LVV: Programi qeveritar për energjinë, në shpërputhje me buxhetin

0

Në konferencën për ta trajtuar çështjen e energjetikës brenda programit qeverisës Lëvizja VETËVENDOSJE! është shprehur se konsideron që programi qeveritar është përmbledhje e frazave tashmë të dëgjuara nga ministra të ndryshëm, qoftë të kësaj apo të Qeverisë së kaluar.

Programit për energjinë sipas LVV-së i mungojnë afatet kohore të zbatimit të pikave të veçanta që e bën atë, pra zbatimin, të pamonitorueshëm. “Ndërkohë që programit i mungojnë numrat konkret qoftë të situatës aktuale por edhe, më me rëndësi, të rezultateve që qeveria i pret nga ai”. Në këtë mënyrë sipas LVV-së “qeveria po i ikë përgjegjësisë përmes programit, në vend se të zotohet për përgjegjësi përmes tij”.

Ky subjekt ka thënë se programi është në shpërputhje të plotë me një buxhet të miratuar nga po kjo Qeveri, si dhe nga projektimet e parapara për vitin 2016 dhe 2017.

Naim Hoxha, drejtues i Komitetit për Energjetikë, ka thënë sot se askund në program nuk thuhet se cila është energjia e mjaftueshme për nevojat e Kosovës, si është llogaritur dhe a është ajo me të vërtetë e mjaftueshme. “Aty flitet për çmimet e energjisë që të jenë të përballueshme për qytetarët dhe bizneset, pa e përmendur askund mekanizmin përmes të cilit do të mbahet çmimi i energjisë brenda kornizave të përballueshmërisë financiare për qytetarët dhe bizneset”, ka tërhequr vërejtjen ai.

Edhe dy pikat e tjera të pjesës së energjetikës në Programin Qeveritar, ku thuhet që të mbrohet ambienti dhe të shfrytëzohen të gjitha resurset, pa u përmendur fare asnjë standard, apo që të tërhiqen investime private për krijimin e vendeve të punës, Hoxha i klasifikoi si klishe të thata të Qeverisë sa për të blerë kohë.

Një risi në këtë sektor sipas tij është rikthimi në konceptin e 1200 megavat nga ai prej 600 megavat. Mirëpo, pa u realizuar strategjia e përgjithshme zhvillimore, e cila është e paraparë në 6 muajt e ardhshëm është e vështirë të dihet se cila vlerë i duhet Kosovës për zhvillim të gjithëmbarshëm.

Këto probleme do të jenë më të lehta, sipas Hoxhës po ta realizojmë unionin e sistemeve energjetike mes Kosovës dhe Shqipërisë përmes një qendreje despeçerike prej së cilës do të shpërndahej energjia elektrike, dhe me një bilanc energjetik.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here