Liderët politik të Maqedonisë sot sërish ulen në tavolinën e negociatave

0
Liderët e katër partive kryesore në Maqedoni sot për herë të dytë do të ulen në tryezën e negociatave.
Ky takim vjen pas atij të javës së kaluar kur Nikola Gruevski i VMRO-DPMNE, Zoran Zaev i LSDM-së, Ali Ahmeti i BDI-së dhe Menduh Thaçi i PDSH-së arritën të miratojnë vetëm një deklaratë të shkurtër për vazhdimin e dialogut politik dhe mbajtjen e protestave të qeta dhe demokratike.
Edhe takimi i sotëm do të jetë me praninë e ambasadorit amerikan në Shkup, Jess Baily dhe ambasadorit të BE-së, Aivo Orav.
Javën e kaluar u paralajmërua se katër liderët po tentojnë që të miratojnë një kornizë me disa pika të rëndësishme përmes së cilës do të zhvillohet dialogu.
Ambasadori amerikan Baily në profilin e tij në “Twitter” ka shkruar se “i gëzohem takimit të ri të liderëve”, informon “INA”.
Nga ana tjetër, mësohet se Gruevski dhe Zaev nesër do të udhëtojnë në Strasburg për takime me eurodeputetë. “Nuk kam asnjë informacion, përveç gatishmërisë sonë që të jemi aty kur na ftojnë miqtë tanë të bashkësisë ndërkombëtare”, ka deklaruar Zaev.
Dy kampet politike maqedonase vazhdojnë në qëndrimet e tyre, derisa opozita kërkon dorëheqjen e Gruevskit dhe formimin e qeverisë kalimtare, ky i fundit ka theksuar se nuk jep dorëheqje dhe se as që do të pranojë qeveri kalimtare.
Analistët politik vlerësojnë se takimet e liderëve megjithatë kanë rëndësinë e tyre. “Pjesëmarrësit në takimin e liderëve firmosën një deklaratë për protesta pa dhunë. Por përvoja ime tregon se nënshkrimet e shumta që janë dhënë në letra të ndryshme para 20 viteve, nuk kishin kontribuar në ndërprerjen e zjarrit. Stilolapsat nuk kanë pasur efekt dhe janë shlyer, ndërsa ngjarjet kanë eskaluar”, ka thënë Maleski, i cili ka apeluar për protesta të qeta dhe pa dhunë. (INA)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here