Lira Bojku: ‘’Këpucët e kuqe’’ u mbathën aq mirë nga lexuesit

0

Lira Bojku u lind më 9 qershor 1990 në Shkup. Diplomoi në Fakultetin Juridik në Univerzitetin e Evropës Juglindore (UEJL) ku dhe u shpall studente e gjeneratës. Aktualisht është në përfundim të studimeve master në programin TEMPUS (Marrëdhëniet Ndërkombetare Të Drejtat e Njeriut). Adhuruese e arteve të bukura dhe përkrahëse e të drejtës së gruas. Që në gjimnaz e njohur me nofkën si “mbesa e Naim Frashërit”, thotë se merret me shkrime që në moshë të hershme. Është një nga dhjetë oratorët më të mirë të shkollave të mesme të qytetit të Shkupit. (garë e organizuar nga Qyteti i Shkupit) Ka marr pjesë në konkurse letrare për poezi/ prozë. Në vitin 2013 u shpërblye me vend të dytë për prozë, në konkursin letrar të organizuar nga Komuna e Tetovës për hir të “Ditës së alfabetit”. Në vitin 2014 u shpërblye me vend të tretë për poezi (Çmimi Sefer Selimi), në konkursin letrar të organizuar nga Komuna e Gostivarit. Autore e më shumë rrëfimeve dhe poezive të publikuara në internet -portale të ndryshme. Tre tregime të saj janë përkthyer në gjuhën maqedonase dhe janë botuar ne librin e dytë të Raskazi.mk- pjesë e projektit “Krijo një libër”. Punon në Sekretariatin për çështje evropiane (SÇE-Qeveria e Republikës së Maqedonisë). Shkruan poezi dhe prozë, ndërsa “Këpucët e kuqe” ky është libri i saj i parë.

Na flisni pak lidhur me dëshirën tuaj për tu marrë me krijimtari letrare, si keni filluar të shkruani?

Mendoj që dëshira për tu zhytur ne artin e shkrimit ka rrënjët në edukimin familjar dhe dashurinë e madhe për librin, leximin, arsimin në familjen time.Unë kam filluar të shkruaj që e vogël, natyrisht ato kanë qenë vjershat e para që unë i kam mbledhur në një librushkë të improvizuar. Pastaj dashurinëpër fjalën e shkruar vazhdova ta kultivoj edhe më tutje ne orët e letërsisë në gjimnaz, për t’u shndërruar në një pasion ky të cilit do i qasem në mënyre serioze pas vitit 2008. Tregimet e mia fillimisht u bënë të njohura për publikun nëpërmjet internet portaleve te ndryshme ndërsa tani mëveç e keni në duar edhe librin tim të parë me tregime “Këpucët e kuqe”.

Çfarë temash trajtoni në shkrimet tuaja, çka ju pëlqen të shkruani më së shumti?

Unë shkruaj kryesisht prozë por do hasni edhe proza poetike. Shkrimet e mia e kanëpër temë dashurinë. Zgjodha ta trajtoj këtë temë sepse desha në një mënyre ta ngjyros botën ashtu siç mendoj unë se duhet të jetë dashuria. Desha ta bëj të kuptueshme të pakuptueshmen, të shkruaj për heshtjen, për atë që ndjehet e shpesh lihet pa thënë. Në një mënyrë e trajtoj vetë jetën, atë që i ndodh gjithsecilit, shkruaj përgjithë ato që kam dëgjuar, parë apo lexuar,ajo që ma kanë treguar, përjetuar, atë që e kemi ëndërruar. Personazhet dhe ngjarjet janë imagjinare, të fortë e të idealizuar, ata të cilët duam të bëhemi një ditë por edhe njerëzit e dobët, që nuk duam të bëhemi apo jemi, shkruaj për fjalët që nuk kemi guxim ti themi, fjalët që i themi e pendohemi pse si thamë ndryshe, duke i shtuar gjithë kësaj një dozë imagjinatë… Unë thjesht jam një rrëfyese që dua të rrëfej tregime, dhe në këtë rast tek “Këpucët e kuqe” unë nuk e rrëfej jetën time por jetën në të gjithë format e saj njerëzore.

“Këpucët e kuqe”, çfarë paraqet për ju ky titull?

Këpucët e kuqe është njëri nga tregimet e librit, është simbol i dashurisë që lind por dhe që arratiset, dashurisë së pastër por dhe të çmendur, dashurisë së gabuar, asaj fatale, dashurisë së përhershme, dashurisë së asnjëhershme…dhe gjithë peripecitë që e shoqërojnë atë, gjithë ëmbëlsitë dhe pelini poashtu. Mbase dashuria nuk është kuptimi kryesor i jetës- do thoni ju; por dhe jeta pa dashuri nuk do kishte kuptim- do them unë.

Cila është ëndrra e juaj?

Unë jam ëndërrimtare si natyrë dhe ëndrrat gjithnjë janë të pranishme, por natyrisht prioriteti i tyre ndryshon me kohën. E di vetëm që për ta bërë një ëndërr realitet duhet të zgjohemi nga gjumi, duhet shumë punë, mund dhe sakrificë…sepse vetëm në këtë mënyre ai realizim do na bëjë të lumtur.

A do presim ndonjë vepër të re nga ju, çfarë plane keni për të ardhmen?

Sigurisht që po, tani që ‘’Këpucët e kuqe’’ u mbathën aq mirë nga lexuesit, pa dyshim që do vazhdoj me librin e radhës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here