimet e qeverisjeve të kaluara nga PDK-ja dhe LDK-ja, për të vazhduar me besnikëri nga NISMA. Të gjitha këto subjekte, herë në bashkëpunim e herë ndaras, kanë ndërhyrë në sektorin e arsimor të Komunës dhe e kanë zaptuar atë dhe jo vetëm, përmes punësimeve pa kritere, largimeve nga puna, punësimeve të militantëve partiakë dhe të familjarëve.

Sot, arsimi në Malishevë është në krizë dhe gjendja është para shpërthimit. Praktika e pranimit në punë pa kurrfarë kriteresh dhe standardi moral dhe profesional, për më tepër edhe punësimet e personave me dosje dhe prirje kriminale, është praktikë e dëmshme që po e mbytë edhe shpresën në shoqërinë tonë. Institucionet e vendit, si ato lokale ashtu edhe ato në nivel qendror, jo vetëm që kanë dështuar por ato edhe janë pjesëmarrëse dhe përgjegjëse në veprimet kriminale që ndodhin sot në shkolla, të cilat i kanë shndërruar në çerdhe militantësh, manipuluesish votash, dhe njerëzish analfabetë me diplomë; ku nxënësit, fëmijët tanë, i ekspozohen çdo ditë e më shumë asimilimit, dhunës fizike dhe seksuale; kurse mësimdhënësit e devotshëm ngulfaten dhe kërcënohen çdo ditë e më shumë nga matrapazë me pozita të caktuara në këto institucione.

Nuk është hera e parë që ndodhin rastet të tilla në Malishevë ku viktima janë nxënësit, por këto raste janë mbajtur të fshehura pikërisht nga ata që duhet t’i denoncojnë. Pra, janë mbajtur të fshehura nga drejtorët, pushteti lokal dhe institucionet e drejtësisë dhe sigurisë. Rastet të ngjashme kanë ndodhur edhe më parë në gjimnazin “Hamdi Berisha”, në kohën kur ishte drejtor edhe kryetari i LDK-së, Januz Kastrati, e të cilat janë mbajtur të fshehura. Njëjtë ka ndodhur edhe në kohën e qeverisjes së Isni Kilajt të PDK-së, ku mësimdhënës dhe profesorë të lidhur me pushtetin dhe njerëzit në udhëheqje të Komunës dhe shkollave janë zënë në veprime të rënda, përfshirë pedofilinë, por që janë amnistuar nga pushteti duke mos u vënë kurrë drejtësia në vend derisa viktimave iu është mbyllur goja. E keqja më e madhe është se ekziston dyshimi se ka edhe shumë raste të tjera që janë mbetur qëllimisht të pa zbuluara.

Nuk duhet harruar faktin se personat e përfshirë në rastin e fundit, që janë pjesë e NISMA-s, ishin deri dje militantë besnikë të PDK-së. Pra arsimi në Malishevë u degradua në mënyrë sistematike nga PDK-ja, përmes formave të njohura tashmë të klientelizmit, militantizmit, nepotizmit të aplikuara në punësimet dhe gradime në arsim. Për të vazhduar me LDK-në e cila duke kontrolluar inspektoratin rajonal të arsimit në Gjakovë, ka ndikuar në fshehjen e këtyre rasteve përmes pazareve në rehatimin e militantëve të tyre. Kur kësaj ia shtojmë faktin që vetë kryetari i degës së LDK-së, Januz Kastrati, është me aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, dhe në marrëveshje me NISMA-n ai është zgjedhur zëvendës drejtor, na tregon qartë se emëruesi i përbashkët i këtyre tri subjekteve është zaptimi dhe degradimi i arsimit. Është koha fundit që pushteti dhe institucionet lokale, shoqëria, subjektet politike, prindërit, të mos heshtin por të reflektojnë thellë dhe të distancohen një herë e përgjithmonë nga veprime dhe krime të tilla që po degradojnë arsimin, shoqërinë dhe kriminalizojnë atë.

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Malishevë, dënon këtë akt të turpshëm dhe kriminal, siç dënon veprimet e pushtetit lokal dhe kryetarit Begaj që megjithëse kanë qenë të paralajmëruar shumë herë më parë, ata qëllimisht, jo vetëm që kanë heshtur, por edhe kanë mbrojtur dhe avancuar individë me dosje kriminale, përfshirë edhe personat në fjalë. Ne kërkojmë nga Kryetari Begaj që urgjentisht të shkarkojë nga detyra Drejtorin e Arsimit Blerim Thaçi, si dhe t’i largojë nga puna shefin e arsimit pranë kësaj drejtorie, drejtorin e Gjimnazit, profesorin e implikuar në këtë rast, si dhe zëvendës drejtorin e Qendrës së Kompetencës që është me aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Nëse Kryetari Begaj vazhdon me heshtjen dhe mosmarrjen e masave, ne e paralajmërojmë atë se do të fillojmë mobilizimin bashkë me qytetarët për t’i dalë në mbrojtje nxënësve dhe fëmijëve tanë.

28 mars 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Malishevë

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here