Lirohet 18-vjeçari: Na rrahën në Beograd, ndaj u gjuajta serbëve

0

Marsel Qeleshi, 18-vjeçari i akuzuar se qëlloi me gur autobusin e kombëtares serbe mbrëmjen e 7 tetorit, ka pranuar autorësinë e veprimit të tij. Ai është paraqitur dje në Gjykatën e Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë, e cila u caktua “detyrim paraqitje”. Në ngarkim të 18-vjeçarit, organi i akuzës kërkoi “arrest me burg”, por gjykata vendosi masë lehtësuese ndaj të riut, duke marrë si rrethanë lehtësuese gjendjen e dehur të adoleshentit. “Kisha pirë nja dy birra, ata na rrahën në Beograd, prandaj i gjuajta me gurë”, është shprehur Qeleshi gjatë seancës gjyqësore. Më tej, Qeleshi ka thënë se ka gjuajtur në shenjë hakmarrje ndaj serbëve për atë që ata u bënë lojtarëve tanë vitin e kaluar në stadiumin “Partizani” të Beogradit. “E kam bërë nga inati, ata çfarë nuk i kanë bërë lojtarëve tanë në Beograd. I rrahën e i dërrmuan. Mua m’u kujtuan këto dhe i gjuajta me gur. E kam bërë nga inati, në formë hakmarrje. Jam penduar për këtë veprim që kam bërë, por nuk më ka shtyrë njeri tjetër, thjesht ashtu mendova dhe ashtu veprova”,­ ka thënë i riu para gjykatës.

Autobusi ku udhëtonin pjesëtarët e ekipit serb u godit në distancë të largët me gur pranë zonës së “Zogut të Zi”, ndërsa policia arrestoi për këtë ngjarje më datën 8 tetor adoleshentin Marsel Qeleshi. Prokuroria i kishte kërkuar Gjykatës së Shkallës së Parë, mbajtjen e tij në arrest me burg për 3 akuzat, “prishje e qetësisë publike”, “dëmtimi i pronës” dhe “kryerje e veprimeve të dhunshme ndaj personave të mbrojtur ndërkombëtarisht”. Avokatja Vjollca Pustina kërkoi lirimin e tij për faktin se të tri veprat për të cilat ai akuzohej ishin kundravajtje penale. Pas shqyrtimit të kërkesave të prokurorisë dhe avokates Vjollca Pustina, gjykata vlerësoi rrethanat e adoleshentit të rritur në shtëpinë e fëmijës, si dhe faktin që ai vijonte një kurs profesional dhe se mund të dëmtonte të ardhmen e tij.

Arrestimi i 18-vjeçarit

Policia e Tiranës arrestoi 18-vjeçarin Marsel Qeleshi më datë 8 tetor, personi i cili qëlloi me gurë autobusin e kombëtares serbe pasditen e 7 tetorit. I riu u mbajt për 3 ditë në ambientet e Komisariatin nr. 3 dhe pranoi përpara uniformave blu autorësinë e veprimit të tij. 18-vjeçari Qeleshi edhe më herët ka qenë i skeduar për vjedhje të ndryshme në Tiranë, kryesisht të pasqyrave dhe kasetofonëve të automjeteve luksoze, por është proceduar në gjendje të lirë. Ai është ndaluar rreth 5 muaj më parë nga Komisariati nr. 6 në Kombinat, pasi kishte dëmtuar me vjedhje dhe thyerja 3 makina të reja, por u lirua vetëm pak ditë më vonë për shkak të moshës së tij.

Incidenti me ekipin serb

Policia e Tiranës fillimisht e mohoi mundësinë e goditjes me gurë të autobusit të ekipit serb mbrëmjen e 7 tetorit, duke thënë se, nga momenti i zbritjes së lojtarëve në aeroportin e Rinasit deri në mbërritjen e delegacionit në hotelin ku ishin akomoduar nuk është konstatuar asnjë problem. Por vetëm disa orë më vonë, policia theksoi se, në momentin e mbërritjes përpara hotelit, ndaj autobusit të ekipit serb është vënë re se nga krahu i drejtuesit të mjetit kishte një plasaritje, e cila dyshohet se mund të jetë gjuajtur në një distancë të largët me gurë. Gjuajtja me gur ndaj ekipit serb të 18-vjeçarit Qeleshi, shkaktoi edhe një incident diplomatik me ambasadorin e Shqipërisë në Beograd, ku ky i fundit nuk e pranoi “Notën e protestës” së dhënë nga pala serbe, duke e quajtur një rast të izoluar këtë incident dhe të tepërt pretendimin e Beogradit zyrtar.

Shtëpia e Fëmijës “Zyber Hallulli” kërkon mbrojtje ndaj 18-vjeçarit Qeleshi

Pas arrestimit nga policia të Marsel Qeleshit, i cili qëlloi me gurë autobusin e kombëtares serbe, ndaj të riut është bërë edhe një denoncim në drejtorinë e policisë së Tiranës, nga Shtëpia e Fëmijës “Zyber Hallulli”, ku ky institucion kërkon “urdhër mbrojtje”, ndaj 18-vjeçarit, pasi dhunon dhe mashtron fëmijët e tjerë të jetimores. Vendimi është bërë publik në faqen zyrtare të Gjykatës e Shkallës së Parë në Tiranë dhe mban datën e 8 tetorit, ditë që është bërë edhe arrestimi i tij. I riu Qeleshi ka qenë një person problematik prej muajsh, sepse ai rrihte dhe mashtronte fëmijët e tjerë të qendrës “Zyber Hallulli”. “Sipas policisë, Marseli nuk ishte rezident i përhershëm pranë qendrës, por ishte frekuentues ditor për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike të familjes së tij. Ai u merrte para fëmijëve të tjerë të qendrës, disa edhe i rrihte, duke u kthyer në një person problematik për të gjithë personelin atje”, thekson policia e Tiranës./Shekulli/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here