“Lufta” në mes mentalitetit të vjetër dhe të ri në një polemikë

0
SARANDA R. SHALA
Zhvillmi historik i shoqërisë, si dhe evoluimi i problemeve sociale, ka sjellë ndryshime të mëdha në qëndrimet dhe sjelljet e njerëzve. Raportet dhe mospajtimet mes brezit të vjetër dhe brezit të ri shpeshherë qojnë deri në mospajtime dhe lëkundje mendimesh. Këto lloj përplasjesh vijnë si pasojë e rritjes dhe e krijimit të brezave në periudha dhe kohë të ndryshme, madje kjo mospërputhja e tyre krijon konflikte gjeneratash. Rastin e fundit e kemi deklaratën e intelektualit të mendimit pozitiv, Daut Demaku, i cili nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, apelon tek të rinjtë të martohen duke u shprehur se mosmartesën e të rinjve e sheh si tragjedi kombëtare. Ndër të tjera, ai citon një thënie nga shkrimet e shenjta se i vdekuri dhe çupa nuk mbahen në shtëpi. Ne anën tjetër kemi reagimin e një vajze të re, Donikës, e cila gjykon autorin për shprehjen dhe mentalitetin e tij. Në aspektin psiko-social mendimi i parë është në përputhje me qëndrim patriarkal-tradiconal, ku femra trajtohej më shume si objekt ose si një produkt: ”marr-jap”, ku liria individuale e zgjedhjes në lidhjen e martesës ose në aspekte të tjera të jetës familjare varej nga interesat e të tjerëve, si ato të prindërve, të afërmve ose komunitetit. Jeta e brendshme, intimiteti emocional, seksi brenda martesës nuk konsiderohej si burim kënaqësie, por vetëm si të nevojshëm për lindje të fëmijëve. Prandaj familja ishte një institucion më shumë autoritar, më shumë e hapur për të tjerët sesa e brendshme apo private, fare e jetuar nga aspekti emocional. Në anën tjetër dhe krahasimi që autori i bën femrës me të vdekurin, me kufomën që duhet nxjerrë nga shtëpia sepse aty nuk jetohet nga kundërmimi i saj, sigurisht që ka prekur dhe shkaktuar dëm në imazhin personal të femrës/gruas shqiptare, e cila gjithmonë është njohur për sakrifica të mëdha në shoqëri. Por shikuar në një prizëm tjetër, nuk mund të gjykohet ashpër thirrja që u drejton autori të rinjve për t’u martuar, sepse fenomeni i mosmartesës vërehet dukshëm, dhe sigurisht që vërejtja e Demakut kishte qëllim të mirë, por mënyra e shprehjes do të duhej të ishte paksa më ndryshe. Tek mendimi i vajzës së re, shohim një perceptim realistë trajtimit të figurës së femrës sot, ajo përmend dhe faktorin e gjendjes socio-ekonomike si problem të krijimit familjar. Sigurisht që kjo gjendje e rëndë e krijuar tash e sa vjet po ndikon vazhdimisht tek jeta e të rinjëve. Sigurimi i një vendi të punës do të ishte një tregues i favorshëm dhe paraprijës në martesën dhe krijimin e një familjeje. Po këtu duhet të them se në të dyja rastet, nga perceptimi i tyre më i thellë, vërehet një mënyrë jo e kënaqshme e komunikimit. Te mendimi i parë shohim një fjalor jo të kontrolluar, si në aspektin emocional, ashtu edhe në atë logjik; dhe detyrues, që përpiqet t’i detyrojë të tjerët të marrin hapin jashtë ndjenjave, për diçka për që secilit vendos vetë. Ndërsa, te mendimi i dytë, reagimi do të duhej të ishte më tolerant, sepse dhe mungesa e menaxhimit të kontrollit tek të rinjtë krijon konflikte dhe mosmarrëveshje në raporte dhe në marrëdhënie të vazhdueshme brezash. Kuptohet që liria e fjalës është vetë liria e njeriut, por jo të fyhet, prandaj është mirë të menaxhohet dhe komunikimi, që të dy brezat të kuptojnë njeri tjetrin. Pa brezin e vjetër s‘do të ekzistonte as brezi i ri.
Autoja është diplomuar në Gazetari dhe Psikologji.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here