LVV: “Policia skajshmërisht politike, nuk po e zbaton vendimin për largimin e Feim Salihut”

0

PRISHTINË, 16 SHKURT – Anëtarë të Kuvendit Komunal të Pruishtinës dhe aktivistë të Lëvizjes Vetvendosje sot e kanë bllokuar hyrjen e ndërmarrjes komunale “Pastrimi”, për ta pamundësuar “drejtorin jolegjitim, Feim Salihun, që të vazhdojë uzurpimin e këtij posti dhe mbajtjen peng të kësaj ndërmarrjeje”. “I kujtojmë gjithë opinionin se Feim Salihu është shkarkuar nga kjo detyrë me datën 9 janar të këtij viti, nga bordi i drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje. Gjithashtu, edhe Gjykata Themelore në Prishtinë, me aktvendimin e datës 16 janar 2015, ka vendosur që ish kryeshefi ekzekutiv, Feim Salihu ishte zgjedhur në mënyrë të paligjshme . Megjithatë, Feim Salihu vazhdon ta injorojë vendimin e bordit dhe vendimin e Gjykatës. Ndaj Feim Salihut, poashtu ekziston kallëzim penal për kërcënim dhe pengim të ushtrimit të detyrës zyrtare, nga kryesuesi i bordit, Bardhyl Noci”, ka përkujtuar LVV sot përmes një komunikate. “Përkundër të gjitha këtyre argumenteve, Policia vazhdon ta tolerojë Feim Salihun dhe të mos e zbatojë vendimin e Gjykatës Themelore dhe të bordit të drejtorëve për pezullimin dhe shkarkimin e tij”, ka shprehur shqetësimin e vet ky subjekt që në Prishtinë e mban pushtetin. LVV është irituar ndërkaq edhe më shumë pasi sot policia ka lëshuar fletëarrest për anëtarin e KK të Prishtinës Ylli Hoxhën, “për pengim të personit zyrtar, në këtë rast vet Feim Salihut”. “Ne i bëjmë thirrje policisë që të mos bëj drejtësi selektive, por të zbatojë vendimin e bordit të drejtorëve dhe të Gjykatës Themelore, detyrë kjo që e ka të caktuar me kushtetutë, e jo të vihet në shërbim interesave partiake të LDK-së”, është shprehur LVV. “Feim Salihu nuk është person zyrtar, por është uzurpator, i cili në cilësinë e militantit të kësaj partie, po e mban peng ndërmarrjen rajonale publike ‘Pastrimi”, ka përmbyllur ky subjekt.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here