“Luftëtarët e IS stërviten në Shqipëri” Italianët publikojnë videon e kampit

0

Policia italiane ka publikuar një video dhe shprehet se është xhiruar në Shqipëri. Sipas saj, në këto ambiente janë stërvitur luftëtarët e IS, që më pas kanë shkuar për të luftuar në Siri. Ndërkaq, marokeni 20-vjeçar, i arrestuar dje, kishte publikuar në internet një tekst me titullin “Shteti Islamik, një realitet që duhet komunikuar”.

Videoja

Ndër imazhet e para që shfaqen në videon e publikuar nga policia italiane, prej 2 minutash e 49 sekonda, shfaqen një grumbull personash në moshë të rritur, të cilët grisnin faqet e pasaportave. Faqet e para të pasaportave janë me ngjyrë të kuqe, por në brendësi nuk dallohen emra apo kombësi. Më tej, në sekondën e 42-të të videos imazhet ndryshojnë komplet dhe tashmë ngjarjet zhvendosen në një godinë të madhe. Disa të rritur stërvitin fëmijë të vegjël, të cilët mësohen se si të gjuajnë me shkelma dhe duar. Një seancë stërvitore e arteve marciale shoqëron sekondat pasardhëse. Në godinën e madhe, e cila ngjason si një objekt i braktisur, ose si magazina të një pallati, shfaqen më pas, të njëjtët njerëz, që nën shoqërinë e flamurit të zi vazhdojnë të stërvitnin fëmijët, duke u rënë me shkopinj në bark apo duke thyer objekte në kokë. Një person, me kapele u bie fëmijëve me shkelm në bark, teksa ata bëjnë ushtrime ulje-ngritjeje. Kur kanë kaluar 1 minutë e 49 sekonda, imazhet e videos ndryshojnë komplet dhe tashmë luftëtarët që stërviten shfaqen në një tjetër vend. Një fushë e hapur, në natyrë dhe përtej disa ndërtesa. Ambienti nuk mund të identifikohet. Aty, luftëtarët parakalojnë me armë. Më tej, disa sekonda më pas njerëzit e veshur me të zeza kalojnë disa pengesa, teksa ndodhen brenda një pylli. Më pas ata ngjiten me duar në disa shkallë. Ndër imazhet e fundit që shfaqen në video janë luftëtarët, të cilët qëllojnë me armë si kallashnikov etj., ndërsa në sfondin prapa tyre duket një mal. Përsëri këto ambiente nuk mund të identifikohen se në ç’pjesë janë xhiruar, por Policia e Shtetit italian dhe specifikisht ajo e Breshias pretendon se videoja , e cila gjendet në këtë link: http://video.corriere.it/isis-centrale-italiana-terrore/ac0b0180-d2c2-11e4-9209-9dd80f8535a2, ka filmime të realizuara në Shqipëri.

 

Teksti

Sipas tekstit origjinal të 20-vjeçarit maroken, vetëm në fillim të qershorit 2014, pas sulmit në qytetin e Mosulit, shteti islam fitoi rreth 500 milionë dollarë nga banka qendrore (nga të cilat 1/5 iu shpërndanë popullsisë, sipas Sheriatit). Në tekst thuhet se “Shteti islam ka formuar disa agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit për ushtrimin e pushtetit ekzekutiv, ndaj është themeluar Hisba, një lloj i policisë islame, e prirur që të urdhërojë të mirën dhe të ndalojë të keqen. Ata janë shpërndarë në pikën e kontrollit në Irak dhe në Sham, ku ka policë të specializuar në kontrollet e qyteteve dhe fshatrave, duke siguruar, sigurinë ndaj qytetarëve. Një lloj tjetër policia është Shurtat, polici për menaxhimin e qarkullimit të trafikut. Një aspekt tjetër që është vërejtur nga policia është neutralizimi i prodhimit dhe trafikimit të pijeve dehëse apo drogës. Shteti islamik ka pikat e shpërndarjes së bukës për qytetarët. Përkundër shumë vështirësive ndërmjet bombardimeve të koalicionit, regjimit të Bashar Al Sadit dhe Malikit në Irak, kalifati ka bërë përpjekje për të ofruar ndihmë për qytetarët e saj dhe veçanërisht për të varfrit dhe nevojtarët. Politika e Ebu Bekr el-Bagdadit është që të kujdeset për çdo aspekt të Shtetit Islamik. Në qershor 2014 u shpall Kalifati nga zëdhënësi zyrtar i asaj që ishte “Shteti Islamik i Irakut dhe Shamit” (ISIS). Është miratuar menjëherë dinari si monedha e kalifatit. Jashtë shtetit islam, situata nuk mund të duket e qartë. Keqinformimi mbi shtetin është aq i rëndë dhe i projektuar mirë. Shumë qytetarë në Siri, shumë herë, kanë thënë se ata mendonin një shtet “të keq”. Shteti islam, me hirin e Allahut, ka me të vërtetë reputacion, veçanërisht në Irak. Shteti islamik ka liruar myslimanët e pafajshëm nga burgjet. Mijëra të burgosur janë liruar, duke përfshirë qindra motra të pafajshme”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here